
Një sasi mandarinash që u eksportuan nga Berati drejt Kroacisë dhe u kthyen pas, pasi u gjetën me përmbajtje të lartë pesticidesh, u hodh në tregun vendas dhe u shitën pavarësisht problemeve.
Hetimet e policisë së Beratit në këtë çështje gjetën se 10 ton fruta, që ishin pajisur me një certifikatë fito-sanitare fiktive, në vend që të asgjësoheshin u shitën në Shqipëri. Policia njoftoi të mërkurën se arrestoi tre persona të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari.
Një fermer 46 vjeç i identifikuar si E.T, një grumbullues i identifikuar si A.D . dhe E. T., 30 vjeç, me detyrë inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, u arrestuan nën akuzat e penale “Shkeljes së rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet për çështjen u kryen nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit dhe sipas policisë zgjatën 2 muaj dhe policia thotë se po hetohet edhe për raste të ngjashme.
“Dyshohet se shtetasi me inicialet E. T., 30 vjeç, me detyrë inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, ka lëshuar certifikatë fito-sanitare fiktive, për subjektin në fjalë , si dhe për subjekte të tjera”, sqaroi DVP Berat, në njoftimin për shtyp të shpërndarë për mediat.







