
Evropa nuk duhet ta gënjejë veten. Presidenti amerikan Donald Trump do të sakrifikojë në mënyrë të pashmangshme Ukrainën në altarin rus. Deklaratat e fundit nga zyrtarë të lartë të administratës Trump nuk lënë asnjë dyshim për përbuzjen e tyre të thellë për evropianët. Përderisa shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë të përkushtuar ndaj një orientimi tradicional liberal, ato kanë më shumë gjasa të shihen si kundërshtarë sesa si aleatë.
Synimi i Trump është të ndërtojë një rend botëror autoritar, joliberal. Objektivat e tij janë të trefishta: të shpërbëjë shtetin liberal të vendit të tij; të krijojë aleanca transaksionale me regjimet kryesore joliberale (ose joliberalizuese) në botë – Rusinë, Indinë, Kinën, Turqinë dhe Izraelin – edhe nëse kjo nënkupton margjinalizimin e BE-së; dhe të ndërtojë një kështjellë të pathyeshme amerikano veriore përmes marrjes së Kanadasë, Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë.
Kjo kështjellë do të mbrohej me tarifa dhe zoti i saj do të ishte në gjendje të godiste kë të donte, sa herë të donte, pa pasur nevojë të konsultohej me aleatët. Trump dëshiron të ndërtojë një rend botëror të dominuar nga nacionalizmi dhe forca – duke rivendosur status quo-në që Evropa dhe Amerika hodhën poshtë pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithëse qasja e Trump mund të jetë tronditëse për evropianët, ajo është e rrënjosur thellë në një traditë amerikane që e kishim harruar. Modeli i saj ishte Theodore Roosevelt, të cilin Trump e admiron shumë. Natyrisht, ai fokusohet në karikaturën e Tedit, “kalorësit të ashpër” të Luftës Spanjolle-Amerikane. Trump dihet gjithashtu se lakmon Çmimin Nobel për Paqe, të cilin Roosevelt e mori për rolin e tij në përfundimin e konfliktit ruso-japonez të viteve 1904-1905.
Por objektivi i parë dhe më i rëndësishëm i Trump është shpërbërja e shtetit liberal amerikan. Ai mund ta bëjë këtë pa e dëgjuar Kongresin – i cili kontrollohet plotësisht nga kulti i tij i personalitetit (Partia Republikane) – dhe pa shkuar aq larg sa të shfuqizojë lirinë e shtypit. Mjafton spastrimi, kanosja dhe shantazhimi i mediave kryesore.
Kur bëhet fjalë për shtyllën e dytë (ndërkombëtare) të projektit MAGA, Trump e kupton se, pavarësisht statusit të superfuqisë së saj, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për partnerë të fortë për të zhbërë rendin botëror të ankoruar nga OKB-ja dhe për ta zëvendësuar atë me një rend joliberal ku i forti mund të bëjë ç‘të dojë dhe ku të drejtat e njeriut, ligji ndërkombëtar dhe marrëveshjet klimatike janë diçka e vdekur. Tashmë është e lehtë të imagjinohet që SHBA-ja, Rusia dhe Kina të mbajnë një samit të madh për të krijuar një rend të ri përgjatë këtyre linjave, me secilin që gdhend Lebensraum-in e vet (hapësirën e jetesës), duke shkëmbyer vende dhe burime si pengje. Për shembull, Kremlini ka nevojë për kapital dhe Trump ka nevojë për minerale kritike dhe burime të tjera me të cilat të shpërblejë oligarkët e tij.
Një model i tillë klient-patron duhet të jetë i njohur tashmë, pasi është i rrënjosur thellë në Rusi, Turqi, Indi, Hungari dhe vende të tjera. Pengesa më e madhe, edhe një herë, do të ishte Evropa, me rregulloret e saj të bezdisshme sociale, mjedisore dhe kundër korrupsionit. Dhe është Evropa ajo që qëndron në rrugën e objektivit të tretë të Trump – ndërtimin e një fortese në Amerikën e Veriut. Në fund të fundit, Grenlanda është një territor gjysmë autonom i Danimarkës.
Duke pasur parasysh qëllimet e Trump, Evropa duhet të pranojë se është e vetme. Udhëheqësit e saj mungojnë dukshëm në negociatat e organizuara nga Arabia Saudite për të ardhmen e Ukrainës – ndoshta sepse Rusia e kërkoi këtë dhe Trump e pranoi me kënaqësi.
Por vetë Evropa nuk është pa faj. Shumica e liderëve të saj, me përjashtim të presidentit francez Emmanuel Macron, kanë refuzuar prej kohësh të përballen me të vërtetën rreth cenueshmërisë strategjike të bllokut.
Për shembull, Kaja Kallas, Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, nuk e kuptoi kurrë pse ushtritë evropiane duhet të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake jashtë NATO-s. Linja e saj e arsyetimit ishte gjithmonë e njëjtë: çdo shfaqje autonomie mund të përshpejtojë shkëputjen e SHBA-së, kështu që sinjale të tilla nuk duhet të dërgohen kurrë.
Për të mos u zgjatur, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka mbrojtur vazhdimisht respektin ndaj SHBA-së për të gjitha çështjet, edhe pasi të gjithë e dinin se administrata e presidentit Joe Biden kishte reduktuar mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën pas kundërsulmit të saj në Kherson. Me sa duket, ekipi i politikës së jashtme të Biden druhej se një kolaps total i ushtrisë ruse mund ta shtynte Putinin të përdorte armë taktike bërthamore.
E gjendur përballë një Amerike që po përqafon qartë narrativën ruse, Evropa po përpiqet të mobilizohet për të mbështetur Ukrainën. Por përtej fjalëve dhe qëllimeve, ka vështirësi të pamasë që i pengojnë. Së pari, pak shtete evropiane kanë me të vërtetë mjetet për të angazhuar forca të armatosura dhe ata që janë më afër vijës së frontit nuk dëshirojnë t’i shterojnë forcat e tyre duke mbrojtur territorin e një vendi tjetër. Së dyti, tërheqja e mbështetjes amerikane e bën praktikisht të pamundur përfshirjen ushtarake evropiane. Së fundi, shumë shtete evropiane thjesht nuk janë të gatshme të marrin përsipër rrezikun e një konflikti të hapur me Shtetet e Bashkuara nëse SHBA-ja do të kundërshtojnë angazhimin ushtarak evropian. Shembulli i kryeministres italiane Giorgia Meloni është i habitshëm. Ndërsa vazhdon të mbështesë Ukrainën, ajo nuk dëshiron të përfshihet në një “tërhiq e lësho” me SHBA-në, veçanërisht pasi ajo druhet se kriza ukrainase do të favorizojë lidershipin francez në Evropë.
Edhe nëse forcat evropiane do të mobilizoheshin disi, nuk është aspak e qartë se si do të përdoreshin këto forca. Ideja e forcave evropiane që garantojnë armëpushimin vë në provë besueshmërinë. Sigurimi i mbështetjes tokësore nga forcat evropiane për forcat ukrainase në rast të agresionit rus është shumë më i zbatueshëm. Por do të duhet shumë kohë që një projekt i tillë të mund të shohë dritën e ditës.
Evropa është e vetme dhe e papërgatitur – më e keqja e mundshme. Por ajo nuk duhet të heqë dorë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trump vs. Europe







