
Gjykata e Posaçme vendosi të mërkurën më 28 maj ndarjen e çështjes penale në ngarkim të 9 të pandehurve për aferën e sterlizimit, ku nën akuzë është vendosur edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Pas shtyrjes së disa seancave, të mërkurën gjykata i vlerësoi të përfunduara kërkimet paraprake të të pandehurve, duke dalë me vendim lidhur me mënyrën e vijimit të procesit, megjithëse ish-ministri Beqaj pretendoi se ishte ende i paqartë për akuzën përfundimtare ndaj tij dhe se në këto kushte, nuk mund të parashtronte kërkimet për mënyrën e vijimit të gjykimit.
Në përfundim, gjykata vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të kryer nga 8 të pandehurit e tjerë, ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.
Pretendimet e Beqajt në seancën e të mërkurës u ngritën kundrejt akuzës përfundimtare të caktuar ndaj tij me ftesë të gjyqtares së seancës paraprake, Flojera Davidhi drejtuar prokurorëve të SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi. Prokurorët e akuzuan dhe kërkuan gjykimin e Beqajt për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim; ish-zv/ministrin Rrjepaj për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre; biznesmenin Ilir Rrapaj për mashtrim; ndërsa gjashtë të pandehurit e tjerë u akuzuan për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Gjatë seancës paraprake më 21 janar, bazuar në aktet hetimore, gjyqtarja Flojera Davidhi u bëri ftesë prokurorëve që të ndryshonin akuzat për Beqajn, Rrjepajn dhe Rrapajn. Në përfundim, ish-ministri dhe zëvendësi i tij u akuzuan për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturar kriminal”. Ndaj Rrjepajt u la dhe akuza e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa për Rrapajn u caktuan akuzat për vjedhje me pasojë të rëndë e kryer në bashkëpunim të posaçëm, dhe “grupi i strukturuar kriminal”.
I pandehuri Beqaj, i cili ishte i pranishëm në seancë, deklaroi se nuk kishte marrë përgjigje nga prokurorët e çështjes lidhur me kërkesa e tij, për një vendim që sipas tij tregon se është i pafajshëm. Ai vërejti se një vendim i një prokurori të Tiranës për këtë çështje është në dosje, ndërsa për një vendim tjetër tha se nuk e di nëse gjendet ose jo.
Në vijim gjykata pyeti prokurorët lidhur me çfarë parashtroi Beqaj, por Kondili u shpreh se i pandehuri nuk kishte një kërkesë konkrete, por se bëri thjesht një deklarim.
Kondili dha dakordësinë për kërkimin e tetë të pandehurve që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar për ndarjen e çështjes nga Beqaj. Ai argumentoi se kështu çështja do të mund të zgjidhet sa më shpejt. Kondili theksoi se i qëndronin vendimit të seancës paraprake.
Në këtë moment, përfaqësuesi i Beqajt, avokati Ermal Yzeiraj këmbënguli sërish te akuza, duke e cilësuar atë atribut të prokurorit. “Vendimi i Gjykatës nuk mund të jetë akuzë,” tha ai. Yzeiraj shtoi se dhe nëse i referoheshin vendimit, neni i përshkruar në ankim si vepra penale për të cilën akuzohet Beqaj, është armëmbajtje pa leje, që nuk ka të bëjë me këtë çështje. Sipas tij, ky nen citohet 15 herë në vendim dhe nuk mund të cilësohet si lapsus. Në përfundim, ai dhe Beqaj kërkuan që SPAK të njoftojë me shkrim akuzën për të cilën është kaluar çështja në gjykim. “Ku është akuza që ta lexoj. Unë nuk mund të pranoj akuzë verbale,” tha Yzeiraj, ndërsa Beqaj shtoi se në kërkesën e prokurorisë për gjykim përcaktohet si akuzë ndaj tij vepra penale e shpërdorimit të detyrës dhe se arsyetimi bëhet vetëm për këtë rrethanë. Ata kërkuan që të materializohet ftesa që gjykata u ka bërë prokurorëve për ndryshimin e akuzës.
Prokurori Kondili u shpreh se vendimi i gjykatës i ka të gjitha momentet, përfshi dhe akuzën. Ai shpjegoi se gjatë seancës paraprake, gjykata ka ftuar atë dhe kolegun Nakuçi që të ndryshojnë akuzën, pavarësisht qëndrimit që kishin duke e dërguar çështjen ndaj Beqajt në gjykatë vetëm shpërdorim detyre.
Kondili argumentoi ndër të tjera se baza ligjore përcakton se në një rast të tillë, prokurori ose e pranon ftesën e gjykatës, ose nuk e pranon. Sipas prokurorit Kondili, nëse nuk e pranonin çështja do kthehej për rihetim dhe mund të gjendeshin sërish në të njëjtën situatë. Ai pohoi se për të mos e bërë të pafundmë këtë proces, pranuan të ndryshonin akuzën sipas kërkimit të gjykatës. Kondili nënvizoi se në momentin e ndryshimit të akuzës, i pandehuri Beqaj ka marrë njoftim.
Sipas Kondilit, nuk ka ndonjë ngërç procedural, por Beqaj dhe avokati i tij këmbëngulën se i vetmi që vepron është prokurori dhe duhet që të formalizohen veprat e reja penale të ngritura në seancën paraprake.
Avokatët e tjerë vërejtën se legjislacioni përcakton se vendimi i seancës paraprake është i paankimueshëm dhe i detyrueshëm, nga për rrjedhojë duhet të vijohet me ndarjen e çështjes, ku Beqaj që nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar të veçohet, ndërsa 8 të pandehurit e tjerë të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
“Nuk jemi në momentin për të diskutuar nëse prokurori e ka saktësuar akuzën. Gjykata duhet ta ndërpresë debatin e të dalë me vendim nëse pranon ndarjen dhe gjykimin e shkurtuar”, tha avokati Ardian Leka ndër të tjera.
Në përfundim, gjykata vendosi pranimin e kërkesës së 8 të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari Bib Ndreca vërejti se të pandehurit që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar nuk kanë ngritur pretendime për papërdorshmëri të akteve dhe se çështja mund të gjykohet në gjendjen që janë aktet.
“Në kushtet kur i pandehuri Ilir Beqaj nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, vlerësojmë se ka vend për ndarjen e çështjes”, deklaroi Ndreca dhe shtoi se gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e disa prej të pandehurve për shpalljen e moskompetencës, duke i gjykuar të tetë së bashku.
Hetimet zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit edi rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Beqaj është dërguar për gjykim në fillim të muajit prill së bashku me 10 të pandehurit të tjerë për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kuhën kur ai drejtonte SASPAC.







