
Bëhet fjalë për projektligjin që thotë se, ndër të tjera, nuk meriton të diskriminohesh prej identitetit tënd gjinor. Po të më pyesësh mua, askush nuk meriton të diskriminohet mbi asnjë bazë.
Por këtu po flasim për një historik të mungesës së vullnetit për të ndryshuar shoqërinë shqiptare që të jetë e jetueshme nga të gjithë.
Proteston për kafshët? Perversitet, njerëzit s’kanë ç’të hanë.
Proteston për gratë që vriten? Mos ta bëjnë veten, ç’faj kanë burrat xhelozë?
Proteston për mjedisin? Ku e ke hallin që po ndalon projektet e oligarkëve?
Proteston për komunitetin rom dhe egjiptian? Vetë e kanë fajin, i ke parë çfarë zgjedhjesh bëjnë?
Proteston që njerëzit homoseksualë të mos dhunohen se kë zgjedhin konsensualisht të quajnë partnerë? Degjenerim – (më i rëndë se ai i përdhunuesve të të miturve, grave dhe abuzuesve makabër).
Proteston për lirinë e medias? Po kërkon fonde.
Të drejtat e punëtorëve? Përtacët!
Proteston për artin? Je ziliqar për artistët që marrin fondet nga buxheti i të gjithëve për të bërë PR të porositur.
Proteston se s’ke ujë të lahesh? Të ka hipur vetja në qejf.
Identiteti gjinor, është kjo fjalë e frikshme?
Seksi me të cilin ke lindur nuk është një fatalitet që të përcakton gjithë jetën. Në bazë të si ndihesh, mund të identifikohesh po të duash ndryshe nga gjinia që kishe në lindje.
Është njësoj sikur njerëzit që lindin në një fshat të Shqipërisë të thonë: “Nuk ndihem vetvetja këtu, e gjej lumturinë në Tiranë, Berlin apo Nju Jork” – dhe zhvendosen atje, për të vazhduar jetën e tyre të lumtur. Fundi i historisë. Është thjesht një lëvizje e lirë e shpirtit, një zgjedhje personale që nuk i merr askujt asgjë.
Shqiptarët, si popull, këtë e kanë kuptuar prej kohësh, madje edhe në traditë: burrneshat e Kanunit ishin një formë e njohur sociale dhe ligjore e tejkalimit të kufijve të gjinisë biologjike.
Pra, nëse ke lindur burrë, por ndihesh grua, dhe për sa kohë nuk shkel ligjin e nuk cenon askënd – jetoje jetën siç dëshiron. Kaq e thjeshtë.
Ata që e shohin këtë çështje me skepticizëm, duke thënë se janë “pro familjes tradicionale”, ia fusin kot. Një burrë nuk bëhet grua vetëm pse njeh dikë që ndihet ndryshe. Një grua nuk bëhet lesbike vetëm pse mëson se ekziston homoseksualiteti.
Një fëmijë do të zgjedhë si ndihet pavarësisht informacioneve që ka. Por ama, një fëmijë që ndihet ndryshe nuk duhet të lejohet të ndihet i gabuar, të shkojë drejt bullizimit apo – më keq akoma – drejt fatalitetit. Dhe ironia: i njëjti fëmijë, nëse shkon të jetojë në Norvegji, papritur është thjesht… normal.
Në këtë klimë ku shkelja e të drejtave është normalizuar deri në paradoksalitet, një grup i madh shqiptarësh kanë vendosur të bëjnë diçka duke u larguar drejt shoqërive më funksionale nëpër botë. Ata që kanë mbetur pas, vazhdojnë funksionimin robotik me shpresën që shumë shpejt do t’u dalë një mundësi për të ikur ose thjesht kanë hequr dorë nga shpresa fare dhe janë futur në autopilot ankimi.
Nëse ka akoma një grup shoqëror që kërkon të përmirësojë mirëqenien në Shqipëri, duhet t’i jemi mirënjohës.
Në një nga konferencat më të rëndësishme të feminizmit, mbajtur së fundmi në Washington, DC, aktivistet reflektuan për kërcënimin e të drejtave të njeriut në vend dhe thanë se kishin mësuar një leksion të rëndësishëm: shoqëritë kapen dhe shtypen nga një efekt domino i cenimit të të drejtave. Nisin me më të dobëtit dhe përfundojnë me armiqtë e vërtetë – në këtë përballje është pushteti kundër kundërshtarëve tanimë të lënë vetëm. Kush mund të jetë viktima finale e gërryerjes së të drejtave të njeriut? Në një vend patriarkal si Shqipëria, nuk është çudi të jenë gratë kurban.
Shoqëria civile në Shqipëri duhet të bashkohet për të shtuar frymën për mbrojtjen e të drejtave të kujtdo. Televizionet nuk duhet të nxisin debate me gjuhë urrejtjeje për të kapur ca klikime më shumë, e as t’i japin hapësirë homofobëve të painformuar. Ata nuk janë palë e këtij debati që duhet të jetë i informuar. Është njëlloj si të marrësh një fanatik nga fshati X në Shqipëri, që mendon se vajzat duhet të martohen 16 vjeç, të mos shkollohen por të mbyllen në shtëpi e të rrisin fëmijët nën urdhrat e burrit – dhe këtë ta përdorësh si argument televiziv.
Debati për LGBT duhet të nisë nga më lart, shumë më lart: Shqipëria duhet të diskutojë kush duhet të jenë hapat e parë për të mbrojtur këtë grup – partneriteti civil, martesat, garancia e gjithëpërfshirjes, pse jo dhe në parlament e më gjerë. Që mos ngatërrohemi, Shqipërisë nuk i mungojnë personat gej, lesbike, transgjinorë në çdo shkallë të shoqërisë, jemi në parlament, në ekrane televizive, në institucione, në art, muzikë, madje edhe tek ai që ju mat sahatin e ujit, por me një dallim – ekzistencën në hije e me një damkë turpi që çon në abuzime seksuale të padenoncuara, bullizëm e palumturi.
Si një person që e gjen veten përfitues nga ky ndryshim ligjor, ja pse unë mendoj se Shqipëria duhet ta kalojë këtë ligj dhe të garantojë mbrojtje ligjore për çdo qytetar pa dallim:
Çfarë fiton Shqipëria?
- Bëhet një vend më i sigurt dhe gjithëpërfshirës për qytetarët e saj.
- Shton reputacionin ndërkombëtar si vend i sigurt – një domosdoshmëri përballë valës së turistëve në rritje.
- Bën progres në përafrimin me ligjet e BE për të drejtat e njeriut.
- Rrit kënaqësinë e jetesës dhe mundëson uljen e emigrimit të të rinjve të ekspozuar ndaj lirive personale globale.
- Konkurron më fort me vendet e rajonit përballë një vale shpërnguljeje të të huajve që zgjedhin Ballkanin për pension.
- Një shoqëri e barabartë = një shoqëri e shëndetshme.
- Rrit ekonominë e vendit – përmes mbrojtjes së të drejtave ulet emigrimi, rriten mundësitë për të rinjtë që të kontribuojnë si vetvetja, dhe zgjidhet një pjesë e problemit të mungesës së punëtorëve.
- Lufton dhunën dhe urrejtjen – duke bërë Shqipërinë më të sigurt për të gjithë fëmijët dhe të rriturit që nuk janë “copy-paste” të njëri-tjetrit.
- Shton aksesin në shërbime jetësore si shëndetësia etj.
- Forcon demokracinë dhe shtetin e së drejtës – duke garantuar që ligji mbron në mënyrë të barabartë çdo qytetar, pa dallim.
Në përfundim: Edhe unë jam për familjen, por atë të çliruar, gjithëpërfshirëse dhe të mbrojtur.







