
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 14 maj vendimin për ndryshimin e vendimit të Komisionit për gjyqtarin e Lezhës, Artan Hajredinaj, duke e shkarkuar atë përfundimisht nga detyra.
Gjyqtari Artan Hajredinaj u konfirmua në detyrë më 19 mars 2024, pasi Komisioni i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e tij për konstatimet e hetimit paraprak lidhur me pamundësi financiare në krijimin e pasurive e mbulimin e shpenzimeve, si dhe dyshimet e ngritura për fshehjen e një apartamenti.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK për Hajredinajn duke ngritur shkaqe në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit dhe vlerësoi se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm.
Para se të emërohej si gjyqtar në vitin 2007, Hajredinaj ka punuar si noter dhe përmbarues. Ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë nëntë viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Sipas drejtuesit të SPAK që mori kompetencat e Komisionerëve Publikë, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e konstatimeve për deklarimet kontradiktore të vlerës së një apartamenti në Tiranë, destinacionin e një kredie të marrë, si dhe për pamundësinë e burimeve financiare.
Kolegji i gjen të drejta konstatimet e drejtuesit të SPAK dhe çmon se pretendimet e subjektit të paraqitura gjatë hetimit administrativ, nuk qëndrojnë. Sipas KPA, deklarimi se kredia e disbursuar që i është kaluar shoqërisë së ndërtimit, i është dhënë subjektit cash për të përfunduar punimet, është në nivel deklarativ. Ndryshe nga KPK, Kolegji çmon ashtu si drejtuesi i SPAK, se subjekti nuk arriti të provojë burimet e kësaj pasurie.
Për deklarimin e sigurimit të të ardhurave nga shitja e një vreshte në vitin 2006 për çmimin rreth 12 milionë lekë, pasuri e blerë katër muaj para këtij transaksioni në shumën 1.5 milion lekë, Kolegji vlerëson se subjekti nuk dha shpjegime bindëse. Deklarimet e ndryshme të Hajredinajt u konsideruan si të qëllimshme, për të përmirësuar situatën, gjetje që janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
KPA ka gjetur të drejtë edhe pretendimin tjetër të Komisionerit Publik për deklarime kontradiktore dhe të pamjaftueshme në lidhje me të ardhurat e deklaruara nga subjekti se i ka përfituar nga shitja e njësive në qytetin Bajram Curri. Për rrjedhojë, këto të ardhura nuk janë përfshirë në analizën financiare. Ndërkohë, transaksionet e shumta të kryera për këto pasuri, u vlerësuan se pamundësojnë kryerjen e verifikimit nga ana e institucioneve të vetingut dhe janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
Po ashtu, Kolegji gjen të drejtë pretendimin e Komisionerit Publik, se subjekti nuk ka deklaruar posedimin e një apartamenti në Bajram Curri, pasuri në emër të motrës së tij.
Ndërkohë, nuk janë konstatuar dyshime për një apartament tjetër në Shëngjin, pasuri
për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka prenotuar për vëllain në vitin 2007 dhe se e ka përdorur gjatë pushimeve verore. Kontrata e shitblerjes është nënshkruar nga i vëllai më vonë.
Kolegji gjen të pabazuar një pretendim të subjektit së të ardhurat e krijuara nga shitja e dy apartamenteve në vitin 2006, kanë shërbyer për shlyerjen e një kredie, pasi rezulton që shitja e atyre pasurive të jetë kryer më vonë.
Lidhur me konstatimet për pasurinë, Kolegji vlerëson se Haredinaj gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm, si dhe të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Kolegji konstaton mangësi në aspektin profesional lidhur me disa prej shkaqeve të ngritura në ankim, në përfundim konkludon se sjelljet e subjektit në vlerësimin tërësor çmohen se kanë cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Për rrjedhojë, vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Artan Hajredinaj.







