
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të mërkurën më 28 maj deklarimin fajtor të katër prej tetë zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës që akuzohen se lehtësuan një skemë korrupsioni për të dërguar tenderat te kompania 5D, që sipas SPAK zotërohet “de facto” nga ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Gjykata vendosi dënimin e titullares së Klubit Sportiv Tirana, Deborah Keçi, me një vit burg për veprën penale “shkelje të barazisë në tendera”, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, prej nga përfiton uljen e një të tretës së masës, u reduktua në 8 muaj heqje lirie. Gjykata vendosi pezullimin e masës së dënimit dhe e vendosi në shërbim prove për një periudhë 16-mujore. Po ashtu, u vendos dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Për tre të pandehurit e tjerë, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, që kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u vendos dënimi me nga 9 muaj burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbeti 6 muaj për secilin. Gjykata vendosi të pezullojë ekzekutimin e vuajtjes së dënimit edhe për tre të pandehurit e tjerë dhe u caktua që të kryejnë 60 orë punë publike.
Të njëjtat masa dënimi, si dhe pezullimin e tyre, kërkoi edhe SPAK gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare më 23 prill.
Sipas SPAK, nga hetimet e kryera është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor, Klubi Sportiv Tirana, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të KVO-së, kanë krijuar për operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në procedurën e prokurimit me objekt rikonstruksionin e palestrës së mundjes, tender i zhvilluar në dhjetor të vitit 2020.
Keçi u akuzua se është dakordësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të KVO-së, u akuzuan se nuk kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin, përsa i përket vlerësimit dhe klasifikimit të ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, që ka qenë i paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.
Sipas SPAK, kompania e cila kontrollohej nga Qato dhe Molla është 5D Konstruksion, e cila në QKB është regjistruar në pronësinë e Nestor Muhametllarit. Kompania 5D Konstruksion u themelua në vitin 2016 me emrin Igor Elektrik dhe e ndryshoi më pas emrin në vitin 2019 në V.A.S. Konstruksion dhe në vitin 2021 në 5D Konstruksion.







