
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të premten sekuestrimin e disa pasurive të një personi të dënuar në Belgjikë për veprat penale të vjedhjes dhe grupit të strukturuar kriminal, mes të cilave automjete, vlera monerate dhe bizhuteri.
Sipas njoftimit, pasuritë i përkasin personit me inicialet D.D dhe familjarëve të tij, të cilët identifikohen si subjekte të ligjit “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”.
“…Janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të personave nën hetim pasuror dhe të personave të lidhur me ta, të cilat sipas hetimeve të deritanishme rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohen se janë rezultat i veprimtarisë kriminale së tyre,” thuhet në njoftim.
Mes pasurive të sekuestruara me vendim të Gjykatës së Posaçme është një kompani sigurie, tre automjete dhe tre motorë, 77.360 euro dhe 2 milionë lekë, 52 ora të markave të ndryshme, bizhuteri dhe monedha ari. Gjithashtu u sekuestruan edhe 15 pajisje elektronike, mes të cilave lap top, I-Pad dhe aparatë fotografikë.







