
Mos i ngatërroni fotot e presidentit kinez Xi Jinping pranë presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un në paradën e Ditës së Fitores në Pekin me një rend të ri botëror. Xi nuk është në gjendje ta udhëheqë një të tillë. Por ai sheh një hendek në lidershipin globale dh po lëviz për ta shfrytëzuar atë.
Historia e vërtetë e javës së kaluar nuk ishte parada ushtarake që kalonte nëpër Sheshin Tiananmen. Ishte lista e të ftuarve në samitin paraardhës të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), më i madhi që nga themelimi i saj në vitin 2001. Përballë një Shtëpie të Bardhë unilaterale, politikat e së cilës ndryshojnë po aq shpejt sa humori i presidentit amerikan Donald Trump, mbi dy duzina liderësh botërorë – kryesisht nga Azia dhe Jugu Global – u mblodhën në Tianjin me një gjë të përbashkët: dëshirën për t’u shkëputur nga varësia ndaj Shteteve të Bashkuara.
Në atë që unë e quaj “bota G-Zero” – ku asnjë shtet nuk është i gatshëm dhe i aftë të vendosë rregulla globale dhe ku SHBA-ja shihet gjithnjë e më shumë jo vetëm si e paparashikueshme, por edhe si e pabesueshme – rëndësia e opsioneve është rritur ndjeshëm. Dallimi mes paparashikueshmërisë dhe pabesueshmërisë ka rëndësi. Paparashikueshmëria mund të jetë taktikisht e dobishme për t’i mbajtur kundërshtarët në pasiguri dhe për të nxitur aleatët të bëjnë më shumë. NATO-ja është më e fortë sot sesa ishte para se Trump të vinte në detyrë, pjesërisht sepse paparashikueshmëria e tij (së bashku me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Putin) i shtyu evropianët të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të shtojnë dy anëtarë të rinj në aleancë. Por pabesueshmëria ka efektin e kundërt, duke i shtyrë të gjithë – përfshirë miqtë – të shmangin angazhimet kur përballen me zgjedhje të vështira.
Në tregti, teknologji dhe siguri, Trump ka vendosur tarifa të gjera, është tërhequr nga marrëveshje formale dhe ka ushtruar presion edhe mbi aleatët më të ngushtë për negociata me natyrë transaksionale. Në planin afatshkurtër, vendet po luajnë në mbrojtje, duke i dhënë Shtëpisë së Bardhë “fitore” – lëshime jo reciproke këtu, përjashtime tarifore atje – për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm. Por ato po kërkojnë gjithashtu alternativa – marrëveshje të reja tregtare, infrastrukturë financiare dhe zinxhirë furnizimi – për të ulur ekspozimin afatgjatë ndaj ndryshimeve të politikës amerikane.
Kina e ka vënë re këtë dhe po e reklamon veten si një dorë e qëndrueshme që është e përkushtuar ndaj multilateralizmit, marrëveshjeve afatgjata dhe “mosndërhyrjes”. Në Tianjin, ky mesazh ishte i qartë: ne do t’i qëndrojmë marrëveshjeve tona; SHBA-ja jo. Mesazhi po përhapet, jo sepse të tjerët besojnë se Kina është shndërruar papritmas në një hegjemone dashamirëse, por sepse është i vetmi lojtar me shkallën dhe qëndrueshmërinë e politikave për të ankoruar një strategji afatgjatë mbrojtëse tani që SHBA-ja është bërë të pabesueshme.
Xi e përdori samitin e SCO-së për të promovuar një alternativë multipolare me parimin e sovranitetit në qendër, kundrejt rendit të udhëhequr nga Perëndimi, për të kritikuar “masat e njëanshme detyruese” të Trump dhe për të shtuar një Nismë të re Qeverisjeje Globale në setin e platformave të tij të markuara. Deklarata e përbashkët e samitit pasqyroi pikat e tij kryesore dhe anëtarët ranë dakord të krijojnë edhe një bankë tjetër zhvillimi për të lehtësuar transaksionet në monedhat kombëtare në vend të dollarit. Edhe pse këto rezultate ishin modeste, pamja politike ishte e fuqishme: edhe qeveri që nuk e përqafojnë domosdoshmërisht vizionin global të Kinës, dhe që do të preferonin të bashkëpunonin me Amerikën, po kërkojnë opsione për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre.
India është shembulli më domethënës. Kryeministri Narendra Modi bëri vizitën e tij të parë në Kinë pas shtatë vitesh, duke u takuar me Xi-n (dhe Putinin) në Tianjin në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Indi po bëhen më armiqësore dhe më të paqëndrueshme. Ndërsa ngrohja e marrëdhënieve me Kinën kishte filluar qetësisht që nga vjeshta e kaluar, një përçarje personale me Trump-in, i cili ka vendosur një tarifë prej 50% mbi eksportet indiane drejt SHBA-së, e shtyu Modin të bëhej më i kujdesshëm dhe të diversifikonte opsionet. India po sinjalizon se ka alternativa për ta përballuar presionin amerikan.
Sigurisht, Kina nuk do ta zëvendësojë SHBA-në si partnerin kryesor strategjik, ekonomik dhe teknologjik të Indisë. India dhe Kina mbeten kundërshtare strategjike me mosmarrëveshje kufitare dhe interesa konkurruese në gjithë Azinë Jugore – nga Bangladeshi dhe Tibeti deri te Maldivet – dhe opinionin publik indian ndaj Kinës ende e karakterizon mosbesimi.
Për më tepër, marrëdhënia e ngushtë e sigurisë mes Kinës dhe Pakistanit, ashtu si edhe lidhjet në rritje të Indisë me Japoninë dhe Filipinet, vazhdojnë të ushqejnë mosbesim të ndërsjellë. Modi vizitoi Japoninë para se të mbërrinte në Pekin dhe ai e anashkaloi paradën ushtarake të Xi. India ishte i vetmi anëtar i SCO-së që refuzoi të mbështeste Nismën “Një Brez, Një Rrugë” në komunikatën e samitit, duke treguar se ende i jep përparësi marrëdhënieve të saj me Perëndimin. Sado pozitive që të jetë për stabilitetin global, ngrohja e marrëdhënieve mes Indisë dhe Kinës do të mbetet e kufizuar dhe oportuniste. Do të ketë disa lehtësime selektive ekonomike dhe disa de-përshkallëzime të kujdesshme kufitare, por jo një riorientim strategjik.
Po kështu, humbja e besimit tek Amerika e bën SCO-në disi më të fortë, por nuk e shndërron atë në një ekuivalent të NATO-s ose G7-ës të udhëhequr nga Kina. Edhe pse Kina tregoi një aftësi të fuqishme për të mbledhur liderë javën e kaluar, kapaciteti i saj për të mobilizuar veprim kolektiv mbetet i kufizuar. Nismat e saj globale për sigurinë, zhvillimin dhe inteligjencën artificiale sugjerojnë se ajo është më e mirë në markim sesa në ofrimin e rezultateve konkrete. SCO-ja e ka tejkaluar misionin e saj fillestar, por nuk ka gjetur ende një qëllim unifikues. Ajo është një klub i gjerë me interesa të papërshtatshme mes tyre – nga antagonizmi Indi-Pakistan deri te dyshimet e Azisë Qendrore ndaj Moskës – që do ta mbajnë bashkëpunimin sipërfaqësor.
Diplomatikisht, Kina ende nuk arrin të shfrytëzojë peshën e saj ekonomike. Në konfliktet përtej fqinjësisë së saj, veprimet e saj vazhdojnë të mbeten pas retorikës. SCO-ja do të jetë më e zëshme, por jo më e rëndësishme në çështjet më të mëdha të sigurisë. Ajo nuk do të ndikojë as në Ukrainë, as në Gazë në një të ardhme të afërt.
Megjithatë, krijimi gradual i një infrastrukture të re globale – përfshirë një bankë të re të SCO-së (nëse financohet mirë) që funksionon krah Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë dhe Bankës së Zhvillimit të BRICS-it, më shumë transaksione në monedha kombëtare, mekanizma kundër sanksioneve dhe më shumë koordinim Jug-Jug – mund të ketë rëndësi në të ardhmen. Këto janë hapa të vegjël, por do ta bëjnë diversifikimin larg SHBA-së më të lehtë me kalimin e kohës dhe më të vështirë për t’u zhbërë më vonë. Unilateralizmi amerikan e ka bërë të qartë koston e mbivarsisë, duke i dhënë Kinës një hapësirë të dukshme. Tani duhet thjesht të paraqitet një kontrast i thjeshtë: të paktën ne jemi të qëndrueshëm. Në një botë G-Zero, kjo ka më shumë vlerë se përsosmëria.
Për SHBA-në, zgjidhja është e qartë: të bëhet sërish një partner i besueshëm. Të përmbahet nga vendosja e tarifave të papritura mbi aleatët dhe nga tërheqja nga marrëveshje të negociuara me vështirësi, si edhe të tregojë më shumë seriozitet në zbatimin e angazhimeve që zgjasin më shumë se një cikël lajmesh. Deri atëherë, kërkimi i opsioneve alternativë nga vendet e tjera do të vazhdojë dhe qendra e gravitetit të botës do të zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt lindjes.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. China’s “Trump” Card







