
Të martën paradite, gjatë provimit të Gjuhës Angleze, ka rrjedhur teza e provimit në rrjetet sociale, vetëm 20 minuta pas nisjes së provimit. Tezat e provimit janë publikuar të paplotësuara në variantet A dhe B, në llogarinë e Instagramit “Studentët Denoncojnë”.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (MAS) ka reaguar duke siguruar studentët dhe familjarët e tyre se këto veprime nuk ndikojnë në proces.
“Publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk cënon procesin e Maturës Shtetërore,” tha MAS në reagim.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron maturantët, prindërit, mësuesit dhe publikun e gjerë se provimi i gjuhës së huaj po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në transparencë të plotë, sipas rregullores në fuqi”, citojnë përfaqësuesit e ministrisë.
Ky rast nuk mbetet një episod i izoluar, pasi vitin e kaluar rrjedhja e tezave të provimeve u përsërit përgjatë gjithë provimeve të Maturës Shtetërore.







