
Në seancën e zhvilluar këtë të martë në Gjykatën Administrative të Apelit, trupa gjykuese e përbërë nga Lutfije Celami (relatore), Entela Shedula, Rexhep Bekteshi, Artan Çupi dhe Iliba Bezati vendosi të linte në fuqi vendimin e komisionerit Ilirjan Celibashi dhe Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, duke konfirmuar Arjan Ndojën si të gjashtin e zgjedhur nga radhët e koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qarkun e Durrësit.
Arjan Ndoja, si palë e interesuar në këtë çështje gjyqësore, u përfaqësua nga avokati Rexhë Margjeka, i cili që në nisje të seancës parashtroi kërkesën për të mos legjitimuar Ullirin. “Ne mendojmë se Andia Ulliri nuk legjitimohet për këtë padi. Në bazë të Kodit Zgjedhor, të drejtën e ankimit e kanë subjektet zgjedhore dhe jo individët personalisht”, deklaroi Margjeka.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i deputetes demokrate, i cili pohoi se Ndoja duhej të ishte paraqitur për këto pretendime në KQZ dhe KAS e jo vetëm në Kolegj Zgjedhor. “Kjo kërkesë është totalisht e pabazuar, pasi pala ka pasur mundësinë që të paraqitej në KAS dhe në KQZ. Ky pretendim i tyre se nuk legjitimohemi ka rënë në dekadencë. Paditësja është legjitimuar nga Komisioneri dhe nga KAS, ku ka interes të ligjshëm”, pohoi avokati.
Sipas tij, Ulliri preket drejtpërdrejt nga vendimi i Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, ndaj legjitimohet për të kërkuar të drejtën e saj, duke theksuar se nuk kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme, por vetëm ndryshim të renditjes brenda listës së PD-ASHM. “Nëse Kryekomisioneri merr vendim të paligjshëm duke i dhënë mandatin Jola Hysajt, e cila renditet e dhjeta në listën shumëemërore, dhe nëse PD nuk ankohet, kush e merr mandatin? Nuk mund të ankohen kandidatët e tjerë?”, ishte pyetja e ngritur prej tij në sallën e gjyqit për të argumentuar se pse ligjitohej e përfaqësuara prej tij.
Pretendimet e tij u kundërshtuan edhe nga përfaqësuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Pavlina Doçaj, e cila pohoi se në Kolegjin Zgjedhor “nuk mund të ankohen individët, por këtë të drejtë e kanë vetëm subjektet”. Ajo solli në vëmendje edhe vendimin e kësaj gjykate që rrëzoi padinë e Aulon Kalasë për mungesë legjitimiteti. Por Sefa kundërshtoi, duke thënë se shembulli i marrë nuk qëndron, pasi kandidati tjetër kishte pasur pretendime për rezultatin.
Gjykata, pasi dëgjoi të gjitha palët, u tërhoq në dhomë këshillimi dhe brenda pak minutash shpalli vendimin duke pranuar kërkesën e përfaqësuesit ligjor të Arjan Ndojës dhe nuk legjitimoi Ullirin si kërkuese, duke pushuar çështjen. “Trupi gjykues, pasi dëgjoi palët lidhur me kërkesën e përfaqësuesit të Arjan Ndojës, vendosi pushimin e çështjes për shkak të mungesës së legjitimimit. Ky vendim është i formës së prerë dhe nuk mund të bëhet ankim”, pohoi relatorja Lutfije Celami.
Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor duket se nuk e surprizoi as avokatin Sefa dhe as vetë Andia Ullirin, të cilët pohuan se çështjen do ta ndjekin deri në fund dhe do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. “Në radhë të parë falënderoj trupin gjykues që sakrifikoi nga pushimet e tyre për të mbajtur seancën. Për të mos sakrifikuar më shumë nga pushimet e tyre, ata i ranë shkurt çështjes. Nuk dëgjuan as argumentet e palëve. Si përfundim nuk e legjitimuan me një justifikim absurd, me standard shumë të cunguar dhe interpretim të gabuar të ligjit. Pra, kandidatët Kolegji nuk i quan më as si qenie juridike. Ne e dinim standardin e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor apo KAS-it, por duhet ta bënim këtë për të hapur rrugën për në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi për mediat avokati.
Nga ana tjetër, vetë Andia Ulliri deklaroi se ishte e keqardhur nga vendimi i trupës gjykuese, por theksoi se beteja e saj tashmë zhvendoset në Kushtetuese. “Sot kuptuam se një pjesë e drejtësisë që ne aspirojmë mungon dhe nuk mund të ngresh as pretendime ligjore”, pohoi deputetja.
Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qarkun e Durrësit arriti të merrte 6 mandate në zgjedhjet e 11 majit, 5 nga lista e mbyllur dhe vetëm një nga lista e hapur. Renditja e listës së mbyllur, në bazë të Kodit Zgjedhor, është e fiksuar dhe nuk ndryshon. Kandidatët e saj ishin: Oerd Bylykbashi, Artan Luku, Manjola Luku, Gent Strazimiri dhe Igli Cara, ndërsa nga lista e hapur kandidati me më shumë vota rezultoi ish-prokurori Arjan Ndoja.







