
Në gjyqin e zhvilluar në Mal të Zi në tetor ndaj grupit të dyshuar kriminal të Radoje Zvicerit, një ekspert balistike ngriti një çështje serioze lidhur me përdorimin e provave nga aplikacioni i mesazheve të enkriptuara Sky ECC, i cili ishte zbërthyer nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Eksperti pranoi se nuk mund të verifikonte nëse armët e shfaqura në fotografitë e marra nga aplikacioni Sky ECC ishin të vërteta, pasi kishte parë vetëm imazhe të tyre, pa pasur qasje fizike.
Avokatët mbrojtës argumentuan se prova të tilla të bazuara në fotografi duhej të përjashtoheshin, duke i quajtur ato juridikisht të pasigurta dhe “të paprecedenta në gjykatat malazeze”.
Eksperti i balistikës, Milovan Mihailoviç, i tha Gjykatës së Lartë në Podgoricë se, “në një karrierë 30-vjeçare, asnjëherë nuk më është kërkuar të analizoj armë vetëm në bazë të fotografive”. Ai nuk kishte pasur qasje fizike tek armët dhe nuk dinte kush i kishte bërë fotot.
Prokuroria këmbënguli se fotografitë ishin marrë në mënyrë të ligjshme dhe ishin të vlefshme si prova. Gjykata ende nuk ka vendosur për pranueshmërinë e tyre.
Një muaj më parë, në Beograd, Serbi, Gjykata e Apelit e dyfishoi dënimin me burg të një oficeri policie të pezulluar, Bozidar Stoliç, në katër vjet burg – dy vjet e gjysmë më shumë se vendimi i shkallës së parë – për shpërdorim të detyrës zyrtare duke nxjerrë informacione për anëtarët e grupit kriminal famëkeq të Veljko Belivukut.
Ky ishte vendimi i parë i formës së prerë në Serbi në të cilin provat e marra nga aplikacioni Sky ECC u pranuan në gjykatë. Më parë, mbrojtja kishte argumentuar se çështjet e bazuara kryesisht në prova të marra nga shërbimet e hakeruara të Sky ECC nuk mund të përdoren në gjykatë.
Të dyja rastet tregojnë për një betejë të vazhdueshme midis atyre që mbrojnë të drejtën për të përdorur prova të tilla dhe të tjerëve që insistojnë se komunikimet e hakeruara janë marrë në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të përdoren.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë Franceze, Cour de Cassation, i ka kërkuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të vendosë nëse qytetarët e BE-së mund të sfidojnë ligjshmërinë e provave të marra nga policia franceze përmes hakerimit të Sky ECC. Kjo pason rastin kur gjykatat franceze refuzuan t’i lejonin një qytetari gjerman të apelonte kundër ligjshmërisë së operacionit të hakerimit në Francë.
Rezultati mund të ketë pasoja të mëdha për çështjet penale në mbarë BE-në që mbështeten në prova të mbledhura nga policia franceze nga rrjetet e hakeruara Sky ECC dhe EncroChat.
Një ekip avokatësh mbrojtës thotë se Franca ka shkelur ligjin e BE-së duke përgjuar mesazhet e enkriptuara të Sky ECC dhe EncroChat pa baza të mjaftueshme – dhe duke dështuar të njoftojë shtetet e tjera të BE-së para se të kryente përgjimet ndërkufitare. Në qershor, Gjykata e Lartë Franceze konfirmoi se vendet e BE-së duhet të njoftojnë shtetet e tjera anëtare kur kryejnë hetime të tilla digjitale.
Komunikimet e enkriptuara sot luajnë një rol qendror në operacionet e krimit të organizuar, duke ndihmuar kriminelët të koordinojnë rrugët e trafikut, të menaxhojnë logjistikën, të organizojnë pagesat dhe të zhvendosin para të paligjshme. Komunikimi rrallë mbetet brenda një vendi – shpesh shtrihet në rajone dhe kontinente, duke lidhur aktorë të kombeve të ndryshme përtej kufijve.
Në një rast të vazhdueshëm, prokurorët serbë kanë pretenduar se një grua e njohur me pseudonimin Perola, me bazë në Brazil, përdori Sky ECC për të menaxhuar blerjet e kokainës për një grup kriminal të Ballkanit Perëndimor. Ata thonë se mesazhet tregojnë që ajo negocionte çmimet dhe ndihmonte në dërgesat nga Amerika Latine në Evropë përmes Afrikës Perëndimore. Roli i saj i supozuar sfidoi gjithashtu bindjen e zakonshme se vetëm burrat janë të përfshirë në tregtinë e kokainës.
Nga ana tjetër, qasja në mesazhet e enkriptuara ka qenë një përparim i madh për forcat e rendit. Kjo u ka mundësuar autoriteteve të zbulojnë mënyrën se si funksionojnë grupet kriminale dhe kush është i përfshirë, duke u bërë një burim kyç i inteligjencës në hetimet penale. Midis viteve 2021 dhe 2024, prokurorët në Bosnjë dhe Hercegovinë nisën 30 hetime kundër 170 të dyshuarve në bazë të mesazheve të përgjuara nga Sky ECC. Në tre raste, 16 të pandehur pranuan fajësinë përmes marrëveshjeve të pranimit të fajësisë me prokurorinë.
Këto çështje sollën gjithashtu vendimet e para përfundimtare të tilla në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në tetor, Prokuroria e Bosnjës ngriti një aktakuzë të re të bazuar në mesazhe të hakeruara nga Sky ECC, kundër disa individëve të akuzuar për drejtimin e një grupi kriminal të organizuar nga dhjetori 2019 deri në vitin 2021.
Banda dyshohet se ka përdorur aplikacionet e enkriptuara Sky dhe Anom për të koordinuar trafikun ndërkombëtar të drogës nëpër Bosnjë, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Holandë dhe Slloveni, duke trafikuar kanabis, kokainë, heroinë dhe amfetamina, dhe duke menaxhuar transportin, magazinimin dhe shitjen sipas planeve të detajuara.
Në disa raste, mbyllja e këtyre platformave ka çuar në shpërbërjen e grupeve kriminale. Megjithatë, sukseset shpesh zgjasin pak. Ka pak dëshmi që ndërprerje të tilla kanë pasur efekt afatgjatë, qoftë në nivel rajonal apo global. Grupet kriminale janë përshtatur shpejt, duke kaluar në mjete dhe metoda të reja.
Bandat shqipfolëse dhe ato sllavo-folëse
Grupet shqipfolëse përbëhen plotësisht nga individë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ose nga një përzierje shqiptarësh dhe shtetasish nga Belgjika, Holanda, Franca, Greqia, Italia dhe Serbia. Europol vlerësoi në prill 2024 se këto rrjete janë të përfshira kryesisht në trafikim droge, kontrabandë armësh, grabitje dhe trafikim emigrantësh. Operacionet e tyre shtrihen në disa shtete anëtare të BE-së, si dhe në Norvegji, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesë të Amerikës Latine, përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Ekuadorin.
Grupet sllavo-folëse vijnë nga Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja e Hercegovina. Ato përfshijnë gjithashtu anëtarë nga Shqipëria, Belgjika, Holanda, Gjermania dhe Turqia. Aktiviteti i tyre kryesor kriminal është trafikimi i drogës, por janë gjithashtu të përfshirë në krime pronësie, kontrabandë cigaresh dhe shfrytëzim seksual, sipas vlerësimit të Europolit në prill 2024. Këto grupe janë më aktive në Belgjikë, Kolumbi, Kroaci, Francë, Gjermani, Holandë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Shtimi i platformave të enkriptuara

Komunikimi është thelbësor për çdo biznes, qoftë ky i ligjshëm apo i paligjshëm. Gazetarët investigativë ose aktivistët e shoqërisë civile, të cilët kërkojnë privatësi, shpesh përdorin aplikacione si Signal, ËhatsApp, Telegram, Session apo Briar. Ato janë të lehta për t’u përdorur dhe ofrojnë veçori si telefonata të sigurta me zë ose me video, mesazhe private dhe ndërveprim në rrjete sociale.
Por jo vetëm gazetarët dhe kompanitë përfitojnë nga këto teknologji.
Edhe kriminelët kërkojnë mjete të specializuara që ofrojnë fshehtësi dhe siguri, si Sky ECC, telefona të përkohshëm (“burner phones”), pajisje satelitore dhe madje edhe servera privatë, për të mbrojtur mesazhet e tyre nga organet e rendit. Këto mjete shpesh kanë një funksion të quajtur “kill sëitch”, që mund të fshijë menjëherë mesazhet dhe të çaktivizojë pajisjen.
Një garë e pandërprerë midis kriminelëve dhe forcave të rendit ka nisur që me shpikjen e telefonit dhe fillimin e përgjimeve. Megjithatë, gjatë 20 viteve të fundit, kjo garë ka hyrë në një ritëm shumë më të shpejtë, me rritjen e përdorimit të telefonave inteligjentë dhe platformave të komunikimit të enkriptuar.
Në vitet 2000, kriminelët përdornin truke të thjeshta, si ndarja e e-maileve draft pa i dërguar kurrë, pastaj kaluan në mjetet më të zakonshme si BlackBerry Messenger – derisa u bë e qartë se organet e rendit kishin siguruar qasje në to.
Një ndryshim i madh ndodhi në vitin 2006 me krijimin e beStealth, një telefon i personalizuar që lejonte qasje në mesazhe të enkriptuara në pajisjet BlackBerry, duke përdorur çelësa privatë që nuk mbaheshin nga kompania. Këta BlackBerry të modifikuar u përdorën për trafik droge në të gjithë Amerikën e Veriut.
Megjithatë, pika e vërtetë e kthesës ishte Phantom Secure, që nisi një epokë të re mjetesh komunikimi të ndërtuara posaçërisht për përdorim kriminal, në vitin 2008. Këtyre telefonave të personalizuar u ishin hequr GPS-ët, mikrofonat dhe kamerat, dhe ishin të pajisur me aplikacione të sigurta për mesazhe të enkriptuara.
Ky model u përhap shpejt, duke çuar në rritjen e tregut të zi për pajisje të tilla të enkriptuara. Disa prej tyre shiteshin deri në 3,000 euro. Me kalimin e kohës, janë shfaqur dhe identifikuar të paktën dhjetë platforma të tjera të ngjashme.
Sky ECC dhe EncroChat u bënë modelet më të përdorura. Të tjera përfshijnë Anom, Ghost, Exclu, Matrix, MPC dhe Ciphr. Një ofrues, IronChat, madje pretendoi në mënyrë të rreme se informatori i njohur botërisht Edëard Snoëden e përdorte atë, për të rritur besueshmërinë e tij.
Grupet kriminale të Ballkanit përdornin kryesisht Sky ECC dhe EncroChat për komunikim të sigurt, për të koordinuar trafikimin e drogës, logjistikën dhe pagesat. Rrjetet kriminale rajonale i besonin këtyre platformave për shkak të sigurisë dhe ekskluzivitetit të tyre. Megjithatë, disa aktorë ballkanikë përdorën gjithashtu shërbime të tjera të enkriptuara, si Anom – e cila në fshehtësi operohej nga FBI-ja – dhe Ghost, që u shkatërrua nga Operacioni Kraken në Australi. Kjo tregon se si grupet kriminale kanë diversifikuar metodat e tyre të komunikimit për të minimizuar rreziqet dhe për të siguruar stabilitet operacional.
Përshtatje e vazhdueshme me nevojat e krimit

Lista gjithnjë e më e gjatë e platformave të enkriptuara të shkatërruara tregon një prirje të qartë: krimi i organizuar po evoluon vazhdimisht për të tejkaluar forcat e rendit dhe për të përshpejtuar aktivitetet e paligjshme.
Ndryshimi në mënyrën e përshtatjes filloi midis viteve 2006 dhe 2008, me telefonat e modifikuar BlackBerry, që kishin veçori të avancuara sigurie dhe mbështeteshin në enkriptim të plotë, duke siguruar që vetëm dërguesi dhe marrësi mund të lexonin mesazhet. Askush tjetër – përfshirë ofruesit e shërbimit, kompanitë telefonike apo hakerët – nuk mund të kishte qasje në përmbajtje.
Pas vitit 2010, u shfaqën platforma më të avancuara dhe më të komercializuara. Sky ECC, për shembull, funksiononte me abonim dhe tërhoqi mbi 170,000 përdorues në mbarë botën. EncroChat gjithashtu fitoi popullaritet mes grupeve kriminale evropiane përpara se forcat e rendit të depërtonin në të dhe ta mbyllnin në vitin 2021.
Disa modele bien në sy në evolucionin e këtyre platformave. Shumica janë shërbime me pagesë abonimi, që kushtojnë midis 800 dhe 3,000 euro për një periudhë gjashtëmujore. Ndërsa promovoheshin si mjete për privatësi, shumë prej tyre ishin ndërtuar posaçërisht për të përmbushur nevojat e krimit të organizuar.
Ekosistemi i komunikimit kriminal po bëhet gjithnjë e më transnacional. Përdorimi i tij është përhapur globalisht dhe rrjetet kriminale në Amerikën Latine, Amerikën e Veriut, Evropë, Australi dhe Azi mbështeten tek ai për të menaxhuar operacionet dhe për të shmangur zbulimin.
Qasja në pajisjet e enkriptuara kërkon njohuri të brendshme, ndërsa rishitja përmes kanaleve të besuara e forcon ekskluzivitetin. Kriminelët nga Ballkani Perëndimor raportohen se kanë qenë një pjesë e rëndësishme e këtij zinxhiri rishitjeje.
Së fundmi, disa shërbime, si Matrix, kanë filluar të pranojnë kriptovaluta si mënyrë pagese. Kjo ka shtuar një shtresë tjetër kompleksiteti, duke e bërë edhe më të vështirë ndjekjen financiare për autoritetet.
Të gjitha këto prirje tregojnë se platformat e komunikimit të enkriptuar janë bërë tashmë një pjesë thelbësore e krimit të organizuar modern.
Kthimi i mjeteve të kriminelëve kundër tyre
Midis viteve 2018 dhe 2024, agjencitë e zbatimit të ligjit kanë përgjuar dhe dekriptuar miliona mesazhe të përdorura nga grupe kriminale. Këto mesazhe, që tani janë thelbësore në proceset gjyqësore, u kanë dhënë hetuesve një vështrim të paprecedentë në brendësi të botës së krimit të organizuar. Si rezultat, ata kanë fituar njohuri të detajuara mbi nënbotën kriminale.
Një nga shembujt më të spikatur është Anom, një platformë e enkriptuar e operuar fshehurazi nga FBI-ja, e cila u promovua brenda qarqeve kriminale dhe u përdor në mbi 100 vende, në më shumë se 12,000 pajisje. Platforma funksionoi për tre vjet pa u zbuluar, falë bashkëpunimit të fortë ndërkombëtar. Operacioni që rezultoi, Trojan Shield, çoi në mbi 800 arrestime dhe në sekuestrime të mëdha droge, armësh dhe parash.
Anom zbuloi gjithashtu lidhje të rëndësishme me Ballkanin Perëndimor. Një nga shpërndarësit kryesorë të saj ishte një shtetas suedezo-serb me nofkën Microsoft. Qeveria amerikane kishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kapjen e tij në qershor 2023. Ai u arrestua në Turqi në nëntor 2023. Për më tepër, gazetari Joseph Cox zbuloi në librin e tij Dark Ëire se FBI-ja kishte vizituar edhe vende që nuk ishin drejtpërdrejt të përfshira në operacionin Anom, si Serbia, për shkak të numrit të lartë të përdoruesve në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, sipas një prokurori serb, Anom ishte më pak e rëndësishme për Serbinë sesa Sky ECC, e cila luajti një rol shumë më qendror në komunikimet kriminale të lidhura me grupet serbe. Prokurori shtoi se “përdorimi i njëkohshëm i disa aplikacioneve të enkriptuara për të shmangur zbulimin” është aktualisht i dukshëm në vend.
Përveç përdorimit të disa aplikacioneve të enkriptuara në të njëjtën kohë për të shmangur zbulimin, grupet kriminale po zhvillojnë mjetet e tyre të brendshme të komunikimit, të përshtatura për operacione specifike. Kjo përfshin punësimin e ekspertëve të IT-së për të ndërtuar aplikacione të personalizuara për përdorim të brendshëm.
Grupet mbështeten gjithashtu në shërbime më pak të njohura ose të specializuara, që janë më të vështira për t’u ndjekur nga autoritetet. Disa përdorin telefona satelitorë, veçanërisht në det të hapur – një metodë që ende nuk është analizuar gjerësisht nga autoritetet. Këto taktika pasqyrojnë një tendencë të qartë: rrjetet kriminale po evoluojnë vazhdimisht strategjitë e tyre të komunikimit për të qëndruar një hap përpara mbikëqyrjes dhe për të mbrojtur operacionet e tyre.
Deri më tani, prokurorët në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë kanë ngritur akuza të bazuara në mesazhe të Anom-it. Në Mal të Zi janë ngritur aktakuza kundër 11 personave, ndërsa në Bosnjë ndaj tetë të tjerëve – të gjithë të lidhur me aktivitete të krimit të organizuar.
Megjithatë, pavarësisht shtimit të hetimeve të bazuara në prova nga aplikacionet e enkriptuara, vendimet përfundimtare në rajon mbeten të rralla. Në Serbi, një nga rastet e pakta të përfunduara çoi në dënimin e një ish-inspektori policie për shitje informacioni nga hetimet në zhvillim. Në Mal të Zi, ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë po përballet me gjyqe që lidhen me prova nga komunikimet e enkriptuara. Në njërin prej vendimeve të para, ajo u dënua me gjashtë muaj burg për shpërdorim detyre. Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është ende përfundimtar.
Rezultate të tilla mbeten përjashtime, gjë që nuk është befasuese duke pasur parasysh kontekstin më të gjerë. Hulumtimet e OSBE-së kanë theksuar procedurat e gjata në rastet e krimit të organizuar të nivelit të lartë dhe të mesëm si një problem sistemik. Menaxhimi i dobët i gjyqeve dhe kapaciteti ose vullneti i kufizuar i gjyqësorit për të vepruar shpesh çojnë në shtyrje të pafundme të rasteve të nivelit të lartë, pavarësisht provave, përfshirë ato të marra nga komunikimet e enkriptuara.
Operacionet kundër EncroChat, Sky ECC, Matrix dhe Exclu kanë shënuar një ndryshim në strategjinë e zbatimit të ligjit. Autoritetet tani synojnë jo vetëm përdoruesit, por edhe sistemet që i mbajnë këto platforma në funksion. Kjo përfshin sekuestrimin e serverëve, shkatërrimin e infrastrukturës së hostimit dhe marrjen nën kontroll të sistemeve të pasme (back-end) që përdoren për menaxhimin e platformave.
Megjithatë, ndikimi afatgjatë mbetet i paqartë. Mbylljet e platformave sjellin përfitime afatshkurtra, por nuk kanë ndryshuar ndjeshëm tregun global të drogës. Në vitin 2024, sekuestrimet e kokainës në Holandë ranë me 40 për qind. Nuk dihet nëse kjo pasqyron një rënie të trafikimit apo një kujdes më të madh nga ana e kriminelëve, të vetëdijshëm se mesazhet e tyre mund të monitorohen. Shumë prej tyre po zhvendosen drejt porteve më të vogla, dytësore, në vend të qendrave të mëdha si Roterdami, Antuerpi ose Hamburgu.
Komunikimi i enkriptuar është kthyer në një shpatë me dy tehe. Dikur një mburojë për sekretin kriminal, tani ai është bërë një mjet i fuqishëm për zbatimin e ligjit. Sfida kryesore përpara është ruajtja e bashkëpunimit global dhe trajtimi i kompleksiteteve ligjore të përdorimit të provave digjitale në gjykata.
Ndërkohë, kriminelët do të gjejnë mënyra të reja, platforma dhe metoda të tjera, duke i detyruar autoritetet të përshtaten vazhdimisht me këtë lojë të pamëshirshme si macja me miun.







