
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut lëshoi të mërkurën një urdhër arresti për ish-zv/kryeministrin Artan Grubi, i cili është zhdukur që kur u akuzua për korrupsion.
Në listën e urdhër arresteve t është edhe ish-kreu i lotarisë shtetërore, Përparim Bajrami, si dhe tre të tjerë të dyshuar për përvetësim të pasurisë së paligjshme. Në listën e të dyshuarve të ministrisë janë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Metodija Dimovski.
Urdhër arrestet për Grubin dhe Bajramin erdhën një ditë pasi prokurorët njoftuan se ata nuk gjendeshin në banesat e tyre. Të martën, një gjykatë e Shkupit caktoi 30 ditë paraburgim për Grubin dhe Bajramin.
Të hënën, Prokuroria Themelore e Shkupit njoftoi se kishte urdhëruar procedurë hetimore kundër dy personave për “dyshim të arsyeshëm… për përvetësim” ndërsa “për katër persona të tjerë është iniciuar procedura për … shfrytëzim të postit dhe autoritetit zyrtar”.
“Nga provat e grumbulluara lindin dyshime të arsyeshme se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në Shoqërinë Aksionare të Organizimit të Lojërave të Fatit ‘Lotaria Shtetërore’ … (përvetësuan para) gjatë vitit 2023, nëpërmjet ushtrimit të autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta”, thuhet në të.
Sipas prokurorisë, kostoja e kompanisë shtetërore llogaritet në mbi 500 milionë denarë, mbi 8 milionë euro.
Grubi është në arrati që prej datës 15 dhjetor, kur u bastis shtëpia e tij. Më vonë ai bëri një deklaratë në Facebook duke thënë se ishte jashtë vendit “për një vizitë private”.
“Ju lutem mos shpifni dhe shpekuloni. Kam udhëtuar me dokumentat e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sa po të kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi pranë familjes”, tha ai.
Zyrtarët në Shkup ofruan një version tjetër të arratisjes së tij, ku kryeministri Hristijan Mickoski tha se “ish-zv/kryeministri Grubi u nis për në Kosovën fqinje, së bashku me një biznesmen, me një automjet me targa diplomatike”.
Burime nga Policia e Kosovës konfirmuan për BIRN të mërkurën se kanë marrë urdhër arrestin nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Departamenti Amerikan i Shtetit më 9 dhjetor tha se po shtonte Grubin dhe gjyqtarin Enver Behxheti në listën e tij të zezë “për përfshirjen e tyre në korrupsion madhor duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Saso Mijalkovit”, ish-kreu i policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut.
Edhe anëtarë të familjes së ngushtë të Grubit ishin futur gjithashtu në listën e zezë, tha Departamenti Amerikan i Shtetit.
Grubi, një zyrtar i lartë në partinë kryesore opozitare etnike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, ka qenë një politikan i shquar në Maqedoninë e Veriut gjatë dekadës së fundit.
Në rrjetet sociale, Grubi tha se ishte i shokuar për futjen e tij në listën e zezë. “Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, shkroi ai.
Një bashkëpunëtor i ngushtë i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe zëdhënësi kryesor i partisë, Grubi ishte zv/kryeministri i parë në qeverinë e udhëhequr nga socialdemokratët nga viti 2020 deri në zgjedhjet në fillim të këtij viti, kur ajo humbi pushtetin. Gjatë asaj kohe, ai ishte gjithashtu Ministër për Sistemin Politik dhe për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkësive.
Dy ditë pas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Grubi tha se do të largohej nga politika.







