
Qarku i Beratit mbylli procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit 2025, ku Partia Socialiste mori 38,860 vota ose 58.1% dhe Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore 19,884 vota ose 29.8%. E ndërsa PS ka ruajtur pesë mandate deputetësh në qarkun që njihet si i majtë, për opozitën vendore faktorët e humbjes lidhen me rritjen e numrit të administratës dhe emigrimin e banorëve.
Socialistët e pritën me brohorima mbylljen e procesit të numërimit pas mesnatës në KZAZ-në me numër 66, që ndodhet në mjediset e qendrës “Margarita Tutulani”. Kjo KZAZ mbylli numërimin e votave në 275 qendrat e votimit në nivel qarku.
“Ka shumë faktorë që sollën këtë rezultat. Duke iu referuar dhe raportit të OSBE-ODHIR për përdorimin e administratës, mund të them që ka pasur ndikim edhe në rezulatin e Beratit, apo dhe largimi i banorëve, dukuri që ka prekur këtë qytet,” tha Shyqyri Duro, kryetari i Partisë Demokratike në Berat.
I angazhuar ende në administrimin e mbylljes së procesit, Duro thotë se situata kërkon një analizë të thellë.
“Situata kërkon analizim të detajuar, nuk kalon me një gjykim të shpejtë, kështu që duhet kohë,” tha ai.







