
Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të mbyllur USAID-in – duke ndaluar 42% të sistemit global të ndihmës humanitare dhe duke rrezikuar miliona jetë – ka rindezur debatin mbi efikasitetin e ndihmës së huaj. Me shumë vende në zhvillim të bllokuara në një cikël në dukje të pashmangshëm varësie nga ndihma, është gjithnjë e më e qartë se modeli dominues nuk i përshtatet realiteteve të sotme ekonomike dhe gjeopolitike. Por shumë nga alternativat që po mendohen në Epokën e Trump-it nuk ofrojnë asnjë zgjidhje reale.
Financimi i huaj ka qenë prej kohësh një shtytës kryesor i zhvillimit global, duke formësuar trajektoret ekonomike në mënyra që shpesh neglizhohen. Vetë Shtetet e Bashkuara u mbështetën në financimin e huaj gjatë Luftës së saj për Pavarësi dhe bumi industrial i Kinës u nxit pjesërisht nga huatë e buta japoneze. Japonia, gjithashtu, kërkoi financim nga Banka Botërore për të ndërtuar termocentralet që nxitën rritjen e saj të shpejtë. Edhe Mbretëria e Bashkuar iu drejtua Fondit Monetar Ndërkombëtar 11 herë midis viteve 1956 dhe 1977 – më shpesh se ekonomitë afrikane më të varura nga ndihma të ditëve të sotme. Dhe në fund të viteve 1940, Spanja iu drejtua ndihmave argjentinase pasi u përjashtua nga Plani Marshall. Edhe platforma e pagesave celulare M-Pesa, prej kohësh një simbol i vetëbesimit afrikan në inovacion, nisi me mbështetjen në një grant ndihme.
Deri në fund të viteve 1970, pjesa më e madhe e kredive të FMN-së shkonte për ato që tani konsiderohen ekonomi të përparuara, me gati 72% të huadhënies së FMN-së drejtuar këtyre vendeve vetëm në vitet 1960. Por me kalimin e kohës, ekonomitë më dinamike dhe më sipërmarrëse arritën të çliroheshin nga varësia nga ndihma dhe ndihma për zhvillim u pakësua, duke u bërë përfundimisht një pjesë e papërfillshme e flukseve financiare globale.
Sot, investimet e huaja direkte që kalojnë vetëm përmes Vendeve të Ulëta çdo vit janë afërsisht 15 herë më shumë se buxheti i ndihmës globale. Me disa përjashtime, si Tigrat Aziatikë në fund të viteve 1990 ose Greqia dhe Portugalia në vitet 2010, dekadat e fundit kanë treguar se varësia nga ndihma nuk është e pashmangshme.
Por përshpejtimi i zhvillimit ekonomik kërkon një përpjekje të qëndrueshme globale. Fatkeqësisht, angazhimi i vendeve të pasura ndaj paradigmës tradicionale të ndihmës – siç përvijohet në Axhendën Addis Abeba dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian – ka qenë gjithmonë i dobët në rastin më të mirë. Kjo është e dukshme në dështimin e tyre për të përmbushur zotimin e tyre të vitit 1970 për të ndarë 0.7% të të ardhurave të tyre bruto kombëtare për ndihmën për zhvillim. Brenda vetëm tre viteve nga vendosja e këtij objektivi, kontributi mesatar i vendeve të OECD-së kishte rënë tashmë në 0.27% të të ardhurave kombëtare bruto. Në vitin 2023 ishte 0.37%.
Ndërkohë, ndërsa fuqitë ekonomike në zhvillim si Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe marrin një rol më të madh në formësimin e rregullave të sistemit ndërkombëtar, një qasje më transaksionale ndaj ndihmës – duke e lidhur qartë ndihmën e zhvillimit me interesat e biznesit dhe objektivat gjeopolitike – po fiton tërheqje.
Kjo sinjalizon një kthim nga paradigma e sotme e ndihmës në epokën kur ndihma drejtohej kryesisht nga interesi i qartë vetjak. Në mbledhje si Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut, politikëbërësit bëjnë thirrje për një epokë të re multipolare, në të cilën vendet në zhvillim në Afrikë dhe gjetkë do të jenë në gjendje të afirmojnë sovranitetin e tyre, të angazhohen me “partnerët e zhvillimit” sipas kushteve të tyre antikoloniale dhe të mos shërbejnë më si “varreza” për projekte ndihme perëndimore.
Politikëbërësit perëndimorë duken të pavëmendshëm ndaj këtyre zhvillimeve. Ndërsa vajtojnë pasojat humanitare nga mbyllja e USAID-it, siç është përshkallëzimi i urisë në Sudan, Rusia dhe fuqitë e tjera janë të impenjuar në realizimin e marrëveshjeve strategjike. Për shembull, edhe pse 60% e buxhetit të Ugandës për HIV-in është në fije të perit, qeveria e saj po krijon partneritete të reja në energji dhe infrastrukturë me Emiratet e Bashkuara Arabe. Por pak presin që fuqitë ekonomike në rritje si Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të marrin role tradicionalisht perëndimore, si shpërndarja e antiretroviralëve dhe pecetave menstruale apo mbrojtja e lirisë së shtypit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Edhe pse herë pas here mund të bëjnë gjeste të tilla, ata nuk kanë ndërmend të rimodelojnë institucionet e vendeve përfituese apo të miratojnë reforma sistematike.
Modeli i bashkëpunimit zhvillimor i Shën Petersburgut është më i ngushtë, më qartë transaksional dhe shumë më pak intruziv në nivel institucional se sa homologu i tij perëndimor. Nuk bën premtime të mëdha. Në vend të kësaj, ai operon si një lloj diplomacie portmanteau – një përzierje dhuratash strategjike, investimesh dhe blerjesh tokash, e pa ngarkuar nga ambiciet e mëdha ose rreziku i humbjes së besueshmërisë kur premtime të tilla dështojnë.
Mendësia transaksionale e Trump përputhet në mënyrë të përsosur me këtë ndryshim paradigme. Por ndërsa përkrahësit e modelit portmanteau e paraqesin atë si një qasje pragmatike ndaj zhvillimit, pretendimi i tyre se ai krijon një rrugë më të shpejtë shpëtimi nga varësia nga ndihma kalon në utopizëm. Ndihma e këtij lloji e Kinës ka bërë pak për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të Zimbabvesë; madje, ajo ka thelluar mbështetjen e vendit te ndihma.
Sigurisht, paradigma perëndimore ka dështuar të përmbushë premtimet e saj. Por zëvendësimet e saj të mundshme ofrojnë pak arsye për optimizëm. Në mungesë të industrisë së gjerë të konsulencës zhvillimore që është rritur rreth modelit perëndimor, fuqitë në zhvillim mbeten pak të gatshme për t’u përfshirë në mbikëqyrjen institucionale të nevojshme për të krijuar alternativa të lokalizuara. Nuk ka diskutime të zgjatura apo ankesa të pafundme, siç ndodh shpesh me ndihmën perëndimore. Kur situata bëhet e vështirë, vende si Kina thjesht largohen.
Në vendin tim, në Ganë, modeli i ndihmës transaksionale ka sjellë braktisje të digave të ndërtuara nga kinezët dhe në dështim të rafinerive të arit dhe sheqerit të mbështetur nga India. Ndërsa aktivistë si unë e kanë kritikuar prej kohësh modelin evropian të ndihmës si të kooptuar nga një grupazh i brendshëm lokal dhe perëndimor, vala e re e projekteve të financuara nga fuqitë në zhvillim ka qenë edhe më e dëmshme.
Por pavarësisht modelit të ndihmës, sfida themelore me të cilën përballen vendet me të ardhura të ulëta mbetet e pandryshuar: ndryshe nga vendet aziatike dhe evropiane që kaluan me sukses përtej varësisë nga ndihma, vende si Gana vazhdojnë të përballen me një elitë politike që duket e paaftë për një lidership politik efektiv. Rrjedhimisht, aktorë të tjerë vendas, si organizatat e shoqërisë civile në Ganë dhe Kenia, duhet të ngrihen në këmbë dhe të monitorojnë shpenzimet e zhvillimit për të garantuar një koordinim, prioritet dhe efikasitet më të mirë.
Aktivistët që festojnë shfaqjen e mundshme të një sistemi ndihme post-imperial, të drejtuar nga agjenci dhe multipolar do të bënin mirë të mos harronin se përparimi ekonomik do të mbetet i paarritshëm për sa kohë do të vazhdojë të mungojë fuqia qytetare. Derisa të përballemi me këtë sfidë themelore, asnjë paradigmë ndihme nuk do të jetë në gjendje t’i vendosë vendet në zhvillim në rrugën e pavarësisë ekonomike.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trump’s War on Foreign Aid and the Rise of Transactional Diplomacy







