
Vendosja kaotike e tarifave për importet nga administrata e presidentit Donald Trump – duke synuar si aleatët ashtu edhe kundërshtarët – sfidon çdo shpejtim të lehtë. Siç argumentova në një koment të mëparshëm, Shtetet e Bashkuara tani po ndjekin objektiva të shumëfishta, shpesh kontradiktore. Duke pasur parasysh tendencat strukturore që nxisin deindustrializimin në ekonomitë e përparuara, perspektiva e ripërtëritjes së prodhimit duket e largët. Në vend të kësaj, qëllimi më i besueshëm është fiskal. Administrata aktuale e SHBA-së pretendon se tarifat mund të gjenerojnë të ardhura në mënyrë që vendet e huaja të subvencionojnë efektivisht uljet e taksave për banorët amerikanë.
Shumë amerikanë ndoshta e shohin këtë arsye bindëse. Në fund të fundit, ç’të keqe ka të vihen në plan të parë interesat kombëtare?
Në fakt, ka shumë probleme me këtë qasje. Si fillim, mendimi i administratës shpërfill gjasat, në fakt sigurinë virtuale, të hakmarrjes. Sapo partnerët tregtarë të përgjigjen në mënyrë të ngjashme (gjë që zakonisht ndodh menjëherë), përfitimet nga rritja e njëanshme e tarifave do të zvogëlohen.
E vërtetë, administrata Trump ka besim se leva ekonomike e vendit është e mjaftueshme për të ruajtur avantazhet e saj pavarësisht kundërmasave. Megjithatë, një pasojë e jashtëzakonshme e vendimeve të fundit politike është se të gjithë partnerët kryesorë tregtarë të Amerikës janë bashkuar kundër saj. Të negociosh me një ekonomi të vogël si Kolumbia është një gjë, por është shumë ndryshe të përballesh me masa hakmarrëse nga Kina, Bashkimi Evropian dhe partnerët e Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) në të njëjtën kohë.
Këto dinamika nënvizojnë vetë problemin që marrëveshjet tregtare shumëpalëshe – fillimisht nën Marrëveshjen e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë dhe më vonë nën pasardhësin e GATT-it, Organizatën Botërore të Tregtisë – ishin projektuar të trajtonin. Siç treguan ekonomistët Kyle Bagwell dhe Robert W. Staiger në një punim të rëndësishëm të vitit 1999, “An Economic Theory of GATT,”, marrëveshjet tregtare ekzistojnë për të zgjidhur një dilemë klasike: ekonomitë e mëdha kanë një nxitje për të vendosur tarifa të njëanshme për të përmirësuar kushtet e tyre të tregtisë, por nëse të gjitha vendet angazhohen në një sjellje të tillë, rezultati i lë të gjithë në njësituatë më të keqe.
Reciprociteti dhe parimi i kombit më të favorizuar (mosdiskriminimi midis partnerëve tregtarë) u institucionalizuan për të parandaluar këtë skenar. Ata mbështetën një sistem që funksionoi në mënyrë efikase për dekada, derisa u sulmua në mesin e viteve 2010. Ndërsa reagimi kundër multilateralizmit kishte burime të shumta, rivaliteti në rritje SHBA-Kinë dhe rishfaqja e konsideratave gjeopolitike luajtën një rol vendimtar.
Sistemi tregtar i pasluftës bazohej në supozimin se vendet natyrisht kërkojnë të maksimizojnë mirëqenien e tyre ekonomike. Megjithatë, vitet e fundit, politika tregtare e SHBA-së është drejtuar gjithnjë e më shumë nga një motiv tjetër: të pengojë ngritjen ekonomike të konkurrentëve, veçanërisht të Kinës. Ky synim ka fituar përparësi edhe mbi sigurimin e prosperitetit për qytetarët amerikanë. Parë nga ky këndvështrim, strategjia aktuale tarifore e Trump duket më koherente. Ajo mund të mos jetë në dobi të ekonomisë amerikane, por nuk është ky thelbi. Qëllimi është të lëndosh të tjerët.
Ky ndryshim ngre një pyetje themelore. Në një botë të formësuar gjithnjë e më shumë nga rivaliteti gjeopolitik, a është i vjetëruar sistemi ekzistues i tregtisë shumëpalëshe? Ndoshta çuditërisht, një studim i kohëve të fundit sugjeron që nuk është ashtu. Nëse SHBA-ja (ose ndonjë ekonomi tjetër e madhe) nuk i jep asnjë vlerë mirëqenies së saj, mbetet një shtysë e fortë për të negociuar dhe bashkëpunuar ndërkombëtarisht. Rezultatet specifike të negociatave – të tilla si nivelet e tarifave – mund të ndryshojnë, por logjika në thelb të koordinimit ekonomik global mbetet e paprekur.
Edhe kur vendet motivohen jo vetëm nga mirëqenia ekonomike absolute, por edhe nga pozita e tyre relative (një mentalitet që shpesh çon në politika të hartuara për të vënë në disavantazh rivalët), ka ende një rast për negociata. Vendet kanë interes të ndjekin “përmirësimet Pareto”: rezultate që rrisin mirëqenien e tyre pa përkeqësuar domosdoshmërish pozicionin e konkurrentëve të tyre. Kjo është pikërisht ajo që ndërmjetësojnë marrëveshjet shumëpalëshe. Bashkëpunimi nuk do të kishte kuptim vetëm nëse vendet do të ndiqnin fitoret e Pirros që u shkaktonin dëm rivalëve, pavarësisht nga kostoja që ato kishin për veten e tyre.
Ndërsa logjika e bashkëpunimit vazhdon, kuadri institucional që mbështet tregtinë globale duhet të përshtatet. I njëjti studim sugjeron se ne jemi dëshmitarë të një “zbërthimi” të rendit liberal tregtar, një rivendosje e nevojshme që lejon rinegocimin nën realitetet e reja gjeopolitike. Nëse është kështu, tensionet e përshkallëzuara tregtare të ditëve të sotme mund të shihen si një tranzicion i dhimbshëm, por i përkohshëm drejt një kuadri shumëpalësh të rishikuar që pasqyron më mirë ekuilibrin në zhvillim të fuqisë.
Ky interpretim lë vend për optimizëm të kujdesshëm. Nëse tranzicioni menaxhohet në mënyrë efektive, ai mund të çojë në një sistem të ri tregtar global politikisht të zbatueshëm. Por ka edhe rreziqe të konsiderueshme. Proteksionizmi dhe nacionalizmi ekonomik do të shkaktojnë dëme afatgjata, nëse dalin jashtë kontrollit. Nëse politika tregtare bëhet thjesht një instrument lufte gjeopolitike, hapësira për bashkëpunim mund të zhduket krejtësisht. Historia është plot me pasoja të padëshiruara. Mund të shpresohet vetëm që udhëheqësit e sotëm ta dinë se çfarë rrezikohet para se të jetë tepër vonë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Making Sense of the Tariff Chaos







