
Shqipëria u rendit e 80-ta në botë në 180 vende, duke u ngjitur me 19 vende nga viti i shkuar, sipas vlerësimit të indeksit për Lirinë e Medias, një raport i përvitshëm që publikohet nga organizata ‘Reporterët pa Kufij’, ndërsa raporti vë në dukje se ka një përkeqësim në rang global dhe gazetarët janë në rrezik.
Pavarësisht ngritjes në renditje, raporti vë në dukje se në Shqipëri liria dhe pavarësia e mediave është e kërcënuar nga konflikti i interesave të biznesit dhe politikës dhe gazetarët frikësohen në punën e tyre nga politikanë e krimi i organizuar.
Raporti konsideron si një lajm pozitiv që në vendin tonë nuk ka raste të gazetarëve të vrarë apo të burgosur gjatë vitit të fundit.
Sipas raportit Shqipëria ka performuar mirë në indikatorët e sigurisë, aspektin ligjor dhe atë social, ndërsa në indikatorët politikë dhe ekonomikë ka rezultuar dobët.
Por, organizatat për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri nuk shohin vend për optimizëm në renditjen e indeksit të lirisë së medias duke theksuar se kanë ndikuar faktorë të jashtëm në këtë ngritje dhe se problemet me të cilat përballet media në vend në të vërtetë janë përkeqësuar.
“Renditja nuk i përgjigjet besnikërisht situatës në terren sepse situata në thelb nuk ka njohur përmirësim”- i tha BIRN-it, Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, një mekanizëm vetërregullues.
Sipas tij, kjo renditja tregon se sidoqoftë metodologjia e përdorur mund të ketë një problematikë dhe jo gjithmonë metodologjitë mund të nxjerrin rezultat të saktë.
“Media pothuajse nuk e informon më publikun, ose është mekanizëm i pastër pa asnjë filtër i propagandës, ose është në shërbim të interesave të një partie, të një qeverie, një bashkie, një biznesi, një individi ose një grupi biznesi”- shton Cukali duke bërë një tablo të lirisë së medias.
Sipas tij, “i vetmi që nuk përfaqësohet në media si interes është interesi publik, për fat të keq”.
Cukali vlerëson si të vetmin përmirësim krijimin e një tjetër organizate të re nga gazetarët për të mbrojtur veten.
Kjo organizatë, Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë, e sheh renditjen në indeks jo si një tregues të përmirësimit real të lirisë së medias.
Gazetari Isa Myzyraj nga AGSH beson se pavarësisht ngritjes në indeks e vërteta është se problematikat vijojnë të jenë njësoj, madje ka dhe përkeqësim.
“Ne kemi vlerësuar se kjo rritje në thonjza vjen jo për faktorë të brendshëm por të jashtëm, sepse rënia drastike e vendeve të rajonit ka bërë që Shqipëria të ngjitet më lart”- i tha ai BIRN-it, duke shtuar se “kur flitet për liritë politike dhe ekonomike qartazi situata është përkeqësuar dhe ky është aspekti që ne kemi evidentuar”.
Metodologjia e përdorur për vlerësimin e indeksit të Lirisë së Medias varet nga shumë faktorë dhe lidhet gjithashtu me ngjarje që mund të kenë ndodhur gjatë vitit që është bërë matja.
Drejtoresha e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), Blerjana Bino, analizon këto faktorë për të kuptuar renditjen e Shqipërisë në indeksin global.
“Renditja duket në pamje të parë inkurajuese, por nëse lexohet raporti i RSF dhe metodologjia e Indeksit e kupton që situata në Shqipëri për lirinë e medias mbetet me probleme të thella sistemike”- i tha ajo BIRN-it.
Sipas Binos, kjo rritje lidhet me ndryshimin e renditjes në varësi të pozicionimit të vendeve të tjera dhe në radhë të dytë duhet krahasuar me arsyet e renditjes së ulët që pati vendi ynë një vit më parë dhe që lidhej me ngjarjen e goditjes me armë në godinën e një media kombëtare me pasojë një viktimë.
“Ngjarje të tilla nuk kemi pasur fatmirësisht dhe kjo natyrisht ndikon në renditje. Ama ajo ngjarje mbetet ende e pazbardhur”- thotë ajo.
Po ashtu, Bino beson se ka ndikuar në renditje vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të burimeve gazetareske dhe lirisë së shprehjes në rastin e gazetarit Elton Qyno dhe protokollet e sigurisë së gazetarëve që janë ndërmarrë.
Por, nga ana tjetër vendi ynë renditet shumë poshtë në faktorët politik dhe ekonomik, tregues ky, që sipas Binos lidhet me problemet e thella të lirisë së medias në vend.
Ashtu si Cukali, edhe Bino vendos theksin tek lidhjet e forta mes pronarëve të mediave me politikën, si dhe me aktorë të tjerë të fuqishëm dhe trafikut të interesave ekonomike.
“Kjo lloj strukture nuk lejon për një mjedis mundësues për gazetari në interes të publikut”- thekson ajo.
Duke i bërë një tablo situatës së medias në vend, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë publikoi një së rërë sfidash dhe problemesh me të cilat përballen gazetarët shqiptarë, që nga rastet e dhunës e kërcënimet, pengesat e institucioneve në raportim, gjuha fyese dhe denigruese nga zyratrë të nivelit të lartë dhe deri tek emërimi politik i Këshillit Drejtues dhe drejtuesve të RTSH dhe censura digjitale dhe mbyllja e TikTok.







