
Një fantazmë po endet në Perëndim – fantazma e një klase punëtore, shtëpia politike e së cilës është mbyllur me forcë. Prej dekadash, të joshur nga këngët sirenë të “rrugës së tretë” të Bill Clinton, Tony Blair dhe Gerhard Schröder, forcat e qendrës së majtë e braktisën gjuhën e luftës së klasave.
Por, në ngutin e tyre për t’u bërë të respektueshëm dhe për të dëshmuar se ishin menaxherë më efikasë dhe më të drejtë të kapitalizmit, ata reshtën së foluri për shfrytëzim dhe zgjodhën të shpërfillin antagonizmin e brendshëm – madje edhe dhunën – e marrëdhënies kapital–punë. Ata përjashtuan nga diskursi politik fjalët e punëtorëve, sjelljet, mënyrën e të qenit dhe aspiratat e tyre. Dhe pastaj i përçmuan ish-votuesit e tyre duke i quajtur “të mjerueshëm”.
Kur ulja e statusit shoqëror dhe varfërimi pushtojnë territore të gjera ku një klasë punëtore dikur krenare tashmë ndihet e braktisur, dhe ndaj të cilave partitë e konsoliduara mbyllin sytë, lind dëshira për një projekt të ri restaurimi dinjiteti – për narrativë që vendos një “ne” kolektiv përballë një “atyre” të fuqishëm. Dhjetë vjet më parë doli në skenë një propagandist helmues me një përvojë njëqindvjeçare në shfrytëzimin e boshllëqeve të tilla: e djathta ekstreme ksenofobe.
Lëvizjet dhe liderët që centristët me ngathtësi i etiketuan si “populistë” nuk e krijuan këtë dëshirë – ata thjesht e shfrytëzuan me cinizmin e një monopolisti të stazhionuar që dallon një treg të paeksploruar. Nga zonat punëtore të jugut të Pireut, fare pranë vendit ku po shkruaj këtë analizë, deri në periferitë dikur “të kuqe” të Parisit ose Marsejës, shohim blloqe votuesish që zhvendosen nga partitë komuniste dhe socialdemokrate tek ato të krijuara nga trashëgimtarët politikë të Mussolini-t dhe Hitlerit. Si paraardhësit e tyre, këta kameleonë politikë paraqiten si flamurtarë të një klase punëtore të zhveshur nga të drejtat. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, supremacistë të bardhë, fundamentalistë të krishterë, lordë tekno-feudalë dhe ish-votues demokratë të zhgënjyer bashkëveprojnë së bashku me pasion në një koalicion që e ka fituar dy herë Shtëpinë e Bardhë.
Krahasimi, që shumë po bëjnë, me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore mund të na çojë në rrugë të gabuar nëse nuk jemi të kujdesshëm, por mbetet i goditur. Dhe megjithëse prirja e së majtës për të quajtur të gjithë kundërshtarët konservatorë ose centristë “fashistë” është e pajustifikueshme, fakt mbetet që fashizmi tashmë ndihet në ajër. Si mund të ishte ndryshe? Kur njerëzit e klasës punëtore u braktisën në të gjithë Perëndimin, ishte e lehtë që atyre t’u rikthehej shpresa me premtimin e një rilindjeje kombëtare të ndërtuar mbi mitin e një Epokë të Artë.
Pasi u kap karremi, hapi tjetër ishte të devijohej zemërimi i tyre nga forcat socio-ekonomike që i kishin çuar në varfëri, te ndonjë komplot i paqartë – “globalistët”, “shteti i thellë” ose ndonjë komplot i drejtuar nga George Soros për t’i “zëvendësuar” ata në tokën e tyre. Duke u ushqyer nga pasioni i ndezur në këtë mënyrë, politikanët ultra të djathtë fillojnë të shënjestrojnë elitat liberale, bankierët, të huajt e pasur jashtë vendit dhe të huajt e mjerë në vend – njerëz që mund të portretizohen si uzurpatorë të Epokës së Artë dhe pengesa për rilindjen kombëtare.
Pastaj (dhe vetëm atëherë) vjen shpërfillja e luftës së klasave, duke përjashtuar përfaqësimin politik të interesave ekonomike të klasës punëtore. Zemërimi ndaj pronarëve amerikanë që mbyllin fabrikën e tyre lokale dhe e dërgojnë atë në Vietnam ridrejtohet kundër punëtorëve kinezë. Zemërimi ndaj bankës që sekuestroi shtëpinë e familjes bëhet urrejtje për avokatët hebrenj, mjekët myslimanë dhe punëtorët meksikanë me ditë. Kushdo që u kujton atyre se kapitali grumbullohet duke gllabëruar, zhvendosur dhe përfundimisht duke braktisur punën e njerëzve si ata trajtohet si një tradhtar kombëtar. Në vitet 2020, ashtu si në vitet 1920, e djathta ekstreme u ngrit falë këtij procesi. Kjo nuk ndodhi brenda natës. Procesi i humbjes së klasave punëtore, fillimisht për shkak të dëshpërimit dhe përfundimisht për shkak të mendësisë fashiste, filloi me fundin e Bretton Woods në vitin 1971. Por çfarë e shkaktoi transformimin e së djathtës ekstreme nga një lëvizje proteste brenda politikës konservatore në një forcë autonome që merr pushtetin, shkatërron pa turp institucionet liberale borgjeze dhe nis një projekt për asgjësimin e “bolshevizmit kulturor” – një term tepër i dashur Joseph Goebbels?
Dy zhvillime bien më shumë në sy. Së pari, kriza financiare globale e vitit 2008 – momenti i gjeneratës sonë i ngjashëm me vitin 1929 – i çoi centristët në pushtet të impononin masa të rënda shtrënguese mbi klasën punëtore, ndërsa i zgjatën solidaritet “socialist” të sponsorizuar nga shteti kompanive të mëdha. Së dyti, ashtu si në vitet 1920 dhe 1930, centristët dhe konservatorët jo-fashistë kishin më shumë frikë dhe urrejtje ndaj së majtës demokratike sesa ndaj së djathtës autoritare.
Mësimi për të majtën është dhimbshëm i qartë. Të fokusohesh ekskluzivisht tek identiteti – te raca dhe gjinia – duke injoruar realitetin material të klasës, është një gabim strategjik katastrofik. Është si të çarmatosesh përballë një armiku që ka transformuar në armë vetë rrëfimin të cilin partitë e qendrës së majtë e kishin braktisur.
Detyra është të integrohen betejat jetike kundër racizmit dhe patriarkatit në një kritikë të re dhe të vendosur ndaj pushtetit të klasës. Duhet ta rimarrim fjalorin e solidaritetit dhe shfrytëzimit, duke treguar se armiku i vërtetë i punëtorit nuk është emigranti, por rentieri, lordët tekno-feudalë, punëdhënësit monopsonistë dhe financierët që e trajtojnë të ardhmen e tij si një derivat mbi të cilin spekulohet. Liderët e rinj, si kandidati për kryetar bashkie i Nju-Jorkut Zohran Mamdani, duhet të ndihmojnë për të gjetur një sintezë që i flet njeriut në tërësinë e tij.
Alternativa është të mbetemi spektatorë të tragjedisë sonë politike, duke parë teksa njerëzit e harruar të së majtës shkojnë drejt një beteje në fantazinë e së djathtës për pastërti kombëtare. Klasa punëtore ka rëndësi. Është koha të fillojmë të veprojmë në përputhje me këtë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Why the Working Class Matters







