
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 28 shkurt sekuestrimin e një tjetër pasurie të familjes së vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, të cilët akuzohen si krerët e njërës prej organizatave kriminale më të përfolura në vend, të përfshirë në vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe skema komplekse të pastrimit të parave.
Pas sekuestrimit rreth një muaj më parë të dhjetëra pasurive të paluajtshme dhe kriptovalutave me vlerë 10 milionë euro, si dhe të një kompleksi bujtinash me aktivitet në fushën e agroturizmit një javë më parë, SPAK njofton se ka zbuluar dhe sekuestruar një vilë në qytetin e Elbasanit, në pronësi të familjes Çopja që dyshohet të jetë krijuar me të ardhura jo të ligjshme.
Në njoftim sqarohet se objekti në lagjen 5 Maji në Elbasan që është sekuestruar ishte një vilë private, me dy kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.
Në gusht të vitit të kaluar, SPAK në bashkëpunim me Europol dhe policitë partnere goditën organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja, e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë dhe të akuzuar për 6 vrasje, disa atentate, trafik narkotikësh, korruptim të zyrtarëve të drejtësisë dhe grabitjen e bujshme me armë të parave në aeroportin e Rinasit.







