
Policia e Fierit njoftoi të enjten më 20 shkurt shpalljen në kërkim të 55-vjeçarit Arben Isufajt për kanosjen e gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake. Arben Isufaj, një prej të fortëve të qytetit të Fierit njihet ndryshe dhe me nofkën Ben Qimja. Ai ka një të kaluar kriminale në shtetin italian dhe është dënuar nga Gjykata e Torinos për trafik lëndësh narkotike. Isufaj u arrestua për t’u ekstraduar në Itali në mars 2014, por kërkesa e autoriteteve italiane u hodh poshtë nga Gjykata e Rrethit Gjyqëosr Fier. Në maj të vitit 2023, Gjykata e Posaçme konfiskoi disa prej pasurive të Isufajt në Fier.
Sipas policisë, 55-vjeçari Isufaj u shpall në kërkim një ditë më parë për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, gjykata respektive nxori vendim të mërkurën për ushtrimin e kontrolleve në banesa, ambiente dhe automjet në pronësi të Isufajt, banues në lagjen “Sheq i Madh” në Fier. Hetimi filloi bazuar në kallëzimin e kryer nga gjyqtari Vladimir Cjapi i cili ka referuar kanosjen e bërë nga Arben Isufaj më datë 12 shkurt. Sipas kallëzimit, Arben Isufaj ka ndaluar automjetin para zyrës së një noteri dhe i ka thënë atij që ti përcjellë gjyqtarit Cjapi mesazhet e tij, se do t’i merrte jetën dhe të linte amanetet. Konflikti mësohet të ketë të bëjë me një çështje që gjykohet nga gjyqtari Cjapi.
Nga kontrollet e ushtruara prej policisë janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifuksional si i policisë, dy pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumente zyrtarë. Po ashtu, janë shoqëruar në ambjentet e policisë disa persona që kanë lidhje me Isufajn.
“Policia e Fierit informon se po kryhen kontrolle intensive për kapjen e 55-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të tij, për këtë rast që ka cenuar për shkak të detyrës, një anëtar të Gjykatës së Fierit”, citohet në njoftimin e policisë.
Gjyqtari Vladimir Cjapi i tha BIRN se është në kushte që nuk mund të pronocohet. Gjyqtari për mediat, Alfred Konomi pohoi për BIRN gjatë një bisede telefonike se sapo Gjykata e Fierit do të ketë një qëndrim apo reagim, do ta njoftojë.
Ndërkohë, koordinatorja për të drejtën e informimit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, Blerta Ngucaj, i tha BIRN pasditen e të enjtes se lidhur me këtë ngjarje është mbledhur Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e Magjistratëve dhe gjyqtari në fjalë është vendosur në mbrojtje. BIRN mësoi nga burime të tjera se i është dhënë mbrojtje edhe noterit, të cilit Arben Isufaj i ka kërkuar që ti transmetojë mesazhin e tij kërcënues gjyqtarit Vladimir Cjapi.







