
Rënia e regjimit të Bashar al-Assad në Siri befasoi edhe opozitën, e udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham e Abu Mohammad al-Jolani, duke ofruar terren pjellor për teori konspirative.
Çfarë rolesh luajtën Izraeli, Turqia, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara në këtë përmbysje të papritur? Mos vallë Rusia abstenoi nga ndërhyrja në emër të Assad-it thjesht sepse nuk mund të përballojë një tjetër operacion ushtarak jashtë teatrit ukrainas, apo kishte ndonjë marrëveshje pas skene? A ra SHBA-ja përsëri në grackën e mbështetjes së islamistëve kundër Rusisë, duke injoruar mësimet e nxjerra nga mbështetja e saj ndaj muxhahidinëve në Afganistan në vitet 1980? Çfarë bëri Izraeli? Ai sigurisht po përfiton nga devijimi i vëmendjes së botës nga Gaza dhe Bregu Perëndimor, madje po merr për vete territore të reja në Sirinë jugore.
Ashtu si shumica e komentuesve, unë thjesht nuk i di përgjigjet e këtyre pyetjeve, prandaj preferoj të fokusohem në pamjen më të gjerë. Një tipar i përgjithshëm i historisë, si në Afganistan pas tërheqjes së SHBA-së dhe në Iran gjatë revolucionit të vitit 1979, është se nuk pati një betejë të madhe dhe vendimtare. Regjimi thjesht u shemb si një shtëpi letrash. Fitorja i shkoi palës që në fakt ishte e gatshme të luftonte dhe të vdiste për kauzën e saj.
Fakti që regjimi përçmohej botërisht nuk e shpjegon plotësisht atë që ndodhi. Pse u zhduk rezistenca laike ndaj Assad-it, duke lënë vetëm fondamentalistët myslimanë që ta kapnin çastin? E njëjta pyetje mund të shtrohet edhe për Afganistanin. Pse mijëra njerëz ishin të gatshëm të rrezikonin jetën e tyre për të marrë një avion dhe për t’u larguar nga Kabuli, por jo për të luftuar talebanët? Forcat e armatosura të regjimit të vjetër afgan ishin më të armatosura, por ato thjesht nuk ishin të përkushtuara për atë luftë.
Një grup i ngjashëm faktesh e magjepsi filozofin Michel Foucault kur ai vizitoi Iranin (dy herë) në vitin 1979. Atij i bëri përshtypje ajo që shihte si indiferencë e revolucionarëve ndaj mbijetesës së tyre. E tyrja ishte një “formë partizane dhe agoniste e të treguarit të së vërtetës”, shpjegon Patrick Gamez. Ata kërkuan një “transformim përmes luftës dhe sprovës, në krahasim me format paqësuese, neutralizuese dhe normalizuese të fuqisë moderne perëndimore. … Vendimtar për të kuptuar këtë pikë është konceptimi i së vërtetës në veprim … një konceptim i së vërtetës si i pjesshëm, i rezervuar për partizanët”.
Siç shprehet vetë Foucault:
“… nëse ky subjekt që flet për të drejtën (ose më mirë për të drejtat) po thotë të vërtetën, kjo e vërtetë nuk është më e vërteta universale e filozofit. … Ai është i interesuar për tërësinë vetëm në atë masë sa mund ta shohë atë në terma të njëanshëm, ta shtrembërojë dhe ta shohë nga këndvështrimi i tij. E vërteta është, me fjalë të tjera, një e vërtetë që mund të vendoset vetëm nga pozicioni i saj luftarak, nga perspektiva e fitores së kërkuar dhe në fund, si të thuash, e mbijetesës së vetë subjektit që flet.
A mund të hidhet poshtë kjo perspektivë si dëshmi e një shoqërie “primitive” paramoderne që nuk e ka zbuluar ende individualizmin modern? Për këdo që e njeh minimalisht marksizmin perëndimor, përgjigja është e qartë. Siç argumentoi filozofi hungarez Georg Lukacs, marksizmi është “universalisht i vërtetë” pikërisht sepse është “i pjesshëm” ndaj një pozicioni të caktuar subjektiv. Ajo që Foucault kërkonte në Iran – forma agoniste (“luftë”) e thënies së së vërtetës – ishte që në fillim te Marksi, i cili pa se pjesëmarrja në luftën e klasave nuk është pengesë për marrjen e njohurive “objektive” të historisë. por më tepër një parakusht për ta bërë këtë.
Konceptimi pozitivist i dijes si një shprehje “objektive” e realitetit – ajo që Foucault e karakterizoi si “forma paqësuese, neutralizuese dhe normalizuese të fuqisë moderne perëndimore” – është ideologjia e “fundit të ideologjisë”. Nga njëra anë, ne kemi njohuri eksperte gjoja jo ideologjike; nga ana tjetër, ne kemi individë të shpërndarë, secili prej të cilëve është i përqendruar në “kujdesin ndaj Vetes” (termi i Foucault) te tij ose të saj – gjërat e vogla që sjellin kënaqësi në jetën e dikujt. Nga ky këndvështrim i individualizmit liberal, çdo angazhim universal, veçanërisht nëse përfshin rrezikun për jetën dhe integritetin fizik, është i dyshimtë dhe “irracional”.
Këtu hasim një paradoks interesant: Ndërsa marksizmi tradicional ndoshta nuk mund të ofrojë një përshkrim bindës të suksesit të talebanëve, ai ndihmon të qartësohet se çfarë kërkonte Foucault në Iran (dhe çfarë duhet të na magjepste në Siri). Në një kohë kur triumfi i kapitalizmit global kishte shtypur frymën laike të angazhimit kolektiv në kërkim të një jete më të mirë, Foucault shpresonte të gjente një shembull të angazhimit kolektiv që nuk mbështetej në fundamentalizmin fetar. Nuk e gjeti.
Shpjegimi më i mirë se pse feja tani duket se ka një monopol mbi angazhimin kolektiv dhe vetëflijimin vjen nga Boris Buden, i cili argumenton se feja si forcë politike pasqyron shpërbërjen post-politike të shoqërisë – shpërbërjen e mekanizmave tradicionalë që garantonin lidhje komunitare të qëndrueshme. Feja fondamentaliste nuk është vetëm politike; ajo është vetë politika. Për adhuruesit e saj, ajo nuk është më vetëm një fenomen social, por vetë tekstura e shoqërisë.
Kështu, nuk është më e mundur të dallohet aspekti thjesht shpirtëror i fesë nga politizimi i saj: në një univers post-politik, feja është kanali përmes të cilit rikthehen pasionet antagoniste. Zhvillimet e fundit që duken si triumfe të fondamentalizmit fetar nuk përfaqësojnë një rikthim të fesë në politikë, por thjesht një rikthim të politikës si të tillë.
Pyetja, pra, është ç’u bë politika radikale laike (arritja e madhe e harruar e modernitetit evropian)? Në mungesë të saj, Noam Chomsky beson se ne po i afrohemi fundit të shoqërisë së organizuar – pikës pa kthim, përtej së cilës nuk mund të marrim as masa të logjikshme për të “shmangur shkatërrimin kataklizmik të mjedisit”. Ndërsa Chomsky fokusohet në indiferencën tonë ndaj mjedisit, unë do ta shtrija pikën e tij në mosgatishmërinë tonë të përgjithshme për t’u përfshirë në beteja politike në përgjithësi. Marrja e vendimeve kolektive për të shmangur fatkeqësitë e parashikueshme është një proces jashtëzakonisht politik.
Problemi i Perëndimit është se ai nuk është plotësisht i gatshëm të luftojë për një kauzë të madhe të përbashkët. “Pacifistët” që duan t’i japin fund luftës së Rusisë në Ukrainë me çdo kusht, për shembull, në fund do të mbrojnë jetët e tyre komode dhe ata janë të gatshëm të sakrifikojnë Ukrainën për këtë qëllim. Filozofi italian Franko Berardi ka të drejtë. Ne po dëshmojmë “shpërbërjen e botës perëndimore”.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. What Did We Miss in Syria?







