
Ditën e mërkurë pata kënaqësinë të dëgjoja një koncert shumë të veçantë, organizuar nga Instituti Italian i Kulturës: Improvvisamente Nono titullohej kjo performancë artistike, e cila i kushtohej kompozitorit të njohur italian, Luigi Nono (1924-1990), një nga zërat më të rëndësishëm të avangardës muzikore evropiane të gjysmës së dytë të shekullit XX. Vjet u festua 100-vjetori i kompozitorit.
Për këtë, Tempo Reale, një qendër e krijuar në vitin 1987 nga kompozitori Luciano Berio (emër po aq i rëndësishëm) për muzikën elektronike dhe artet tingullore, i kushtoi këtë mbrëmje artistike, e cila pas premierës udhëtoi në disa skena në Itali. Në datën 21 maj, performanca erdhi edhe në Shqipëri me ndërmjetësinë e Institutit Italian të Kulturës.
Programi përbëhej nga disa prej veprave më të rëndësishme elektro-akustike të kompozitorit, duke nisur nga një ndër më të hershmet: Omaggio a Emilio Vedova për shirit magnetik me katër pista (1960). Në dijeninë time, këto vepra luheshin për herë të parë në Shqipëri dhe për çdo artist sadopak familjar me historinë e muzikës evropiane gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, si edhe me marrëdhënien “e ndaluar” që ajo ka pasur me periudhën tonë diktatoriale, ngjarja nuk mund të mos konsiderohet e përveçme dhe domethënëse.
Vepra e parë në program: La fabbrica illuminata (1964) për soprano dhe shirit magnetik me 4 pista është nga ato krijime që reflekton mbi lidhjen midis eksperimentimit mbi tingullin në nivelin elektro-akustik dhe aktivizmit social-politik sa i takon gjendjes së rëndë të punëtorit në Italinë e viteve ’60. Zhurmat e zërat që i pati regjistruar në kombinatin metalurgjik Italsider (Cornigliano – Genova), Luigi Nono i trajton në studio (Studio di Fonologia pranë RAI-t) dhe iu vendos materiale korale, copëza vokale, pra i kompozon elektronikisht. Këtij regjistrimi në 4 pista, i vendos “live” zërin e sopranos me tekste nga Giuliano Scabia dhe Cesare Pavese. Në këtë rast, ky interpretim “live” erdhi përmes zërit të Monica Benvenutit, aftësitë vokale dhe ekspresive të së cilës ishin të admirueshme, dëshmi e njohjes së thellë të këtij repertori. Ajo artikulohej herë duke u “ngatërruar” me zërat e punëtorëve dhe zhurmave të makinerive e herë duke shprehur fraza, fjalë, fragmente që nxisnin dëgjuesin në sallë për të menduar rreth zërit në botën njerëzore e atë muzikore. Një uzinë që ndriçon dhe nxit mendimin përmes tingullit.
Shumë emocionuese në këtë mbrëmje ishte prania e Giancarlo Schiaffinit, artist 83-vjeçar me një krijimtari dhe karrierë si solist, që shkon nga jazz-i te muzika bashkëkohore, dëshmitar i një periudhe të jashtëzakonshme të avangardës muzikore evropiane. Schiaffini ka qenë edhe një nga interpretuesit kryesorë të veprës së vetë Nono-s. Ky i fundit i pati kushtuar Schiaffinit Post – prae-ludium no. 1 per Donau (1987) për tuba dhe live electronics, të cilin ai e interpretoi për ne. Me qetësinë dhe lirshmërinë e një muzikanti që ka shumë vite përvojë mbi supe, i matur në lëvizje dhe po aq edhe në interpretim, Schiaffini dinte të të merrte me vete gjatë improvizimeve të tij. Ishte një rrugëtim ku tingujt lindnin dhe shuheshin brenda një çasti, që i linte vendin një çasti tjetër, por duke bashkëvepruar me “rrjedhën” elektronike tingullore dhe po aq me heshtjen.
Koncerti u mbyll me Improvisamente Nono, një improvizim për zë, tuba dhe live electronics nga Monica Benvenuti, Giancarlo Schiaffini dhe Francesco Vogli, i cili gjatë gjithë mbrëmjes artistike ishte në rolin e regjisorit të tingullit dhe atë të live electronics. Vepra i kushtohej Nono-s në 100 vjetorin e lindjes (2024) dhe ishte një interpretim shumë i ndjerë tek i cili bëheshin bashkë dialogje, heshtje, zhurma, fjalë, fjalime, të gjithë të lidhura në një tension të vazhdueshëm, që depërtohej herë pas here nga një dimension lirik përmes zërit të Benvenutit.
Nuk besoj se një artist si Luigi Nono do kishte qenë i kënaqur me ambientin tingullor të hollit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për interpretimin e veprave të tij. Ndonëse i restauruar rishtazi, ky holl ka mbetur tërësisht i paizoluar nga zhurmat e jashtme që ndërhynin here pas here, sidomos atëherë kur performanca të ftonte të dëgjoje heshtjen. Nono ka qenë vazhdimisht skrupuloz dhe i angazhuar për rëndësinë e hapësirës akustike. Ai synonte krijimin e një teatri muzikor që ta transmetonte këtë gjë. Po ashtu, Nono ishte i angazhuar edhe drejt një tjetër lloj dëgjimi, tek i cili tingulli është një instrument përfaqësues i fenomene të ndryshme sociale, politike. Kësisoj, hapësira akustike, si shprehet Paolo Carradori, “bëhet vendi, laboratori i këtij revolucioni.”
Ndërkaq, biseda me regjisorin e tingullit, Francesco Giori, në mbyllje të performancës së tyre, rezultoi mjaft interesante për të komentuar pak edhe rreth formave të ruajtjes dhe qasjeve bashkëkohore të interpretimit të veprave; kjo në kushtet kur shiriti magnetik i ka lenë vendin epokës digjitale, e cila është gjithashtu në transformim të pandalshëm teknologjik. Funksionimi i qendrave të tilla si Tempo Reale tregon, ndër të tjera, edhe sa vizionarë kanë qenë kompozitorë si Luigi Nono e Luciano Berio për t’i dhënë nxitje kërkimit të vazhdueshëm në fushën e teknologjive muzikore dhe të muzikës elektronike, për të mbështetur talentet premtues, për të krijuar hapësira e kushte të përshtatshme performative, por pa harruar edhe nivelin didaktik të lidhur me këto zhvillime.
Na ngelet ende shumë për të bërë për të përmbushur kushtet e performancës dhe kjo ndodh, mbi të gjitha, sepse për një kohë të gjatë, kjo lloj muzike me këtë lloj qasjeje ndaj tingullit ishte tërësisht jashtë skenës shqiptare, siç ishin edhe gjithë teknologjitë tingullore. Si rrjedhojë, shumë pak njerëz janë të ndërgjegjshëm për ecurinë historike dhe se edhe grupe origjinale si, fjala vjen, Shkodra Elektronike (që jo rastësisht, formësohen edhe ata në Itali) vijnë si rezultat i këtij konteksti dikur pioneristik kërkimi dhe mënyrave si ai gradualisht është shtrirë, prej shumë kohësh tanimë, edhe në lëmin e gjinive të ndryshme muzikore popullore bashkëkohore.
Ndaj uroj që interpretime të tilla të jenë më të shpeshta në Shqipëri. Kjo pasi vepra të tilla vazhdojnë ta evokojnë atë forcën krijuese, gati-gati parake e revolucionare (në të gjitha ngjyrimet kuptimore që dëshironi t’i jepni këtij përcaktori); sesi procesi kompozicional, falë teknologjive, u bë eksplorues jo vetëm i përmasës muzikore të tingullit, por edhe i asaj kulturore, sociale e politike dhe sesi kjo u shoqërua edhe me praninë e një dëgjuesi të ndërgjegjshëm që rrethohej, zhytej mes tingujve e heshtjeve, si pjesë e gjallë e krijimit muzikor.







