
Qindra qytetarë të shteteve të Ballkanit janë riatdhesuar urgjentisht nga qeveritë e tyre, ndërsa rritet frika për një përshkallëzim të mëtejshëm të armiqësive në Lindjen e Mesme, me Izraelin dhe Iranin që vazhdojnë të bombardojnë qytetet e njëri-tjetrit.
Tetëdhjetë e nëntë bullgarë të evakuuar nga Tel Avivi mbërritën në kryeqytetin Sofje me një avion që u ul në orën 02:30 të mëngjesit të së mërkurës. Pasagjerët nga Izraeli, të cilët përfshinin edhe qytetarë të SHBA-së, Sllovenisë, Belgjikës, Kosovës dhe Rumanisë, u dërguan fillimisht në Sharm el-Sheikh në Egjipt, nga ku u nis avionii tyre.
Të hënën, kryeministri bullgar Rossen Zhelyazkov tha se ka gjashtë qytetarë bullgarë në Teheran, të gjithë duke punuar në ambasadën bullgare.
“Ata aktualisht nuk po shqyrtojnë mundësinë për t’u larguar nga Irani, por ne do t’i ndihmojmë nëse ka një dritare mundësie dhe një dëshirë për ta bërë këtë nga ana e tyre”, tha Zhelyazkov.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë, rreth 385 shtetas rumunë kanë kërkuar ndihmë për riatdhesim nga Izraeli dhe Irani, duke përfshirë turistë, familje rezidente, qytetarë rumunë me shtetësi të dyfishtë dhe grupe pelegrinësh.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Andrei Tarnea tha se disa grupe kanë arritur tashmë të dalin nga rajoni përmes Egjiptit ose Jordanisë. “Këto operacione janë të ndjeshme dhe po kryhen në mënyrë diskrete për të shmangur rrezikimin e sigurisë së atyre që janë përfshirë”, shtoi Tarnea.
Ambasada rumune në Teheran ka identifikuar 40 individë që kanë nevojë për riatdhesim, disa prej të cilëve tashmë janë larguar vetë. Një numër i tyre janë midis qindrave që kanë arritur të largohen nga Irani për në vendet fqinje si Azerbajxhani ose Armenia.
Greqia të mërkurën në mëngjes riatdhesoi 105 qytetarë të vendit dhe anëtarët e familjeve të tyre që kishin mbetur të bllokuar në Tel Aviv gjatë ditëve të fundit.
“Ishim vazhdimisht nëpër strha. Nuk kam fjetur fare këto ditët e fundit”, tha një grua për Kathimerini pasi mbërriti në Athinë.
Në Maqedoninë e Veriut, një grup i parë qytetarësh të evakuuar nga Izraeli mbërriti në aeroportin e Shkupit vonë natën e kaluar me një avion qeveritar, tha Ministria e Jashtme.
“Me këtë, ne u bëmë një nga vendet e para në Evropë që organizoi dhe zbatoi me sukses kthimin e qytetarëve tanë nga zona e konfliktit”, tha Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Timco Mucunski.
Ministria tha se gjithsej 28 persona dëshirojnë të evakuohen dhe një fluturim i dytë do të organizohet nga Izraeli, por nuk specifikoi se kur do të ndodhë kjo.
Në Serbi, qeveria tha në një njoftim për shtyp se po “merr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë” e qytetarëve të Serbisë që ndodhen në Izrael dhe Iran.
Kryeministri Djuro Macut tha se disa qytetarë të Serbisë në Izrael janë evakuuar me sukses. Evakuimi nga Irani nuk u përmend.
Ndërkohë, Shqipëria tha se pesë nga qytetarët e saj janë evakuuar nga Izraeli dhe mund të ketë edhe të tjerë, ndërsa Ministria e Jashtme e Malit të Zi tha se po monitoron situatën dhe “u këshillon qytetarëve të shmangin të gjitha udhëtimet” në Izrael dhe Iran deri në njoftim të mëtejshëm, “për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe rritjes së rrezikut për sigurinë personale”.
Turqia, e cila ka një kufi tokësor me Iranin, nuk ka publikuar ende asnjë informacion në lidhje me ndonjë plan për evakuimin e qytetarëve të saj.







