
Procesi gjyqësor penal ndaj dy ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, si dhe pesë të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tyre në një skemë korrupsioni e pastrimi parash të kryer nëpërmjet kompanisë 5D Konstruksion do të zhvillohet me gjykim të zakonshëm. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bëri me dije të enjten më 3 prill vendimin e ndërmjetëm lidhur me kërkimin për gjykimin e shkurtuar. Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri deklaroi në mënyrë të përmbledhur se gjykata kishte vlerësuar se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet dhe se duhet t’i nënshtrohet gjykimit të zakonshëm.
Sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale, kërkimi i gjykimit të shkurtuar kryhet gjatë seancës paraprake nga të pandehurit dhe trupi gjykues që shqyrton çështjen në themel merr vendim para se të deklarojë të filluar shqyrtimin gjyqësor. Kur vendoset aplikimi i gjykimit të shkurtuar, shqyrtimi i çështjes realizohet bazuar në aktet e dorëzuara nga prokuroria. Në këtë rast nuk mund të ngrihen pretendime për pavlefshmëri të akteve të fazës së hetimeve paraprake, si dhe për papërdorshmëri të provave duke u kaluar në parashtrime dhe konkluzione përfundimtare. Kur pranohet gjykimi i shkurtuar, të pandehurit që deklarohen të fajshëm, përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit.
Ndërsa në gjykimin e zakonshëm, provat formësohen gjatë gjykimit. Në një fazë të këtij lloji gjykimi, merren provat dhe kërkesat lidhur me papërdorshmërinë e tyre. Në këtë lloj gjykimi, nuk aplikohet ulja e 1/3-ës së dënimit.
Prokurori i çështjes, Klodian Braho kërkoi kohë për të verifikuar listën e dëshmitarëve dhe seanca u shty për më datë 17 prill, në orën 09:00.
Çështja Penale në ngarkim të Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe pesë të pandehurve të tjerë është regjistruar për veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv, mosdeklarime, deklarime të rreme apo fshehje të pasurive, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash. Ndërkohë, janë veçuar hetimet për të tjera afera korruptive që dyshohet se janë kryer nga funksionarët e Bashkisë Tiranë.
Sipas SPAK, është provuar se i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato si ish-drejtor i departamentit mbështetës në këtë shoqëri dhe në cilësinë e ish-kryeinspektorit të IKMT në Bashkinë Tiranë, kanë qënë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k., të cilën e kanë zotëruar në mënyrë indirekte dhe e kanë përdorur për të vjelë fondet publike në mënyrë të paligjshme e për pastrimin e parave.
Gjatë kohës që Molla ka drejtuar UKT, shoqëria 5D Konstruksion sh.p.k. ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 tendera. Spak Vlrëson se, në këto procedura prokurimi i pandehuri Redi Molla, i cili ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, përbërjen e Njësisë së Prokurimit, përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni të pandehurin Mariglen Qato, që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë. Po ashtu, Molla akuzohet se ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij
Prokuroria ka bërë me dije se, hetimet kanë zbuluar se në periudhën 2016-2018, kur Qato ka ushtruar funksionin e drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT, shoqëria 5D ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik 4 tendera. Vetë Qato, si anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, ka qënë pjesë e vendimarrjes për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, në favor të shoqërisë që ai vetë zotëronte.
Po ashtu, kompania 5D akuzohet ka fituar në kundërshtim me ligjin 3 tendera të Bashkisë Tiranë, si dhe dy të tjera nga Tirana Parking sh.a dhe Klubi Sportiv Tirana sh.a..
Të pandehurit e tjerë, Taulant Tusha, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të KVO, si dhe anëtarët e tjerë Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku, akuzohen se kanë favorizuar shoqërinë 5D në 3 tendera të Bashkisë Tiranë.
Nga ekspertimi i kryer, ka rezultuar se 5D ka përfituar më shumë se 192.7 milionë lekë nga 12 tendera të zhvilluara në mënyrë të kundërligjshme. Gjithashtu, nga zbatimi këtyre kontratave janë nxjerrë fitime monetare nga kjo shoqëri e zotëruar nga Molla dhe Qato.
Shumat monetare janë nxjerrë nga sistemi bankar duke përdorur skemën e pagesës së faturave fiktive dhe janë depozituar përsëri më pas në gjendje cash në arkën e shoqërisë. Më pas këto shuma u janë dhënë pronarëve de facto të 5D, të cilët i kanë përdorur për të blerë pasuri apo për aktivitete të tjera të shoqërisë.







