
Zgjedhja e Donald Trump si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara padyshim që ka mbushur me shpresë presidentin rus Vladimir Putin. Trump ka shprehur prej kohësh admirimin e tij për Putinin dhe ai ka dhënë çdo indikacion se do të ndërpresë politikën e presidentit Joe Biden për të ofruar mbështetje të konsiderueshme materiale për Ukrainën (armë, inteligjencë dhe financim) në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus.
Për më tepër, zgjedhja e zv/presidentit nga ana e Trump, J.D. Vance, ndan pikëpamjen e tij, duke deklaruar se “populli amerikan nuk do të tolerojë një luftë tjetër të pafund, dhe as unë s’do ta toleroj diçka të tillë”. Me republikanët që marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit dhe ndjekin shkurtime drakoniane për çdo shpenzim që lidhet me prioritetet demokratike, mbështetja e SHBA-së për Ukrainën së shpejti do të tërhiqet.
Pavarësisht asaj që i themi vetes, ne evropianët nuk do të jemi në gjendje ta kompensojmë humbjen e ndihmës financiare dhe ushtarake amerikane për Ukrainën. Ne nuk kemi as vullnet e as kapacitet për ta bërë këtë. Dhe ndërsa shumë i kanë përshkruar zhvillimet e fundit në Siri si një humbje për Putinin, kjo nuk i bën ato një fitore për ukrainasit dhe Evropën.
Sigurisht, Putin ka humbur një aleat kyç me rënien e Bashar al-Assad dhe një partner tjetër i rëndësishëm, Irani, është dobësuar ndjeshëm muajt e fundit. Fitorja e forcave opozitare siriane nënkupton se Iranit do t’i hiqet ura e drejtpërdrejtë tokësore me Libanin dhe Mesdheun. Për më tepër, izraelitët kanë gërryer rëndë “boshtin e rezistencës” të Iranit, duke eliminuar liderët kryesorë të Hezbollahut dhe Hamasit dhe madje duke eliminuar mbrojtjen ajrore kryesore vendase të Iranit.
Në vazhdën e rënies së regjimit të Assad-it, Rusia po tërheq forcat e saj nga bazat e saj ajrore dhe detare në brigjet e Mesdheut të Sirisë, që do të thotë se po humbet kanalet thelbësore për furnizimin e forcave që ka vendosur në vende të ndryshme afrikane. Për një lider që ushqen ambicie për pushtet global, kjo shënon një pengesë të madhe.
Humbja strategjike e Putinit në Mesdheun lindor mund të zbutet vetëm pjesërisht nga një “marrëveshje” me Trump-in. Për shembull, administrata e ardhshme amerikane mund të ndjekë një marrëveshje të madhe në të cilën Rusia mbështet përpjekjet amerikano-izraelite për të mbyllur programin bërthamor të Iranit në këmbim të një fitoreje të pjesshme në Ukrainë.
Ose ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë një dritë jeshile për Izraelin që të nisë sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane. A mundet regjimi iranian t’i mbijetojë politikisht një sulmi të tillë, duke pasur parasysh dobësitë e tij të dukshme?
Ky skenar do të ishte katastrofik për ëndrrat e Putinit për ndikim global, sepse do të ndryshonte rrënjësisht rolin e Rusisë në Lindjen e Mesme dhe në skenën botërore. Përshkrimi shpërfillës i ish-presidentit amerikan Barack Obama për Rusinë si një “fuqi rajonale” dhe jo si një fuqi e madhe, do të konfirmohej. Rusia do të kishte ende një partner të fuqishëm në Kinë, por vlerësimi i vetë Kinës për rëndësinë e fqinjit të saj verior do të ulej ndjeshëm.
Por një mundësi tjetër është që Trump thjesht të dorëzohet para Putinit duke i detyruar ukrainasit të negociojnë një armëpushim dhe lëshime territoriale pa ndonjë garanci sigurie perëndimore efikase. Një rezultat i tillë grotesk do të ndryshonte më tej arkitekturën e sigurisë së Evropës. NATO-ja do të ekzistonte ende, por rëndësia e saj do të ishte shumë në dyshim për sa kohë që Trump të jetë në detyrë. Siguria evropiane tani e tutje do të varet nga siguria e Ukrainës. Prosperiteti dhe stabiliteti i saj në të ardhmen do të lidheshin me një armëpushim të brishtë që nuk do të bënte asgjë për të kundërshtuar kërcënimin e vazhdueshëm të luftës hibride ruse.
Me fjalë të tjera, nga këndvështrimi i Evropës, ideja e paqes e Trump dhe Vance nuk do të jetë asgjë e tillë. Evropa do të vazhdojë të përballet me rreziqe të thella për sigurinë dhe kohezionin e saj të brendshëm, vetëm se tani ajo do të përballet e vetme me to. Çfarë do të bëjë Putin me afatin e ofruar për pezullimin e armiqësive? Çfarë do të nënkuptonte për Evropën nëse situata në Siri përkeqësohet dhe prodhon një tjetër krizë refugjatësh të stilit të vitit 2015?
Të përballur me kaq shumë pasiguri, evropianët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të bëjnë investime të konsiderueshme në riarmatim dhe siguri, edhe nëse shpenzime të tilla bëhen më të vështira në kushtet e rritjes së dobët dhe një lufte të re tregtare.
Është e lehtë të bësh fushatë elektorale me mesazhin “Amerika e para” kur ke oqeane dhe mijëra milje distancë midis teje dhe zonave të konfliktit të Evropës Lindore dhe Lindjes së Mesme. Por evropianët nuk gëzojnë një luks të tillë dhe ne nuk kemi më asnjë justifikim për vetëkënaqësi.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Putin’s Setbacks Are Cold Comfort for Europe







