
Vendimi u dha të premten, më 20 dhjetor, nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Bib Ndreca, të cilët rrëzuan akuzat e Prokurorisë së Posaçme ndaj nëpunësve Leda Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja.
Sipas SPAK, të akuzuarit ishin përfshirë në procedurën e prokurimit të zhvilluar më 11 janar 2019 për “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a.”, ku pretendohej se kishin favorizuar shoqërinë “W Center” sh.p.k., në pronësi të biznesmenit Bledar Shemaj. Prokuroria argumentoi se gjatë shqyrtimit të ankesave, komisioni kishte hequr një specifikim të rëndësishëm – kërkesën për figurimin e një punonjësi manovrator në listëpagesa – duke i dhënë avantazh kompanisë së Shemajt.
Gjithashtu, SPAK akuzoi Shemajn për dorëzimin e një kontrate pune me rrethana të rreme në lidhje me punësimin e një manovratori të mjeteve të rënda, duke pretenduar se kompania e tij nuk i plotësonte kriteret e tenderit.
Megjithatë, Gjykata vendosi të rrëzojë akuzat ndaj punonjësve të UKT dhe të pushojë akuzën për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” ndaj Bledar Shemaj. Ndërkohë, Shemaj u shpall fajtor për “falsifikimin e dokumenteve” dhe u dënua me 4 muaj burg, dënim që u pezullua, duke u vendosur në provë për një periudhë prej 8 muajsh.
Ky vendim vjen si një goditje për pretendimet e SPAK dhe si një shfajësim për të akuzuarit e lidhur me procedurat e prokurimit publik.







