
Mbi 300 minatorë të minierës kryesore të Bulqizës kanë bojkotuar prej tre ditësh punën dhe kanë deklaruar grevë duke kërkuar kushte më të mira pune dhe zbatimin e kontratës që kanë me kompaninë që kontrollon galerinë.
Arben Çupi 45 vjeç, thotë se arsyeja që ai dhe kolegët kanë bojkotuar punën, është bërë moszbatimi i kontratës së punës prej kompanisë. “Kontrata duhej zbatuar që më 1 janar të këtij viti. Sipas kontratës pagat duheshin rritur me 30 për qind”, tha Çupi.
Ai thotë se u ishte premtuar që e shtuna të njihej si ditë pushimi, por kjo nuk është njohur dhe ata thonë se punojnë 26 ditë në muaj. “Ditët e shtuna, nuk na i njohin ditë pushimi, kështu muaji për ne është 26 ditë pune”, tha ai.
Albchrome, e cila prej disa vitesh kontrollohet nga kompania turke YILDIRM HOLDING, ka rreth 600 punonjës dhe rreth 350 prej tyre janë minatorë. Shumica dërrmuese e punonjësve të kompanisë janë futur në grevë dhe në punë është vetëm stafi që mban funksionale galerinë.
Minatorët i thanë BIRN se ndërsa në kontrata parashikohen 22 ditë punë në muaj atyre u kërkohet të punojnë të shtunave dhe kjo nuk u paguhet si punë në ditë pushimi. Engjëllush Fiku, 40 vjeç, thotë se ndryshe nga sa parashikohet në kontratë ditët e shtuna dhe të diela, nuk u paguhen me rritje page siç parashikohet dhe as u është dhënë një ditë pushimi për të zëvendësuar pushimin e munguar.
Minatorët thonë se kërkesat e tyre ja kanë parashtruar kompanisë për zgjidhje, por kompania nuk ka bërë deri tani asnjë përpjekje për zgjidhjen e tyre.
Ndërkohë minatorët thonë se ndjehen të zhgënjyer edhe nga drejtuesit e sindikatave, që i kanë braktisur ata.
Kjo është e disata herë që minatorët e Bulqizës protestojnë apo përfshinë në grevë. Një e ngjashme u zhvillua në vitin 2020 kur kompania ende kontrollohej nga grupi Balfin. Atëherë disa minatorë akuzuan kompaninë se i pushoi nga puna për shkak të angazhimit sindikal.
Minatorët i thanë BIRN se për shkak të kësaj përvoje greva e radhës nuk ka një grup drejtues dhe nuk ka një përfaqësi, pasi ata i tremben hakmarrjes pas përfundimit të grevës.
Përfaqësues të Albchrome nuk qenë të arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.







