
Policia e Durrësit arrestoi të hënën Luis Xhumarin, operator turistik, nën akuzën për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, pas ngjarjes së ndodhur me dy turistë anglezë, ku humbi jetën drejtuesi 34-vjeçar i një Jet-ski (motorr uji).
“Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë Shkëmbit të Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh. u ka dhënë me qira një mjet lundrues tip Jet Ski shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh dhe nuk i ka pajisur me skafandra mbrojtëse”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Durrësit të shpërndarë të hënën.
Ngjarja ndodhi të dielën, kur shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit u njoftuan se një mjet lundrues kishte nevojë për ndihmë.
Dy turistët u nxorën nga uji dhe u transportuan menjëherë drejt portit, me qëllim dërgimin në spital. Njëri prej tyre, S. O., 34 vjeç, banues në Britani, ndërroi jete para se të arrite në spital, ndërsa tjetra, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu banuese në Britani, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore e shtruar në spitalin e Durrësit.
Aksidentet e rënda me mjete të shpejta si Jet-ski janë bërë të përvitshme, ndërsa marrja e masave për të kufizuar përdorimin e tyre nuk duket se ka funksionuar.







