
Tetë vende evropiane, së bashku me Australinë dhe Kanadanë, kanë konfirmuar për BIRN se këtë vit do të përkujtojnë zyrtarisht 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.
Kjo pason miratimin vitin e kaluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) të një rezolute që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Disa vende, si Britania e Madhe, tashmë kanë mbajtur aktivitete për të përkujtuar përvjetorin e gjenocidit, ndërsa Danimarka, Franca, Belgjika, Holanda, Austria, Suedia dhe Irlanda planifikojnë ta bëjnë këtë në korrik.
Edvin Kanka Cudiç, themelues i Shoqatës për Kërkime Shoqërore dhe Komunikim, që fokusohet në të drejtat e njeriut, beson se, me miratimin e rezolutës, 11 korriku bëhet po aq i rëndësishëm për vendet anembanë botës, jo vetëm për Bosnje dhe Hercegovinën.
“Përkujtimi i Srebrenicës në vendet evropiane dhe botërore duhet të shërbejë që slogani ‘Kurrë më!’ të fillojë të jetojë. Të mos jetë vetëm një frazë boshe, por një premtim i vërtetë dhe një garanci për një të ardhme më të sigurt,” thotë Cudiç.
BIRN dërgoi kërkesa për të drejtë informimi në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe në Britani, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe gjithashtu në Kinë, e cila votoi kundër rezolutës së UNGA-së. Dymbëdhjetë vende iu përgjigjën kërkesës dhe nëntë prej tyre deklaruan se po organizojnë aktivitete për të përkujtuar masakrat e korrikut 1995.
Ndër të parët që mbajtën një përkujtimore pas miratimit të rezolutës ishte vetë OKB-ja, ku në selinë e saj në Nju-Jork u organizua një ekspozitë me titull “Nga Fjalët te Dhuna: Jetët pas Fushave të Vdekjes”. Ekspozita u realizua nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës dhe BIRN Bosnje dhe Hercegovina.
“Sot, kur 11 korriku është në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, e dimë se nuk jemi harruar; as ne, as e vërteta jonë”, tha Emir Suljagiç, drejtori i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, gjatë hapjes së ekspozitës në Nju-Jork.
Rezoluta e UNGA-s u miratua me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime. Ajo dënon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës dhe veprimet që glorifikojnë persona të dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.
Po ashtu bën thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi atë që ndodhi në korrik të vitit 1995, përmes aktiviteteve përkujtimore dhe edukative.
Nga fjalët te veprat

Në Danimarkë, nënshkrimi i rezolutës shihet si një detyrim që arsimi i vazhdueshëm, kërkimet shkencore dhe presioni ndërkombëtar të garantojnë që e vërteta për gjenocidin të mbetet e qartë dhe e njohur në mënyrë të padiskutueshme, tha ambasada e Bosnjës në Kopenhagë për BIRN.
Në qershor u mbajtën disa aktivitete, përfshirë një ngjarje përkujtimore të titulluar “Srebrenica – 30 Vjet Më Pas”. Ambasada tha se Sekretarja Shtetërore për Punët e Jashtme, Lotte Machon, theksoi se “Danimarka do të mbetet e përkushtuar ndaj rëndësisë së përkujtimit dhe përhapjes së mësimeve që të gjithë duhet të nxjerrin nga gjenocidi kundër boshnjakëve në Srebrenicë”.
“Deklarata të tilla nga zyrtarët danezë thjesht e konfirmojnë mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës, ndjeshmërinë dhe rolin aktiv lidhur me gjenocidin e Srebrenicës, si dhe qëndrimin e saj ndaj të mbijetuarve dhe viktimave të gjenocidit”, tha Anesa Kunduroviç Miljak, ambasadore e Bosnjës dhe Hercegovinës në Danimarkë.
Në Francë, rezoluta ishte vendimtare në vendimin e autoriteteve të Parisit për të dhënë miratimin për ndërtimin e një monumenti për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, sipas Jacques-Olivier David, president i Solidarité Internationale Bosnie-Herzégovine-France, organizata që ndërmori këtë nismë.
David tha se në kryeqytetin francez do të ketë një seri aktivitetesh për të shënuar përvjetorin. “Gjatë gjithë kësaj dite përkujtimore, do të ketë fjalime, një lexim të vazhdueshëm të emrave të 8,372 viktimave të gjenocidit, dëshmi të një të mbijetuari nga kolona e njerëzve që iknin nga Srebrenica në korrik 1995, por gjithashtu do të ketë edhe një ditë studimore mbi klasifikimin e krimit të gjenocidit”, tha ai.
Në Holandë, prej disa vitesh mbahet një përkujtimore e përvitshme, që reflekton rolin e paqeruajtësve të vendit në tragjedi. Edhe këtë vit, në Hagë do të organizohen një marshim për paqen dhe një lexim i emrave të viktimave.
“Në këtë mënyrë, qeveria holandeze po riafirmon përkushtimin e saj për ruajtjen e kujtesës së Srebrenicës dhe për luftën kundër mohimit të gjenocidit”, tha ambasada e Holandës në Sarajevë për BIRN.
Britania nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN mbi aktivitetet e planifikuara për këtë vit. Në Mbretërinë e Bashkuar, përkujtimoret janë mbajtur rregullisht vitet e fundit. Një ceremoni për viktimat u zhvillua në Katedralen e Shën Palit në Londër në qershor, si dhe një aktivitet vendosjeje kurore ku morën pjesë të mbijetuar dhe zyrtarë qeveritarë në Ëestminster Abbey këtë javë.
Në Belgjikë, do të ketë një ekspozitë përkujtimore për Srebrenicën në Bruksel, ndërsa në Australi mbahet çdo vit një ceremoni përkujtimore për viktimat.
Në Kanada, parlamenti shpalli më 2020-ën datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të Srebrenicës. “Përkujtimi i përvitshëm është një mundësi për të nderuar viktimat e gjenocidit dhe për të pranuar plagët e thella emocionale që mbajnë të mbijetuarit dhe të dashurit e tyre”, deklaroi qeveria kanadeze.
Sipas raportimeve të mediave, përkujtimorja kryesore në Kanada do të mbahet më 5 korrik në qytetin Uindsor, përpara një monumenti kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.
Ndërkohë, zyrtarët finlandezë do të udhëtojnë në Srebrenicë për përkujtimoren e 11 korrikut, ndërsa Suedia dhe Austria konfirmuan se planifikojnë ta përkujtojnë përvjetorin, por nuk dhanë detaje për aktivitetet e planifikuara.
Estonia dhe Polonia thanë se e njohin gjenocidin, por nuk do ta përkujtojnë zyrtarisht 11 korrikun.
Parlamenti irlandez do të mbajë një minutë heshtje më 11 korrik, ndërsa zyrtarët e tij do të marrin pjesë në ngjarjet përkujtimore në Srebrenicë dhe Dublin. Irlanda gjithashtu planifikon të hapë një ambasadë në Sarajevë më vonë gjatë këtij viti.
“Kjo është një njohje jo vetëm e lidhjeve të ngushta midis vendeve tona, por edhe e mbështetjes së Irlandës për popujt e Bosnjës dhe Hercegovinës teksa ata vazhdojnë rrugën e tyre drejt pajtimit”, tha Ministria e Jashtme irlandeze.
Historiani Dragan Markovina e sheh votimin e UNGA-s për rezolutën dhe zbatimin e saj si veprime që varen nga orientimi gjeopolitik i shteteve individuale. Ai tha se këto hapa sjellin kënaqësi morale për viktimat, por nuk do të ndryshojnë asgjë brenda vetë Bosnjës dhe Hercegovinës.
“I gjithë problemi i qëndrimit ndaj gjenocidit të Srebrenicës qëndron në faktin se politika zyrtare e një entiteti (Republikës Srpska) dhe politika nacionaliste e Serbisë thjesht nuk e njohin atë”, tha Markovina për BIRN.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk përmend Serbinë, Republikën Srpska apo popullin serb. Megjithatë, Serbia e kundërshtoi rezolutën dhe, para miratimit të saj, presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri thirrje për votë kundër, duke argumentuar se ajo ishte e politizuar dhe nuk do të sillte pajtim, por “kaos politik”.
Rritja e ndërgjegjësimit në shkolla

Rezoluta e UNGA-s dënon çdo mohimi të gjenocidit të Srebrenicës dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të rrisin ndërgjegjësimin për atë që ndodhi në korrik 1995 përmes edukimit.
Pas miratimit të rezolutës, Çekia ndërmori një nismë për të përfshirë përmbajtje rreth gjenocidit në programin arsimor kornizë, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë.
“Ministria e Jashtme e Çekisë u bëri thirrje departamenteve përgjegjëse për arsimin që të marrin parasysh rezultatet e rezolutës dhe ta përfshijnë atë në programin arsimor kornizë”, deklaroi ajo.
Disa vende kanë mësuar nxënësit për gjenocidin shumë përpara nënshkrimit të rezolutës. Suedia, Holanda dhe Austria e theksuan këtë në përgjigjet e tyre për BIRN.
Suedia e ka përfshirë gjenocidin në kurrikulën zyrtare të historisë dhe shkencave shoqërore, dhe ka një agjenci shtetërore të posaçme – Forumi i Historisë së Gjallë – të dedikuar edukimit për gjenocidet. Në Estoni, megjithëse gjenocidi i Srebrenicës nuk është zyrtarisht pjesë e kurrikulës, “mësuesit mund ta përfshijnë lirisht në mësimet e tyre nëse e konsiderojnë të rëndësishëm dhe të përshtatshëm,” tha ambasada estoneze në Budapest.
Sistemi arsimor holandez përfshin mësimin për gjenocidin e Srebrenicës, por kjo temë nuk trajtohet në të njëjtën mënyrë në të gjitha shkollat. Pesë vjet më parë, qeveria njoftoi se kjo qasje duhet të rishikohet dhe po heton mënyrat më të mira për të përfshirë edukimin mbi gjenocidin në programin kombëtar arsimor.
Gjenocidi i Srebrenicës studiohet më në detaje në universitete, veçanërisht në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Utrecht.
“Ky program ndërdisiplinor përfshin kurse mbi kontekstin historik, luftën dhe median, të drejtën dhe artin, dhe përfundon me një udhëtim studimor në Srebrenicë dhe Sarajevë. Studentët i kanë përshkruar këto përvoja si transformuese për jetën”, tha ambasada e Holandës në Sarajevë.
Sipas ambasadës, momenti i krijuar nga miratimi i rezolutës së UNGA-s përbën një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjenocidin.
Në Poloni, një zëdhënës i qeverisë tha se Srebrenica mësohet në shkolla dhe se, për shkak të përvojës së vetë Polonisë me vuajtje, ekziston një ndjeshmëri e lartë publike për krimet e luftës, veçanërisht ato të kryera kundër civilëve.
“Gjenocidi në Srebrenicë, ashtu si edhe krimet e tjera të luftës të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë midis viteve 1992 dhe 1995, janë pjesë e kurrikulës së historisë në shkollat polake, sepse kjo temë e rëndësishme është e afërt me zemrat e popullit polak”, tha zëdhënësi.
Edvin Kanka Cudiç argumenton se edukimi është aspekti kyç, pasi ai do ta mbajë Srebrenicën gjallë në kujtesën e njerëzve.
“Ne besojmë se, me kalimin e kohës, vendet individuale do të ndryshojnë agjendat e tyre përkujtimore, do të ndjekin rekomandimet nga rezoluta dhe do ta fusin përvjetorin e gjenocidit si një datë për t’u përkujtuar”, tha Cudiç.
Përmes disa vendimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (GJPNJ), e themeluar nga vetë OKB-ja, u përcaktua se në Srebrenicë u krye gjenocid në korrik 1995, kur më shumë se 7,000 burra dhe djem u vranë.
Pavarësisht shumë vendimeve gjyqësore dhe fakteve të vërtetuara, zyrtarët në entitetin e Republikës Srpska të Bosnjës dhe në Serbi nuk e pranojnë se vrasjet e vitit 1995 përbëjnë gjenocid – dhe historiani Markovina argumentoi se përpjekjet në skenën ndërkombëtare nuk mund ta ndryshojnë këtë.
“Duke qenë se po flasim për politikanë nacionalistë serbë, nuk shoh që do të ketë mjaftueshëm shtysë politike dhe intelektuale në të ardhmen e afërt për të ndryshuar marrëdhënien e autoriteteve serbe me kulturën e kujtesës për gjenocidin e Srebrenicës”, tha ai.







