
Në një dokument të firmosur nga të pestë anëtarët e KAS-it, pasi përshkruhet procesi nga numërimi fillestar, ankimimet e partive dhe më pas rinumërimi, konstatohet se numëruesit kanë kryer shkelje.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të përkatëse dhe gjendjes faktike të fletëve të votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS,” thuhet në kërkesën drejtuar Celibashit.
Më tej, anëtarët e KAS-it sqarojnë se “këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces të mëtejshëm administrativ nga ana Juaj, për të identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave, pasi në zbatim të nenit 19 pika 1 shkronja ‘b’, është Komisioneri ai që drejton dhe mbikëqyr, drejtpërdrejt ose nëpërmjet administratës së KQZ-së, veprimtarinë e administratës zgjedhore gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve.”
Sipas anëtarëve të KAS-it, hetimi administrativ është i domosdoshëm, pasi nga analizat e deritanishme rezulton se anëtarë të grupeve të numërimit, në raste të veçanta, kanë tjetërsuar rezultatin.
“Referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet midis rezultateve të miratuara nga GNV-të dhe atyre që rezultojnë nga fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë për tjetërsim të rezultatit nga anëtarët e GNV-ve në raste të caktuara,” theksohet në dokument.
Në përfundim, anëtarët e KAS-it kërkojnë vijimin e hetimit administrativ, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi “për të identifikuar dhe dalluar rastet që përbëjnë kundërvajtje administrative, nga ato që ngrejnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova për kryerjen e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, si dhe nga rastet që nuk përbëjnë shkak për procedim.”
Me kërkesë të koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, KAS u vu në lëvizje dhe, me propozim të dy anëtarëve të opozitës, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, u rinumëruan plotësisht votat brenda vendit në qarqet Tiranë dhe Fier, si dhe pjesërisht në Durrës dhe Dibër.
Fenomeni i tjetërsimit të votave, që anëtarët e KAS-it e cilësuan gjatë procesit si krim zgjedhor, u konstatua më shumë në qarkun e Fierit, ku disa kandidatë si nga PS ashtu edhe nga PD rezultuan me qindra vota të padrejta. Përfituesi kryesor doli kandidati socialist Ceno Klosi, i cili kishte marrë mbi 900 vota më shumë se ato që gjendeshin realisht në kuti; gati gjysma e tyre ishin devijuar nga kandidati tjetër socialist, Klevis Jahjaj.
Edhe nga radhët e Partisë Demokratike u evidentua fenomeni i tjetërsimit, pasi kandidatja Silvana Hasaj rezultoi të kishte marrë gati 700 vota më shumë në mënyrë të pajustifikuar. Lëvizje votash u vunë re edhe mes kandidatëve të tjerë, por në shumë raste anëtarët e KAS-it i konsideruan ato si “gabime njerëzore.”







