
Kur kancelari gjerman Friedrich Merz mori detyrën më 6 maj 2025, pak vetë e kishin parashikuar se sa shpejt ai do të niste të riformësonte politikën e jashtme të vendit. Megjithatë, ndryshimi në ton ka qenë i pagabueshëm. Epokës së gjatë të hezitimit strategjik të Gjermanisë po i vjen fundi.
Në thelb të këtij riorientimi qëndron një rivlerësim i kthjellët i aleancës më të rëndësishme të Gjermanisë: marrëdhënies transatlantike dikur të paprekshme, e cila është gërryer ndjeshëm. Merz, një mbështetësh i hershëm i transatlanticizmit, tani e pranon hapur se Shtetet e Bashkuara nuk mund të shihen më si garantues të besueshëm të sigurisë evropiane apo si partner i qëndrueshëm ekonomik. Në një kritikë të ashpër publike, ai së fundmi dënoi ndërhyrjen e zyrtarëve të administratës Trump në politikën gjermane si “po aq drastike, dramatike dhe e turpshme sa ajo nga Moska.”
Ky ndryshim nuk është thjesht retorik. Që nga viti 1945, Evropa Perëndimore (ndjekur nga një pjesë e mirë e Evropës Qendrore dhe Lindore pas vitit 1989) e ka bazuar identitetin dhe sigurinë e saj në lidhjen me SHBA-në. Por pas 80 vitesh, qeveria Merz po e kthen fokusin e Gjermanisë drejt vetes, duke investuar fuqishëm në mbrojtjen vendase dhe duke mbështetur një Evropë më autonome. Ironikisht, ky ndryshim frymëzohet nga një vlerë tradicionale amerikane: besimi në fuqinë e demokracisë dhe lirisë. Nëse Evropa arrin ta riafirmojë këtë parim në mënyrë të pavarur, ajo mund të shfaqet si një lojtar vendimtar në rendin global në zhvillim.
Deri tani, qëndrimi i ri i politikës së jashtme gjermane mbështetet në tre shtylla: mbështetje ushtarake e palëkundur për Ukrainën, që Merz e sheh si themel strategjik; një qëndrim më i nuancuar ndaj Izraelit; dhe një përpjekje e qëllimshme për sovranitet evropian. Vendosmëria e qeverisë Merz është forcuar më tej përballë agresionit të pamëshirshëm të Rusisë, mungesës së interesit të presidentit Vladimir Putin për armëpushime apo negociata, si dhe pasigurisë nga ana e administratës Trump.
Gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin më 28 maj, Gjermania shpalli një paketë ndihme prej 5 miliardë eurosh (5.7 miliardë dollarë), që përfshin 1 miliard euro për sisteme mbrojtjeje ajrore si dhe ndihmë teknike dhe financiare për zhvillimin e përbashkët të armëve me rreze të gjatë veprimi në territorin ukrainas. Ky angazhim shënon një largim të dukshëm nga qasja më e kujdesshme e paraardhësit të Merz, Olaf Scholz.
Duke parë përpara, qëndrimi i Gjermanisë do të vihet në provë gjatë negociatave evropiane për sanksione më të forta kundër Rusisë dhe, më thelbësisht, përballë konfrontimit të pashmangshëm me Kinën për mbështetjen e saj të tërthortë ndaj përpjekjeve luftarake të Putinit.
Merz ka nisur gjithashtu të rikalibrojë qasjen e Gjermanisë ndaj Izraelit, që tradicionalisht ka qenë një mbështetje e palëkundur. Sipas vlerësimeve të fundit, lufta në Gazë – e nxitur nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor 2023 – ka shkaktuar mbi 53,000 viktima palestineze, çka ka çuar Merz-in dhe anëtarë kyç të kabinetit të tij të rishqyrtojnë pozicionin e Gjermanisë. Ata kanë shprehur shqetësim për shkallën e reagimit ushtarak të Izraelit dhe për përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë dhe ky ndryshim retorik përkon me qëndrimet e opinionit publik gjerman. Brezat e rinj, në veçanti, janë më pak të lidhur emocionalisht me ndjenjën e fajit të periudhës së Holokaustit dhe janë formësuar nga një shoqëri më e larmishme dhe pluraliste, që përfshin një popullsi të konsiderueshme myslimane.
Megjithatë, Gjermania dhe Izraeli mbeten të ndërlidhur në mënyrë të ndërsjellë. Pas një pezullimi dhjetëmujor të dërgesave të armëve gjermane drejt Izraelit, nga nëntori 2023 deri në gusht 2024, Gjermania rifilloi furnizimet dhe mbetet e angazhuar për blerjen e sistemeve izraelite të mbrojtjes ajrore Arrow 3 dhe dronëve Heron – për përdorim në mbështetje të Ukrainës. Megjithatë, ndryshimi në ton është domethënës dhe mund të paralajmërojë ndryshime në politikë. Një provë e afërt do të jetë nëse Gjermania do të mbështesë nismat për një zgjidhje me dy shtete dhe pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael. Kjo marrëveshje, që nga viti 2000, i ka siguruar Izraelit qasje të privilegjuar në tregun evropian dhe pezullimi i saj po shihet gjithnjë e më shumë si një mjet për të ushtruar presion ndaj Netanyahu-t që ai të respektojë të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe t’i japë fund sulmeve në Gazë.
Por elementi më domethënës i politikës së jashtme të hershme të Merz është theksi që ai ka vënë mbi ndjekjen e autonomisë strategjike evropiane. Përballë tërheqjes amerikane, Gjermania ka ndërmarrë përpjekjen e saj më të madhe për armatosje që nga viti 1945, duke alokuar 400 miliardë euro për mbrojtjen dhe sigurinë.
Kjo rritje masive e shpenzimeve për mbrojtje u bë e mundur nga një ndryshim kushtetues për të zbutur “frenën e borxhit” të vendit (një kufi për deficitet vjetore). Ndërkohë që qeveria e mëparshme hapi një kapitull të ri duke stacionuar një brigadë të plotë gjermane në Lituani, Merz i ka thelluar edhe më tej këto nisma dhe i ka bërë të vetat, duke forcuar kështu besueshmërinë e Gjermanisë si një partner i qëndrueshëm brenda NATO-s dhe më gjerë.
Këto lëvizje mund të mos përbëjnë një revolucion në politikën e jashtme gjermane, por ato përfaqësojnë një evolucion domethënës. Prej kohësh komode në rolin e saj si një fuqi ekonomike dhe një aktor diplomatik, Gjermania po merr tani përgjegjësi gjeopolitike në përputhje me kapacitetet e saj.
A do të mbahet mend Merz si lideri gjerman që e realizoi Zeitenwende (pikë kthese historike) që deklaroi Scholz pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022? Brenda institucioneve të BE-së dhe në shtete anëtare kyçe si Franca dhe Polonia (si edhe në Mbretërinë e Bashkuar), vendosmëria e re e Gjermanisë po riformëson tashmë debatet mbi mbrojtjen, demokracinë dhe sovranitetin. Në një botë ku pushteti po rinegociohet dhe aleancat po vihen në provë, Gjermania më në fund po fillon të udhëheqë sipas kushteve të saj.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The End of German Complacency







