
Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten më 2 tetor rekursin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë. Sipas njoftimit të publikuar në Gjykatën e Lartë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Albana Boksi në cilësinë e relatores dhe dy gjyqtarët Medi Bici e Sokol Binaj, vendosi mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 të 9 qershorit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimit e Organizuar, që ka lënë në fuqi arrestin e caktuar në Shkallën e Parë.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Megjithëse Veliaj ka kërkuar që të lihet i lirë, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, ai së bashku me Xoxën, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Më 25 shtator, Këshilli i Bashkisë Tiranë e shkarkoi nga detyra Erion Veliajn, procedurë që u inicua nga kryeministri Edi Rama, i cili udhëzoi këshilltarët socialistë të bashkisë që të nisnin procedurën e shkarkimit, që në fund u finalizua me vendimin e qeverisë.
Velia iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë, që u regjistrua dhe pritet të shqyrtohet, por Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. pas shpalljes së vakancës për pozicionin e kryetarit, dekretoi zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Partia Demokratike e denoncoi aktin si një shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Të enjten, avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj thanë se do i shtojnë ankimit kundër vendimit të shkarkimit një objekt të dytë lidhur me dekretit të Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve në Tiranë.







