
Kur Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative u themelua në vitin 2005, ai ishte një nismë e vogël, për të cilin disa mendonin se nuk do të arrinte të mbijetonte.
Por gjatë 20 viteve që pasuan, BIRN arriti të shndërrohej në një nga OJQ-të rajonale më të rëndësishme të medias në Ballkan, me seli në Bosnjë dhe degë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Rumani dhe Serbi.
“Ata kanë krijuar një organizatë të fuqishme që i kërkon llogari pushtetit dhe që ka luajtur një rol të rëndësishëm në peizazhin mediatik të rajonit që prej themelimit të saj, dhe këtë po e bën gjithnjë e më shumë”, tha Tim Judah, gazetar britanik, kryetar bordi i BIRN-it dhe korrespondent special për The Economist.
BIRN prodhon gazetari të thelluar investigative, trajnon dhe mentoron gazetarë dhe promovon lirinë e medias, transparencën dhe llogaridhënien në të gjithë Ballkanin përmes raportimit të pavarur dhe projekteve në interes të publikut.
BIRN gjithashtu boton Balkan Insight, publikimin e saj kryesor në gjuhën angleze, i cili ka evoluar nga një buletin javor me email në një faqe interneti të respektuar ndërkombëtarisht, si dhe menaxhon dhjetëra projekte në nivele lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndikimi te vendimmarrësit

Gordana Igric ishte një nga pesë themelueses e BIRN-it në vitin 2005 dhe drejtoreshë rajonale e organizatës deri në vitin 2018. “Pesë personat që ishin në fillim tani janë rritur në rreth 200 vetë në të gjithë rajonin”, tha Igric.
Zyrat kombëtare të BIRN-it prodhojnë artikujt investigativë, trajnojnë gazetarë lokalë, monitorojnë gjykatat dhe shpenzimet publike, si dhe mbështesin lirinë e shtypit dhe llogaridhënien qytetare përmes ëorkshop-eve dhe raportimit mbi çështje si korrupsioni, krimet e luftës dhe prokurimi publik. Ato gjithashtu botojnë artikujt e tyre në faqet përkatëse në gjuhët lokale në gjithë Ballkanin: Reporter.al në Shqipëri, Detektor në Bosnje dhe Hercegovinë, Kallxo në Kosovë, Birn.me në Mal të Zi, Prizma në Maqedoninë e Veriut, Sinopsis në Rumani dhe Birn.rs në Serbi.
Gjatë dy dekadave, Balkan Insight ka publikuar mbi 70,000 artikuj në gjuhën angleze. Në vitin 2024, faqja pati 5.5 milionë vizita, 1.5 herë më shumë se në vitin 2023.
“Ajo është bërë një burim kyç informacioni për zhvillimet në rajon”, tha Nerma Jelacic, një nga themelueset e BIRN-it, e cila më pas u bë një eksperte globale e drejtësisë transnacionale.
“E shoh që nga Nju-Jorku në Londër apo edhe gjetkë se Balkan Insight ka veshin e vendimmarrësve dhe politikbërësve, dhe ata i lexojnë ato që raportohen”, tha Jelacic.
Duke ofruar mbulim të lajmeve dhe çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit, BIRN ka zgjeruar gjithashtu fokusin për të raportuar nga Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia si pjesë e programit Reporting Democracy, i cili analizon çështjet që ndikojnë në të ardhmen e demokracisë në vendet anëtare të BE-së në Evropën Qendrore, përfshirë rritjen e populizmit politik dhe regjimeve joliberale.
Çmime të shumta

Një nga programet më të rëndësishme të BIRN-it është Bursa për Gazetari Ekselente, e cila synon të mbështesë gazetarinë cilësore në një rajon që shtrihet në 14 vende, nga Polonia dhe Çekia deri në Greqi dhe Rumani.
Bursa ka funksionuar që nga viti 2007 dhe mbi 150 gazetarë nga rajoni kanë marrë pjesë deri më tani, duke fituar çmime të shumta lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.
“Na duhej t’i trajnonim gazetarët, për të qenë të sinqertë, që të kishim me kë të punonim”, tha Dragana Zarkovic Obradovic, drejtoreshë e BIRN Serbia dhe drejtoreshë rajonale e programit të Bursës. Programi fokusohet në artikuj të thelluar dhe të gjatë, duke ndihmuar pjesëmarrësit të përmirësojnë aftësitë përmes mentorimit nga redaktorë ndërkombëtarë me përvojë.
Zarkovic Obradovic tha se ky program ofron “mjaft burime dhe kohë të mjaftueshme për gazetarët në mes të karrierës së tyre që ta çojnë atë në një nivel tjetër, përmes kësaj përvoje vërtet unike.”
Gazetarja nga Kosova, Serbeze Haxhiaj, u përzgjodh për të marrë pjesë në Bursë në vitin 2016.
“Tema që zgjodha ishte e ndjeshme dhe e vështirë: mbrojtja e dëshmitarëve në gjyqet për krime lufte”, tha Haxhiaj.
Që atëherë, ajo ka fituar gjithsej 19 çmime gazetareske për artikuj të publikuar nga BIRN, përfshirë një për foshnjat e lindura nga gratë shqiptare të Kosovës të përdhunuara nga forcat serbe gjatë luftës. Ky reportazh fitoi çmimin e parë në Çmimet për Gazetari Investigative të BE-së në Kosovë në vitin 2019.
Që nga themelimi, BIRN ka fituar 155 çmime lokale, rajonale dhe ndërkombëtare për raportimet mbi çështje si krimet e luftës, korrupsioni dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, përfshirë çmime të ndara nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Reporterët pa Kufij dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Por suksesi gazetaresk i organizatës përgjatë 20 viteve nuk do të ishte i mundur pa njerëzit që punojnë në sektorë si programet, logjistika dhe financat.
Maida Selmanovic, menaxhere financiare në BIRN Hub në Sarajevë, është njëra prej tyre. Gjatë 16 viteve të fundit, ajo e ka parë organizatën të rritet.
“U bashkova me BIRN-in në janar të vitit 2008 si financiere. Në atë kohë, BIRN-i ishte ende një organizatë relativisht e re dhe isha e emocionuar për mundësinë për të qenë pjesë e një ekipi dinamik që punonte për të sjellë ndryshim përmes gazetarisë investigative dhe zhvillimit të medias”, tha Selmanovic.
“Ka qenë frymëzuese të shohësh se si BIRN është rritur nga një nismë rajonale më e vogël në një rrjet të fuqishëm me një gamë të gjerë aktivitetesh në disa vende.”
Sigurisht që gjatë këtyre viteve ka pasur edhe sfida.
“Një nga sfidat më të mëdha ka qenë gjithmonë menaxhimi i kërkesave komplekse të donatorëve, raportimi financiar dhe përputhshmëria në një mjedis që ndryshon vazhdimisht. Çdo projekt vjen me rregullat dhe pritshmëritë e veta, gjë që kërkon saktësi, fleksibilitet dhe koordinim të vazhdueshëm”, shpjegoi Selmanovic.
Sfidat e reja

Mjedisi mediatik në Ballkan ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, me ngritjen e rrjeteve sociale, kanaleve televizive me stil tabloidi dhe faqeve të internetit me lajme sensacionale për klikime. Në shumë vende, autoritarizmi në rritje, populizmi i djathtë dhe presioni mbi median nga qeveritë kanë paraqitur sfida shtesë, ndërsa financimi i mediave të pavarura mbetet një problem kritik për mbijetesën e tyre të vazhdueshme.
Selmanovic e përmend “aftësinë e BIRN-it për t’u përshtatur me sfidat e reja duke ruajtur përkushtimin ndaj gazetarisë investigative me cilësi të lartë” si çelës të suksesit të tij.
Raportimi cilësor është në qendër të Shkollës Verore të Gazetarisë Investigative që BIRN organizon çdo vit, e cila bashkon gazetarë me redaktorë të vlerësuar me çmime, gazetarë investigativë të nivelit të lartë dhe ekspertë të gazetarisë së të dhënave për të eksploruar zhvillimet e reja dhe për të rritur aftësitë e tyre. Shkolla Verore e këtij viti do të mbahet në Prishtinë, Kosovë.
Përveç programeve që synojnë forcimin e kapaciteteve gazetareske, BIRN vazhdon të ruajë fokusin mbi të drejtat dhe liritë përmes nismave si Programi për të Drejtat Digjitale, i krijuar në vitin 2019 për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në internet.
“Motivimi kryesor për nisjen e Programit për të Drejtat Digjitale ishte nevoja gjithnjë e më e madhe për të mbrojtur të drejtat digjitale të qytetarëve dhe gazetarëve – që në thelb janë të drejta të njeriut në hapësirën digjitale – në një kohë kur liria e shprehjes dhe qasja në informacion po zhvendosen gjithnjë e më shumë në sferën digjitale”, tha Azra Milic, koordinatore e këtij programi në BIRN.
Milic tha se me përparimin e teknologjisë, rriten edhe sfidat si survejimi, censura, dezinformimi dhe keqpërdorimi i të dhënave personale.
“BIRN e njohu rëndësinë e këtyre çështjeve dhe nevojën që gazetarët, aktivistët dhe qytetarët të jenë të informuar dhe të fuqizuar për t’u mbrojtur në mjedisin digjital”, theksoi ajo.
BIRN monitoron rregullisht shkeljet e të drejtave digjitale në dhjetë vende të Evropës Juglindore dhe Qendrore, publikon një Raport Vjetor për Shkeljet e të Drejtave Digjitale, përgatit raporte, trajnon gazetarë lokalë përmes granteve dhe bursave, organizon konferenca dhe kontribuon në mbulimin e këtyre çështjeve nga Balkan Insight.
Si një organizatë që u rrit në epokën e internetit, në një rajon tepër sfidues për median e pavarur, BIRN ka bërë një rrugëtim të gjatë që nga viti 2005, por edhe pse përshtatet me kohët në ndryshim, fokusi i saj në të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike mbetet i pandryshuar.







