
Nuk është aspak një ndodhi e rrallë të marrësh një libër për politikën bashkëkohore e të hasësh në të faqe që kritikojnë individualizmin me pështirëninë dhe urrejtjen më të madhe ndaj tij. Do lexosh shpesh se njeriu nuk është një ishull, se njeriu lind dhe mund të lulëzojë vetëm brenda një shoqërie, i lidhur brenda një komuniteti. Dhe, deri diku, ata nuk janë gabim, sepse sjellin kritika të njëmendta ndaj individualizmit.
Por ajo që këta libra dhe këta shkrimtarë harrojnë është se individualizmi nuk është aspak një lëvizje e njëtrajtshme: ai merr trajta të ndryshme në rrethana të ndryshme. Për ta gjykuar individualizmin saktësisht duhet përcaktuar fillimisht trajta e individualizmit dhe rrethanat e përgjithshme shoqërore që e pjellin atë. Këto tema mund të duken si abstraksione dhe ndarje konceptesh të panevojshme, por mendimi im është se pikërisht ky është thelbi i filmit ‘Porco Rosso’ i regjisorit Mijazaki: një shqyrtim vizual i individualizmit dhe një mbrojtje e çuditshme e tij, të cilën do mundohem ta sqaroj në këto shënime të shkurtra.
Porco Rosso do e quaja një film krejtësisht të veçantë në tërësinë e veprës së Mijazakit: nuk hasim temat e shpeshta në filmat e tij si, për shembull, marrëdhënia midis natyrës dhe teknologjisë (Nausicaä of the Valley of the Wind, Laputa: Castle in the Sky, Princess Mononoke, apo The Wind Rises), por nuk është as një kritikë e shoqërisë bashkëkohore (Spirited Away ose Howl’s Moving Castle). Filmi kërkon të thotë se individualizmi nuk është i keq në thelb, në vetvete, dhe, për më tepër në rrethana të caktuara diktatoriale është në fakt zgjidhja më etike. Sepse, në një kohë kur je tërësisht i rrethuar nga një diktaturë mbytëse fashiste është më mirë të jesh një derr i vetmuar që nuk kërkon asgjë përveç paqen vetjake, dhe dëfrimin e vetvetes. Kjo është shumë më mirë se sa të përfshihesh në luftëra të kota të cilat do të sjellin si vdekjen tënde ashtu edhe të tjerëve.
Në këtë gjendje ndodhet edhe karakteri kryesor i filmit Porco Rosso: ai është një derr që e ka braktisur tërësisht shoqërinë. Ai e braktis ushtrinë italiane fashiste ku ai ishte i detyruar të shërbente dhe vendos të jetojë tërësisht i vetmuar nga të tjerët në një breg të braktisur të Mesdheut. Në Italinë fashiste ai është i përndjekur dhe quhet tradhtar, por atë nuk e bezdis aspak kjo gjë: atij i mjaftojnë kënaqësitë vetjake, një pije buzë detit magjepsës, avioni i tij i dashur, një fluturim qetësues mes qiejve. Por edhe kur ndihmon të tjerët, ai nuk e bën këtë për shkak të ndonjë detyre shoqërore: në një pjesë të filmit Derri shpëton një grup fëmijësh, thjesht për kënaqësinë e kësaj gjëje. Filmi këtu cek një paradoks të çuditshëm që, ndonjëherë, njeriu që kërkon asgjë përveç kënaqësisë vetjake shpesh përfundon më bujar se sa përbindëshat e mekanizmave politike.
Gjatë një pjese të filmit, kur Derri shkon në një shitore, blerësi e pyet:
“A do të blesh bomba patriotike?”.
Por Derri në mënyrën e tij krejt të pavarur dhe të pandikuar nga shoqëria përreth ia kthen:
“Jo, unë jam derr, do jua le këto gjëra njerëzve”. Gjetur mes një lufte që ai e shikon të pakuptimtë, është më mirë të zhdukesh krejtësisht se sa të përfshihesh në të. Prandaj, dhe ai është kthyer në një derr dhe nuk është më një njeri i bashkuar brenda një komuniteti.
Dikush mund të thotë: por përse Derri e ka pranuar humbjen? A nuk do ishte më mirë që ai të kthehej në Itali e të niste një kryengritje? Ose të vdiste si një dëshmor, të bënte therori? Por çështja është se kryengritja do kohën e saj, do rrethana të caktuara që të çelë: ka shumë kryengritje që përfundojnë në një lëvizje të kotë, në një lëvizje pa mbështetje, në një vetëvrasje. Prandaj, kthimi i tij në Italinë fashiste do ishte një vetëvrasje: do e kapnin, do e burgosnin dhe jeta e tij do përfundonte në një imtësi historike. Kështu që, derri shikon vetëm dy zgjedhje: ose të bashkohet me turmën e fashizmit ose të zhduket diku në vetmi. Brenda këtij botëkuptimi duhet kuptuar edhe shprehja e bukur e Derrit: “më mirë të jesh një derr se sa një fashist”.
Në një kohë kur gjithë shoqëria është duke shijuar luftërat e saj të kota, luftërat e një grykësie fashiste për pushtet, derri, me individualizmin e tij, di t’i shijojë gjërat ashtu siç janë në vetvete, pa pasur nevojë të udhëzohet nga detyrimet shoqërore apo politike: kështu duhet të kuptohet edhe dëshira e derrit për të udhëtuar në Milano. Ndërkohë që gjithë të tjerët janë zhytur mes kënaqësive të luftërave të mëdha mes shteteve, derri kënaqet me gjërat e thjeshta, si pamja e detit duke fluturuar me avion.
Ky lloj individualizmi, individualizmi i derrit, përshkruhet nga një moskokëçarje e plotë e tërë lojës shoqërore dhe politike. Kur e pyesin për ndjekjen e ligjit, Derri i kthehet se derrat nuk duan t’ia dinë për ligjin. Në një skenë tjetër, një pirat e fton Derrin të luftojë me të, të mbrojë nderin e tij, por Derri nuk do t’ia dijë për këto gjëra. Ai nuk bën gjëra për t’u dukur, për të bërë emër. Pirati e kërcënon që do t’i thotë të tjerëve që është një frikacak, dhe Derri ia kthen: ç’rëndësi ka, si dele, si derr, e njëjta gjë është. Kur e pyesin se përse dhe për kë fluturon, Derri i gjegjet se fluturon vetëm për vetveten.
Një veçanti tjetër e individualizmit të Derrit është shpërfillja e mendësisë utilitare, e llogaritjeve të lodhshme të dobisë, në kohë lufte kur çdo gjë dhe çdokush kthehet në mjet dhe llogaritje. Derri, ndryshme nga shoqëria dhe atmosfera e përgjithshme ku ai jeton, nuk është i ndikuar nga dëshira për përfitim: kur inxhinieri nga Milano i thotë që do kushtonte më pak të blinte një avion të ri, ai ngulmon se do të rregullojë vetëm të vjetrin.
Por individualizmi i Derrit dallohet dhe vihet në një ballafaqim me një individualizëm tjetër: me individualizmin e karrieristit amerikan, Kurtis, i cili ka etje që, pas fluturimeve me avion, të bëhet aktor i famshëm dhe, më pas, edhe president. Ai është shtatlartë, i pashëm dhe bën çdo gjë për nder, për emrin dhe krenarinë e tij. Kam përshtypjen se, kur shumë intelektualë kritikojnë individualizmin, kanë parasysh këtë lloj individualizmi. Individualizmi i Kurtis është individualizmi i krenarisë dhe etjes të tepruar: ai është individualist, jo sepse do të shijojë qetësinë, kënaqësitë e thjeshta të jetës, por sepse ai do të jetë mbi të tjerët, do me çdo kusht të jetë i pari. Prandaj dhe në një skenë, kur janë duke fluturuar me avion, Kurtis do medoemos të fluturojë mbi gjithë avionët e tjerë, sa më afër Diellit. Individualizmi i Derrit është pësor: ai është individualist ngaqë i ka humbur shpresat tek një shoqëri diktatoriale ku ai është i përndjekur. Por individualizmi i Kurtis është një individualizëm veprues: ai mundohet ta shfrytëzojë realitetin politik diktatorial për të përmbushur pangopësinë e tij.
Qëllimi i këtyre shënimeve nuk është aspak të mbroj individualizmin e Derrit, pasi ai është një individualizëm që rrjedh si pasojë e një rrethane të caktuar politike dhe shoqërore. Individualizmi i Derrit nuk është një qëllim në vetvete, por veç një pasojë, një zgjidhje e përkohshme, kur njeriu ndodhet i burgosur brenda një realiteti shtypës politik. Prandaj dhe ne e shikojmë që Derri, në fund, shndërrohet sërish në një njeri, kur ai bie në dashuri dhe puthet nga inxhinierja e re dhe e talentuar milaneze. Futja sërish në shoqëri përmes dashurisë e kthen atë sërish në njeri. Por individualizmi i Kurtis dhe krenarisë së tij, nuk ndryshon aspak si në shoqëri apo jashtë saj, si brenda fashizmit apo jashtë fashizmit: ai vazhdon të ndjekë karrierën e tij më pas në Amerikë, si aktor i famshëm.
Individualizmi tërësisht vetjak dhe pësor, individualizmi i Derrit, ka vlerat e saj në një diktaturë, ku çdo gjë kthehet në detyrë shoqërore. Ndonjëherë kritika më e madhe ndaj një regjimi diktatorial është të mos bësh asgjë: thjesht të heshtësh. Këtë gjë ne e pamë edhe vetë gjatë regjimit komunist, kur heshtja e Lasgush Poradecit shpesh fliste dhe flet edhe më shumë se sa vargjet e shumë poetëve shkruar partisë dhe shokut Enver.







