
Qeveria shqiptare emetoi për herë të parë të martën një obligacion me afat 20-vjeçar, një ankand në të cilin pati interes anomalisht të lartë dhe që u mbyll me yield të pagueshëm prej “vetëm” 6.78%, një situatë që sipas një eksperti të pyetur nga BIRN tregon praninë e likuiditetit shumë të lartë të sektorit bankar. Në total, qeveria kërkoi hua me vlerë 1.5 miliardë lekë me afat 20-vjeçar. Bankat ofruan për këtë ankand gati 4.3 miliardë lekë, nga të cilat qeveria pranoi të marrë hua 1.72 miliardë lekë përkundrejt yield-it vjetor prej 6.78%.
Ky konsiderohet si ankand test për shkak se kjo është hera e parë që qeveria ofron një obligacion 20-vjeçar, gjë që do të thotë se pjesëmarrësit në ankand do të duhet të marrin parasysh pasiguritë që mund të shfaqen në njëzet vitet e ardhshme.
Përkundër pjesëmarrjes së lartë të institucioneve financiare, pjesëmarrja e individëve duket se nuk ka qenë kaq shumë e lartë pasi pro-rata e caktuar për ta ishte rreth 94%.
Interesi prej 6.78% duket se është pjesë e një tendence të përgjithshme rënëse në interesat e titujve të borxhit, një rënie që i dedikohet likujditetit të lartë të sistemit bankar.
Interesi i obligacioneve 10-vjeçare në ankandin e fundit të mbajtur më 21 janar ishte 5.25%, 88 pikë përqindjeje më poshtë se sa ankandi 10-vjeçar paraardhës i zhvilluar më 23 korrik 2024.
Nga ana tjetër, interesi i bonove të thesarit 12-mujore, të cilat reflektojnë pritshmëritë afatshkurtra të tregut të parave, ranë në ankandin e fundit në 2.74%, një nga kuotat më të ulëta të regjistruara për këtë instrument që nga korriku i vitit 2022.
Rënia e interesave të bonove të thesarit është një lajm i mirë jo vetëm për buxhetin e shtetit, i cili pritet të kursejë për shkak se një pjesë thelbësore e borxhit publik janë në instrumente të tilla afatshkurtra, por edhe për kredimarrësit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kanë kredi në lekë me interesa që varen nga bonot 12-mujore. Kredimarrësit kanë vuajtur rritjen e konsiderueshme të interesave gjatë dy viteve të fundit kur interesi i bonove njëvjeçare shënoi kulmin në gati 6%.
Këto dy vite të interesave të larta kanë qenë gjithashtu vite fitimesh të jashtëzakonshme për sistemin bankar, i cili, në rastin e Shqipërisë, i përdor paratë e aksionerëve dhe të depozitave në më shumë se një të tretën për investime në titujt e borxhit publik.







