
Zyra e noterit Fran Gjoni, vëlla i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni tani kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë u sulmua me eksploziv mëngjesin e të mërkurës. Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit, në qendër të qytetit pranë sheshit “Gjergj Kastrioti”, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar dhe policia njoftoi se kishte regjistruar vetëm dëme të vogla materiale.
Policia e Lezhës njoftoi se nga hetimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, bëhet me dije se autorë kanë qenë dy persona. Sipas policisë ata kanë ardhur me një automjet pranë zyrës dhe njëri prej tyre nga xhami i parë i pasagjerit ka hedhur lëndën plasëse dhe më pas janë larguar.
Një zyrtar i policisë në Lezhë i tha BIRN se noteri Fran Gjoni ka mohuar pasjen e konflikteve gjatë dëshmisë së tij. “Grupi hetimor po mbledh çdo provë dhe dëshmi dhe pista me qëllim zbardhjen e ngjarjes”, njoftoi policia. Fran Gjoni operon prej më shumë se një dekade në qytetin e Lezhës si noter.
Ai është vëllai i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili u largua me dorëheqje nga sistemi i i drejtësisë në prag të procesit të vetingut ndaj tij. Një vit më parë ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë, por pak javë më parë u dorëhoq nga pozicioni për tu bërë pjesë e garës brenda kësaj force politike me synimin për të qenë një prej kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 majit.







