
Sipas një raporti të miratuar me konsensus nga anëtarët e opozitës dhe mazhorancës, Këshilli Drejtues i RTSH-së ka bërë shkelje ligjore në mënyrë të vazhdueshme.
Kryetarja Ina Zhupa nga Partia Demokratike, tha se shkeljet në zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm ishin “derdhja e kupës” për këtë institucion.
Duke iu referuar një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zhupa tha se janë hasur abuzime me fondet e opoeratorit publik. “Të jeni të bindur që të gjitha janë me shuma konkrete për shkelje që nga Këshilli Drejtues, orkestra simfonike, te pagat, e me radhë të cilat janë shkelje që i kanë kushtuar edhe para buxhetit të shtetit,” iu referua ajo raportit të hartuar nga komisioni.
Zhupa bëri të ditur se procedura e shkarkimit të 9 anëtarëve në detyrë të këtij institucioni do të marrë parasysh dhe të drejtën e tyre për t’u dëgjuar para komisionit.
Edhe nënkryetarja socialiste, Evis Kushi e cilësoi procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri “pika e fundit që derdhi gotën” e një sjelle anti-ligjore të këtij institucioni. “Nuk ka asnjë diskutim që këshilli drejtues në mënyrë të përsëritur ka shkelur ligjin dhe statutin, gjithë kuadrin ligjor në mënyrë të përsëritur”- tha ajo.
Sa i takon rastit të fundit, Kushi argumentoi se, “janë skualifikuar kandidatë që plotësonin kriteret, nuk është respektuar vota e fshehtë dhe është dokumentuar që shumë prej anëtarëve të këtij këshilli janë në konflikt interesi”.
Kuvendi nisi presionin ndaj institucionit drejtues të operatorit të vetëm publik në vend pasi Këshilli Drejtues me shumicë votash skualifikoi nga gara për drejtor të përgjithshëm të RTSH-së 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësonin kriteret për kualifikim. Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.
Nga gara u skualifikuan kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
I vetmi që doli kundër kësaj vendimmarrje ishte kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo.
Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri nisi 6 muaj pasi dha dorëheqjen drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza, zgjedhja e të cilit gjithashtu u kontestua për shkak të karrierës së tij të gjatë politike pranë Partisë Socialiste.
Peza u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën.
Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti me një formulë ku dy partitë kryesore përzgjedhin kandidatët e tyre të preferuar.







