
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të hënën se kishte dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim ndaj Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjell Cara dhe Shkëlqim Hoxha, ish-kandidat për kryebashkiak në zgjedhjet e vitit 2023.
Katër persona akuzohen nga prokuroria se blenë vota përmes pagesës së biletave të udhëtimit, ndërsa Hoxha akuzohet për moskallëzim krimi. Prokuroria thotë se ish-kandidati i opozitës për kryebashkiak në Rrogozhinë ishte në dijeni që të akuzuarit e tjerë kishin paguar biletat për të siguruar vota për të, dhe nuk referoi rastin.
“Hetimet treguan se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë,” thuhet në njoftimin për shtyp.
Ky është procedimi i dytë që shkon në gjykatë në lidhje me zgjedhjet lokale në Rrogozhinë. Në fillim të këtij viti, kryebashkiaku Edison Memolla, që ishte edhe rivali i Hoxhës në zgjedhjet e vitit 2023, u dënua nga Gjykata e Posaçme me 1 vit burg për akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet e pjesshme të marsit 2022 për këtë bashki.
Zgjedhjet lokale të vitit 2023 në Rrogozhinë patën një sërë parregullsish. Pas votimeve më 14 maj 2023, zgjedhjet u fituan nga kandidati i shumicës socialiste, Edison Memolla, por pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës, zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi ato për herë të tretë në korrik 2023.







