AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Zgjedhje 2025

Durrësi, një mandat kyç për maxhorancën e ardhshme është në lojë

Durrësi është një nga katër qarqet në të cilat, një grusht votash mangët për Lëvizjen Socialiste për Integrim, i dhanë Partisë Socialiste një mandat të çmuar shtesë dhe ia hoqën atë opozitës, duke krijuar maxhorancën që ka qeverisur vendin gjatë katër viteve të fundit. Nëse situata në terren nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore në këto zgjedhje, socialistëve do t’u duhet një sforco shtesë për ta ruajtur këtë mandat. Durrësi është edhe një prej qarqeve ku goditja e krimit nga SPAK pritet të reflektohet në rezultat.

Gjergj ErebarangaGjergj Erebara
1 year më parë
në Analiza, Artikull kryesor, Artikull kryesor Analiza, Faqja e pare, Zgjedhje 2025
Koha e leximit: 7 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Qarku Durrës

Vetëm 133 vota i nevojiteshin partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2021 për të marrë një mandat deputeti, mandat që i kaloi socialistëve për një rezultat 8 me 6. Në rast se LSI do të kishte kaq vota më shumë, mandati i takonte asaj dhe rezultati i qarkut të Durrësit, një nga katër qarqet më të mëdha në vend, do të ishte 7 me 7 dhe jo 8 me 6. Dhe në rast se LSI do të garonte në koalicion me PD-në në ato zgjedhje, rezultati i marrë do të dilte dhe tepronte për të realizuar barazim. Ndarja PD-LSI në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021 është ajo që i dha socialistëve në këtë qark 8 mandate, pra 57% të mandateve të qarkut, ndërkohë që rezultati i tyre në përqindje ishte 49.7 më 2017 dhe 50.3 më 2021. Në qarqet me numër mandatesh çift, ky avantazh i socialistëve është i pamjaftueshëm për të prodhuar rezultat në mandate, nëse nuk ka vota të djegura.

Durrësi është edhe qarku ku, bashkë me Tiranën, është shkruar ndryshimi i maxhorancave qeverisëse në vitin 2005 dhe në vitin 2013. Në vitin 2005, të gjitha përballjet maxhoritare në qark u fituan nga Partia Demokratike në opozitë ndërsa në 2013, durrsakët dhe krutanët rritën në mënyrë drastike votat për socialistët dhe aleatët e saj duke i dhënë atyre 7 mandate dhe qeverisë së kohës, 5. Një ndryshim sado i lehtë në humor i banorëve të qarkut Durrës, ku bëjnë pjesë edhe bashkitë Krujë e Shijak, i heq një mandat socialistëve dhe ia kalon atë opozitës. Ndryshimi i kërkuar që socialistët të mbajnë 8 mandate që kanë marrë në qark në dy zgjedhjet e kaluara është i konsiderueshëm dhe po kështu, një përmbysje 8 me 6 për opozitën ngjan shumë e pagjasë.

Rezultatet e vitit 2009, kur Durrësi kishte 13 mandate, i dhanë fitoren e thjeshtë Partisë Demokratike dhe aleatëve të vet, të cilët morën 52% të votave dhe 7 mandate. Partia Socialiste mori 35% të votave dhe 5 mandate. LSI mori një mandat me 8%.

Në zgjedhjet e vitit 2013, PS mori një rritje të konsiderueshme me 11 mijë vota dhe, bashkë me LSI, e përmbysi rezultatin në mandate nga 6 me 7 për PD-në në 7 me 6. Ndërsa në vitin 2017, socialistët arritën të marrin 50% të votave të qarkut dhe siguruan me këtë tetë mandate. Suksesi i vitit 2017, me 73 mijë vota dhe 12 mijë më shumë se sa më 2013, u zbulua më vonë, erdhi së paku pjesërisht falë angazhimit të disa strukturave famëkeqe të krimit të organizuar në zgjedhje në favor të Partisë Socialiste.

Ajo që më vonë u njoh si dosja 339 nisi si një hetim i autoriteteve gjermane kundër një grupi trafikantësh droge dhe solli, si efekt anësor, zbulimin e krimeve elektorale. Disa fragmente nga përgjimi, të rrjedhura ngë median gjermane Bild, demonstruan se si Astrit Avdyli, një njeri sot i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe i akuzuar për sigurimin e mjeteve dhe rekrutimin e vrasësve me pagese, zbulojnë se propozoi në vitin 2017 Ilir Ndraxhin për deputet duke i premtuar drejtuesit lokal socialist një rezultat që do të habiste edhe vetë Edi Ramën. Në një përgjim të dytë, Avdyli dëgjohet duke urdhëruar drejtorin e kompanisë publike të ujësjellësit që t’i japë atij listën e punonjësve të ndërmarrjes, nën kërcënimin e prerë se, nëse nuk japin votën për PS-në, do të pushoheshin nga puna.

Në fakt, një nga hetimet më të hershme të SPAK kundër krimit zgjedhor zbuloi, mes gajasjeve të qytetarëve, se shumë komisionerë zgjedhorë kishin manipuluar rreth 5.5% të votave të zgjedhjeve në disa qendra votimi të vitit 2017, duke votuar në emër të personave të cilët në ditën e zgjedhjeve ishin në emigrim. Të qeshurat u shkaktuan për faktin që, kur SPAK urdhëroi arrestimet, në vitin 2020, tre vjet pas zgjedhjeve, dy nga komisionerët e akuzuar ishin ndarë nga jeta.

Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët jo vetëm që e ruajtën rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, por e përmirësuan atë më tutje duke marrë 77 mijë vota ose 53%. Por në mënyrë të ngjashme, rezultati edhe kësaj here duket se u sigurua nga krimi zgjedhor dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje.

Jurgis Çyrbja, një nga deputetët e PS-së së Durrësit, dha dorëheqjen dhe u arrestua, mes të tjerave, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje ndërsa Rrahman Rraja, një deputet tjetër socialist, baza e të cilit është zona e Niklës pranë Fushë-Krujës, dha dorëheqjen në vitin 2023 pasi në rrjet u publikua një video në të cilën, familjarët e tij shfaqeshin duke dhunuar me shkopinj bejsbolli dy qytetarë, krimi i të cilëve ishte që ishin ankuar në policinë e zonës për shpërthime në një gurore, e cila, ndonëse nën pronësinë nominale të tjetërkujt, dukej se ishte interes ekonomik i Rrajave.

Një nga politikanët kryesorë të Durrësit, të cilin Rama e bleu nga LSI, Lefter Koka, u arrestua pak muaj pas zgjedhjeve për korrupsion dhe është aktualisht i dënuar.

Akuzat për përfshirje të krimit të zgjedhje janë të shumta dhe përfshijnë në fakt jo vetëm maxhorancën. Një nga kandidatët e opozitës sot, ish-prokurori Arjan Ndoja, u shkarkua nga procesi i vetingut pikërisht për “kontakte të papërshtatshme” me persona me dyshime për aktivitete të krimit të organizuar ndërsa ish-zëvendëskryeministri socialist Arben Ahmetaj akuzoi në një rast Edi Ramën se ka emëruar një koordinator për marrëdhëniet me grupet e ndryshme kriminale, akuzë të cilën Rama e mohon. Ndoja ishte në një automjet me Aleksandër Lahon, i njohur gjithashtu edhe si Pëllumb Muharremi apo Rrumi i Shijakut, një personazh i botës së krimit që është aktualisht në gjykim për korrupsion, në çastin kur ndaj makinës së tyre u hap zjarr duke vrarë shoferin dhe duke plagosur Rrumin.

Lufta e SPAK kundër krimit të organizuar me gjasa ka ulur forcën e disa grupeve kriminale por disa të tjera duket se kanë mbetur pa u prekur. Altin Hajri, personi që, sipas dokumenteve të prokurorisë, ndihmoi Jurgis Çyrben në zgjedhje në shkëmbim të informacionit policor, vijon të jetë në arrati, i shpallur fillimisht në kërkim katër vjet më parë.

Njihet gjithashtu që një nga tiparet e krimit të organizuar është lehtësia me të cilën personat e rënë në burg zëvendësohen përmes promovimeve brenda grupit apo rekrutimeve të reja kështu që nevojiten goditje të njëpasnjëshme nga strukturat ligjzbatuese dhe, në mënyrë kyçe, nevojitet sekuestrimi i aseteve të krijuara nga krimi për të dobësuar fuqinë ekonomike të këtyre strukturave. Kjo nuk duket se ka ndodhur deri më sot.

Në këto kushte, ajo që dihet është që struktura të ndryshme të krimit të organizuar kanë rol në rezultatin e zgjedhjeve në Durrës, gjë që e bën jo fort të vlefshëm hamendësimin se si mund ndahen votat.

Profili demografik e social

Qarku i Durrësit shtrihet kryesisht përgjatë Detit Adriatik në Shqipërinë qendrore ndërsa pjesë e qarkut është edhe zona e Krujës deri në kufi me Qarkun Dibër. Durrësi është porti më i madh i Shqipërisë dhe porta kryesore hyrëse dhe dalëse e tregtisë ndërkombëtare të vendit. Afrimësia me portin ka ndihmuar zhvillimin e industrisë fason për eksport, industri që aktualisht prej vitesh është në rënie ndërsa plazhi i Durrësit përbën një nga destinacionet më popullore turistike të vendit.

Durrësi është zona ky gjenden pjesa më e madhe e pularive të vendit, aktivitet ekonomik që ka prodhuar disa deputetë përgjatë dekadave të fundit.

Në zonën e Krujës, prania e gurëve gëlqerorë ka zhvilluar industritë e çimentos dhe të lëndëve të para për ndërtim, gjë që ka shkaktuar ndotje mjedisore.

Qarku i Durrësit ka qenë bashkë me Tiranën destinacioni i migrimit të brendshëm përgjatë tre dekadave të fundit, me zona të gjera periferike të zhvilluara pa plane urbanistike, si zona e ish-Kënetës.  Situata duket se ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, kur Durrësi i është bashkuar shumicës së qarqeve të vendit ku popullsia po vjen në rënie si pasojë e emigrimit.

Të dhënat e censit 2023 tregojnë se popullsia banuese është 227 mijë vetë, me rënie 14% kundrejt vitit 2001. Në fakt, rënia e popullsisë mes Censusit 2011 dhe Censit 2023 është më e madhe se sa rritja e shënuar mes viteve 2001 dhe 2011.

Rreth 62% e popullsisë jeton në qytetet Durrës, Fushë-Krujë, Manëz, Krujë e Shijak. Ndarja urban-rural në rastin e këtij qarku nuk bën shumë sens për shkak se zonat periferike përreth qytetit të Durrësit, si Rrashbulli, me 24 mijë banorë, apo ajo e Sukthit me 13 mijë banorë, janë efektivisht pjesë e zonës urbane pavarësisht se nominalisht vijojnë të njihen si fshatra.

Kandidatët

Deputetët Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri e Ilgi Cara kanë zënë vend në listën e mbyllur të Partisë Demokratike, ku gjenden edhe Artan Luku nga Partia Agrare Ambientaliste, i cili punon si drejtor në pularinë nën pronësinë e kryetarit të partisë Agron Duka, dhe Manjola Luku, një farmaciste në Manëz.

Ish-prokurori Arjan Ndoja, gazetari Aulon Kalaja apo deputetja Andia Ulliri konkurrojnë për një apo dy mandate që  opozita shpreson të fitojë jashtë listave të mbyllura.

Socialistët konkurrojnë me deputetët Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, e Aurora Mara në listat e mbyllura krahas shkrimtarit Loer Kume, i cili  për nga profesioni kryesor është dentist dhe Skënder Pashaj, një biznesmen me aktivitet kryesor në industrinë fason.

Ilir Ndraxhi garon nga listat e hapura për dy apo tre pozicionet e mbetura, krahas një  numri drejtorësh të administratës publike si Ani Dyrmishi, drejtor në shëndetësi, në hipotekë dhe në hekurudhë, apo Dorina Laçi, drejtoreshë e arsimit në Krujë.

Kliko këtu për të lexuar jetëshkrimet e kandidatëve. Link

Kliko mbi foto për të parë fletën e votimit.

Etiketa: Andia UlliriAni DyrmishiArjan NdojaArtan LukuAulon KalajaAurora MaraBashkia KrujëIgli CaraKlodiana SpahiuMilva EkonomiOerd BylykbashiQarku DurresZgjedhje 2025
Tjetri
Krimi i organizuar, ‘partia e padukshme’ e zgjedhjeve në Durrës

Krimi i organizuar, ‘partia e padukshme’ e zgjedhjeve në Durrës

Shqipëria hap dyert e ‘skllavërisë moderne’ për punëtorët e huaj

Punëtorët e huaj në Shqipëri: Narrativa mediatike lustron realitetin

17:46 | 22/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Ish-ministri Ylli Pango dëshmon për privatizimin e ish-klubit “Partizani”

17:26 | 22/06/2026
pankarte ne proteste

Protestuesit akuzojnë policinë për “taktika intimidimi” me procedimet masive

07:08 | 22/06/2026
727479063 1406816294804154 1968633872511593608 n

Beton ka gjithandej, avantazhi turistik i Shqipërisë është natyra

22:29 | 21/06/2026
spiropali

Elisa Spiropali kërkon vetëpastrim të Partisë Socialiste

18:19 | 21/06/2026
photo 2026 06 20 23 13 29

Raporti ‘konfidencial’: Protestat të shkaktuara nga ‘pakënaqësi legjitime’

17:41 | 21/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.