
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD parashtroi të premten më 10 janar konkluzionet e hetimit disiplinor të filluar ndaj prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho lidhur me veprimet dhe mosveprimet e tij duke sjellë zvarritje në një çështje penale, si dhe për moszbatimin e detyrave të lëna nga gjykata. Përfaqësuesit e ILD-së pretenduan se Llaho kishte bërë shkelje të rëndë disiplinore dhe kërkuan të caktohet masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë njëvjeçare.
Llaho i cilësoi të pabazuara konstatimet dhe kërkimet e ILD-së dhe procesin disiplinor të ngritur ndaj tij si fyes. Ndërkohë, disa anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i drejtuan pyetje të shumta përfaqësuesve të ILD-së dhe prokurorit Llaho, ndërkohë që të premten nuk pati një vendimarrje.
Kledian Llaho u konfirmua me shumicë votash më 22 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pasi shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij për balancën negative dhe gjetjet në kriterin e figurës dhe pasurisë, u gjetën bindëse nga shumica e trupës së KPK.
Vendimi i KPK u ankimua pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin me argumentin se ai nuk arrin nivel të besueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Çështja e tij nuk është shqyrtuar ende në KPA.
Gjatë seancës dëgjimore të premten, përfaqësuesit e ILD parashtruan se hetimi disiplinor ka filluar bazuar në ankesën e një qytetareje për zvarritje të një procedimi të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2018, e cila kishte depozituar kallëzimin penal për këtë çështje.
ILD ka konkluduar se prokurori Llaho, përveç zvarritjeve të pajustifikuara të akteve procedurale, nuk ka zbatuar as vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes duke i kërkuar kryerjen e veprimeve të reja hetimore konkrete.
Edhe pse ILD konstatoi se ky është një rast i izoluar, nënvizoi se qëndrimi i Llahos gjatë hetimit evidenton faktin se ai me dashje nuk i është bindur vendimit gjyqësor që është detyrues për të. Sipas ILD-së, mosveprimet e prokurorit për një periudhë mbi 2-vjeçare janë kryer me dashje direkte, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, e duke e çuar ndjekjen penale në parashkrimin e saj.
ILD vlerëson se si pasojë e shkeljes është cënuar prestigji i figurës së prokurorit, si dhe është cënuar besimi i publikut të drejtësia. Në përfundim, ILD vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e prokurorit Kledian Llaho përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore” dhe i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ndaj tij të merret masa disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës” në masën 40 % për një afat një vjeçar.
Prokurori Kledian Llaho solli në vëmendje të Këshillit se nuk kishte marrë asnjëherë vërejtje më parë dhe se kishte marrë gjithmonë vlerësime maksimale. Ai e cilësoi fyes procesin e nisur nga ILD dhe shpjegoi se bëhej fjalë për një ankesë të kryer nga një shtetase që kishte depozituar pesë kallëzime penale në Prokurorinë e Vlorës, për mosrespektimin e distancës nga ana e një subjekti që po kryente ndërtime pranë shtëpisë së saj.
Llaho deklaroi se i kishte kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore, por se një gjë e tillë nuk ishte kuptuar nga kush kishte verifikuar çështjen. Sipas Llahos, duket se ILD nuk e ka kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Ai deklaroi se kallëzuesja e kishte kryer kallëzimin penal pasi kishte humbur çështjen civile në Gjykatën e Apelit duke tentuar të përdorë Prokurorinë.
Prokurori Llaho shpjegoi në seancë se kiste marrë akte nga dosje të tjera që u jepnin përgjigje detyrave të lëna nga gjykata. Ai e cilësoi marjen e akteve nga dosjet e tjera si veprime hetimore dhe theksoi se kundërshtonte kategorikisht konstatimin e ILD-së për refuzim të zbatimit të vendimit të gjykatave.
“Hetimi është i pabazuar në ligj dhe në prova dhe kërkoj që të rrëzohet unanimisht nga këshilli”, kërkoi Llaho.
Sipas prokurorit, në periudhën kur ILD konstaton moskryerje të veprime ka qenë dhe situata e pandemisë COVID-19.
Në vijim, anëtarët e KLP u drejtuan pyetje palëve në këtë proces, ndërkohë që seanca u shty për më datë 16 janar, në orën 10:00.







