
Përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Tiranë këshilluan që Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa drejt depolitizimit të administratës zgjedhore, por një ide e tillë konsiderohet ende e parakohshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe partitë politike shqiptare.
Në një tryezë të organizuar të martën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësues të OSBE-ODIHR-it, Këshillit të Europës apo Komisionit të Venecias theksuan rëndësinë e depolitizimit të administratës zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ambasadori i OSBE-ODIHR në Tiranë, Michel Tarran, kërkoi ngritjen e një strukture brenda KQZ për të trajnuar administratën jopartiake.
“Kjo qendër do të shërbejë si një nyje për ofrimin e trajnimit të plotë dhe edukimin e votuesve me qëllim krijimin e një numri të zyrtarëve zgjedhorë profesionistë dhe të paanshëm,” sugjeroi ai.
Kjo kërkesë e ambasadorit të OSBE u mbështet edhe nga përfaqësuesja e Këshillit të Europës, Liri Kopaçi- Di Michele dhe përfaqësuesi i Komisionit të Venecias, Sasa Zagorc.
“Duhet të ngrihet një strukturë trajnimi e përhershme, me konsensus politik mes palëve për këtë çështje,” tha përfaqësuesja e Këshillit të Europës.
“Administrata duhet që të jetë e pavarur. Anëtarët e komisioneve zgjedhore duhet që të marrin trajnim dhe ata që emërohen nuk mund të largohen sipas dëshirës,” theksoi më tej Zagorc nga Komisioni i Venecias.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha në tryezë se ndryshimi i administrimit të zgjedhjeve është i nevojshëm, por ai theksoi se kjo mund të testohej me punonjësit e nivelit te dytë dhe të tretë.
“Eksperienca e të paktën 30 viteve të fundit, ka treguar një dispropocion të madh ndërmjet të drejtës që partitë kanë për të qenë palë në nivel të dytë dhe të tretë me përgjegjësinë që ata reflektojnë në këtë proces,” tha Celibashi.
Në parim pro depolitizimit, Celibashi theksoi gjithashtu se ky proces nuk mund të kryhet për zgjedhjet e vitit 2025.
“Në gjykimin tim personal, të paktën në situatën politike dhe sociale ku ndodhet Shqipëria…mendoj se do bënim një gabim të madh, nëse partitë do të shmangeshin tërësisht dhe do thërrisnim vetëm nëpunës civilë,” tha ai, duke shtuar se partitë politike do të kontestonin çdo rezultat zgjedhor.
Edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se depolitizimi i administratës zgjedhore do të ishte i gabuar në këtë moment.
“Ne nuk mund të ecim symbyllur drejt një ideje që mund të jetë e bukur, por mund të rezultojë katastrofike për standardin zgjedhor dhe për legjitimitetin e organizimit të zgjedhjeve,” tha Bylykbashi.
Elena Xhina, përfaqësuese ligjore e Partisë Socialiste shprehu gatishmërinë e forcës politike që përfaqëson për të bërë ndryshime për depolitizim të administratës.
“Është përgjegjësi e përbashkët që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ndërtuar një administratë zgjedhore të pavarur. Mbetemi të përkushtuar për ta çuar përpara këtë vision,”, tha ajo.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, të pranishëm në tryezë, fajësuan partitë politike ndërsa ndanë mendimin se depolitizimi i administratës zgjedhore do të duhej të ishte ezauruar prej kohësh.







