
Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare që të përmbushë afatin e Gjykatës Kushtetuese për themelimin e një qeveri të re – të shumëpritur, pas zgjedhjeve të mbajtur në shkurt.
Mbetet e paqartë nëse Kuvendi është konstituuar plotësisht, duke pasur parasysh ankesën e partisë Lista Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit. Megjithatë, presidentja e Kosovës mandatoi Albin Kurtin e Vetëvendosjes, partisë fituese të zgjedhjeve, të paraqesë kabinetin e tij dhe të kërkojë aprovimin parlamentar për formimin e qeverisë së re. Çfarë pasoi nuk ishte befasi për askënd që ka ndjekur zhvillimet pas rezultateve të shkurtit 2025: nuk dilnin hesapet.
Gjithsecili në Kosovë e dinte me gjasë rezultatin; as Vetëvendosja, e as opozita e fragmentuar nuk kishte vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë. Prej natës së publikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ishte e qartë se Kurti nuk i kishte numrat për ta krijuar i vetëm, pavarësisht ngulmit të tij se vetëm një shumicë e madhe prej mbi 50 për qind do t’ia mundësonte të zbatonte agjendën e tij reformuese.
Opozita, shpesh e perceptuar si bllok homogjen për shkak të koalicioneve të kaluara, as nuk i kishte numrat e as guximin politik për të përsëritur skenarin “të gjithë kundër Kurtit”, sepse kjo do të ishte politikisht e kushtueshme në prag të zgjedhjeve lokale dhe para një krize të pritur lidhur me zgjedhjen e presidentit a presidentes në çerekun e parë të vitit 2026.
Për tetë muaj me radhë, cirku i mbledhjes së parlamentit 50 herë për të propozuar të njëjtën kandidate për kryetare Kuvendi dhe pretendimi i Vetëvendosjes se i kishte numrat për formimin e qeverisë, por jo ama për kryetaren e Kuvendit, nuk ishte një kalkulim i thjeshtë; ishte strategji për blerjen e kohës.
Për më tepër, Kurti nuk dështoi të zhgënjente me kabinetin e tij të propozuar, duke shfaqur një problem më të thellë: hipokrizinë dhe ngecjen sistematike. Ai paraqiti një kabinet prej 20 ministrash, edhe pse dikur kishte kritikuar qeverinë e Ramush Haradinajt me 21 ministri, duke pretenduar se 12 sosh do të ishin të mjaftueshme.
Numri i tepruar i ministrive, një agjendë boshe reformash dhe përpjekja për të pasur pushtet qeverisjeje vazhdojnë. Njëherësh, ministrat dhe deputetët kanë bërë pa fije marre fushatë për zgjedhjet lokale, duke mbajtur njëherësh poste të shumta shtetërore, me shkelje të kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Supreme për muaj me radhë.
Këto veprime përçuan një mesazh shqetësues: elita politike sundon mbi ligjin. Demokracia e Kosovës është një rrëmujë, dhe procesi i shtet-ndërtimit po shkërmoqet në hije të një fushate zgjedhore njëvjeçare.
Qëllimi është i qartë: të maksimalizohet përfitimi politik, të sigurohen pozitat kyç në tavolinën e bisedimeve dhe të ruhet leva kundrejt koalicioneve, derisa njëherësh vendi zhytet edhe më thellë në krizë midis frikës në rritje për aprovimin e buxhetit të vitit të ardhshëm. Kjo çimenton perceptimin se më 2021, Kosova ndërroi aktorët, por jo sistemin.
Çështja është sesa do të lëvizim përpara prej kësaj pike, dhe çfarë potenciali do të sjellin zgjedhjet e ardhshme? Duke pasur parasysh sistemin multipartiak të Kosovës, zgjedhjet e reja me gjasë do të ofrojnë rezultate të ngjashme me të shkurtit 2025. Megjithatë, ky vit ka spikatur kufizimet e Vetëvendosjes si parti dhe të Kurtit si lider.
Polarizimi i vazhdueshëm, narrativi “ne kundër të gjithë të tjerëve” dhe viktimizimi politik vazhdojnë si strategjitë kryesore të fushatës.
Sidoqoftë, shkalla e mbështetjes për Vetëvendosjen me gjasë nuk do të fuqizohet. Vetëm mund të humbë terren prej 50-përqindëshit të siguruar më 2021, kur Kurti po garonte prej opozitës pa gjynahe të qeverisjes. Tani që ka pasur përgjegjësi të plotë dhe po menaxhon komuna, është davaritur aftësia e tij për të komanduar të njëjtën masë kritike.
Me trajektoren e tij në rënie, Kurti ka vënë në rënien ose ngecjen e opozitës. Duke vërejtur një opozitë pa strategji, pa lider dhe nganjëherë pa guxim, ai ka sinjalizuar se ka gatishmëri ta vazhdojë krizën, duke lënë të kuptohet se do të ketë zgjedhje të përsëritura gjatë dimrit dhe pranverës. Hesapet e tij janë të qarta: zgjedhjet e përsëritura do të mund të dobësonin opozitës, ose ta detyrojë atë të nënshtrohet, duke forcuar rrjedhimisht pozitën e tij.
Po thellohet cinizmi për politikën
Dinamikat e tjera janë po aq të rëndësishme. Gjatë vitit 2025, Kurti shënjestroi qëllimshëm Lidhjen Demokratike të Kosovës në opozitë që ta dobësojë dhe ta rritë elektoratin e Vetëvendosjes në kurriz të LDK-së, duke mbajtur njëherësh armiqësinë publike me Partinë Demokratike të Kosovës, si mjete për mobilizimin e mbështetjes për partinë e tij.
Partitë më të vogla, si Nisma, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, të cilat do të duhej të formonin koalicione ndërmjet vete për ta kaluar pragun parlamentar, mund të mos merren vesh, duke i detyruar ose të negociojnë me partitë më të mëdha, ose të rrezikojnë të mbesin jashtë parlamentit.
Në këtë skenar, përbërja e Kuvendit të Kosovës do të mund të ndryshonte në avantazh të Kurtit. Diaspora kryesisht pro-Vetëvendosjes mbetet caku kryesor, megjithëse bërë më e fragmentuar në vitin e fundit.
Nëse shohim para, zgjedhjet e reja shumë lehtë mund të rikalibrojnë baraspeshën politike, por me gjasë nuk do zgjidhin sfidat me të cilat po përballet vendi. Kurti vazhdon të ketë mbështetje të fuqishme personale, megjithëse se qëndrimi i tij politik, vonesat e vazhdueshme dhe premtimet e pambajtura kanë cenuar kredibilitetin e tij dhe të Vetëvendosjes.
Përtej partisë, paraliza e zgjatur ka thelluar cinizmin publik për sistemin politik të Kosovës. Dështimi i vazhdueshëm për të respektuar normat kushtetuese dhe keqpërdorimi i zgjedhjeve lokale për përfitime partizane fuqizojnë përsëri perceptimet për institucionet si të dobëta dhe të manipuluara.
Ngërçi politik i Kosovës është test jo vetëm për lidershipin e Kurtit, por edhe për maturinë e demokracisë dhe të qëndrueshmërisë së saj. Pa gatishmëri për marrë përgjegjësi, ndërtuar koalicione, dhe vendosur qeverisjen para lojërave politike, me gjasë do të vazhdojnë ciklet e përsëritura të destabilitetit dhe mosfunksionimit, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e vendit dhe duke cenuar institucionet e saj.
Zgjedhjet e reja mund të ofrojnë një mundësi për rikalibrim. Prapëseprapë, derisa të mos nxirren mësimet, ato rrezikojnë të kthejnë të njëjtën lojë, duke përjetësuar një sistem në të cilin egot e politikanëve dhe pushteti politik mbizotërojnë reformën, dhe retorika zëvendëson reformën dhe veprimin.
Marrë së bashku, ky ngërç dëshmon qartazi se kompromisi politik në Kosovë më nuk mund të supozohet, duke rrezikun me mosfunksionim sistematik. Një vit është humbur, dhe me gjasë do të humbet edhe më shumë kohë. Nismat kritike, si proceset kritike të shtet-ndërtimit, aprovimi i planit të BE-së për rritjen ekonomike, kanë ngecur për shkak të grindjeve politike dhe strategjive me fokus në zgjedhje.
Edhe nëse eventualisht formohet një qeveri në fund të vitit, ose në pranverën e ardhshme, kabineti i propozuar i Kurtit ngjall pak shpresa për ndryshim domethënës: Kosova ka ndryshuar aktorët, por sistemi mbetet thelbësisht me të meta.
Donika Emini është anëtare e Balkans in Europe Policy Advisory Group (BiEPAG).
Opinionet e shprehura janë ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.







