
Prokurorja e Tiranës, Elina Kombi u shkarkua nga detyra më 3 shkurt pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ajo nuk kishte provuar me dokumentacion ligjor një pjesë të burimeve financiare të deklaruara, duke çmuar se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përfundua hetimi administrativ.
Kombi ushtroi ankim duke kërkuar kalimin e çështjes në seancë publike dhe riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë, por ato nuk u gjetën të bazuara. Pas shqyrtimit në dhomë këshillimi, edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA konkludoi se ky subjekt rivlerësimi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.
Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti nuk ka pasur mundësi financiare për ndërtimin e shtesës anësore të një apartamenti në Pogradec. Ndërsa Kombi kundërshtoi në ankim mënyrën e përllogaritjes së vlerës së ndërtimit të kësaj pasurie, që sipas saj, bie ndesh me praktikën e krijuar nga Komisioni dhe Kolegji në raste analoge.
Trupi gjykues nuk e ka gjetur të mbështetur kërkimin për zbritjen e 25% të vlerës së investimit të përllogaritur, sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, bazuar në jurisprudencën e mëparshme të Kolegjit. Sipas KPA-së, referencat e EKB-së nuk gjejnë zbatim në këtë çështje, por në ato raste kur mungon dokumentacioni i kohës që provon vlerën e investimit si preventiv apo situacione punimesh.
Në vijim, Kolegji konstaton se në rastin objekt shqyrtimi, pjesë e praktikës së legalizimit të përcjellë nga AShK-ja është dhe akt kolaudimi i përgatitur në vitin 2010, në të cilin përcaktohet se vlera e objektit, sipas preventivit, është 6.7 milionë lekë dhe sipas situacionit në vlerën 7.2 milionë lekë.
Nga analiza financiare e kryer në KPA për këtë pasuri, ka rezultuar një thellim i balancës negative, nga 907 mijë lekë në më shumë se 1 milion lekë. Megjithatë, për të mos përkeqësuar situatën, është konfirmuar pamundësia e konstatuar prej KPK-së.
Komisioni ka konkluduar pamundësi financiare dhe për një rezidencë banimi tre kate në Pogradec, si dhe ka çmuar se ky objekt është përdorur si bujtinë, ndërsa subjekti nuk arriti të vërtetojë se aktiviteti është ushtruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kombi në ankim ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit për pamjaftueshmërinë e konstatuar për krijimin e kësaj pasurie, duke pretenduar se mungesa e likuiditetit në vlerën 979 mijë lekë në vitin 2010, është rrjedhojë e një analize financiare të gabuar. Sipas saj, në këtë vit nuk janë llogaritur saktë të ardhurat nga paga e bashkëshortit të provuara me dokumentacion të rregullt ligjor, të dorëzuar në Komision.
Subjekti ka parashtruar se në vitin 2010, të ardhurat e bashkëshortit kanë qenë në shumën 844 lekë, ndërsa Komisioni i ka llogaritur ato në vlerën 551 mijë lekë. Po ashtu, ka kërkuar që në analizën e atij viti të përfshihet dhe shuma 420 mijë lekë të përfituar për shkak të funksionit si drejtuese e prokurorisë, si dhe të zbriten shpenzimet e karburantit, po për shkak të detyrës.
Kolegji e cilëson të pabazuar kërkesën për konsiderimin si të ardhura, të shpenzimeve të transportit që subjekti ka përfituar si drejtuese e prokurorisë. “…Përfitimet financiare mujore, sipas vlerës së përcaktuar 35.000 lekë/muaj, shërbejnë për transportin në përmbushje të detyrave funksionale, dhe i akordohen në rastin konkret drejtuesit të prokurorisë, me një destinacion të mirëpërcaktuar dhe, në vlerësim të trupit gjykues, nuk mund të konsiderohet një e ardhur personale e subjektit”, vlerëson trupi gjykues dhe sjell në vëmendje jurisprudencën e mëparshme për çështje të ngjashme, në të cilat të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga dietat, është çmuar se kanë si destinacion mbulimin e shpenzimeve të kryera nga zyrtarët gjatë veprimtarisë e detyrës së tyre dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohen si të ardhura me burim marrëdhënien e punës.
Lidhur me balancën pozitive të konstatuar nga KPK për vitin 2011, Kolegji vëren se Shkalla e Parë e vetingut ka mbajtur qëndrim tejet garantist ndaj subjektit të rivlerësimit, pasi edhe pse ajo nuk ka provuar me të ardhura të ligjshme krijimin e një shume 62 mijë USD që ka shërbyer si burim për ndërtimin e kësaj pasurie, e ka konsideruar të plotë këtë shumë të tërhequr nga një depozitë.
Kolegji vlerëson se Kombi nuk arriti të provojë me dokumentacion të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, si dhe të mundësisë së prindërve të saj, për t’i dhënë shumën 20 mije USD – vlera monetare së bashku kanë shërbyer si burim për krijimin e depozitës 62 mijë USD.
Trupi gjykues i KPA e ka gjetur të pabazuar pretendimin e subjektit për pamundësinë objektive për të gjetur dokumentacion ligjor për të vërtetuar një pjesë të të ardhurave në SHBA, për shkak të kohës së largët dhe rrethanave të tjera që lidhen me ruajtjen e dokumentacionit.
Sipas Kolegjit, subjekti duhej të provonte se dokumenti mbi këto të ardhura të ligjshme është zhdukur, ka humbur, nuk mund të bëhet përsëri apo nuk mund të merret në rrugë tjetër. Në vijim, trupi gjykues vëren se rrethanat mbi të cilat subjekti i rivlerësimit adreson pamundësinë për të provuar çdo dollar të përfituar nuk gjejnë mbështetje në situatën faktike që ofrojnë aktet e paraqitura nga ajo vetë. Përsa i përket pretendimit se bashkëshorti ka fituar edhe bakshish, Kolegji konstaton se në SHBA dhe ky lloj të ardhurash është i taksueshëm dhe përfituesi mbart detyrimin për ta deklaruar në organet përkatëse.
Ndërsa të ardhurat në vitet 2007 dhe 2009 nga vetë subjekti prej punësimit nbë SHBA, kur ajo ka qenë prokurore, KPA çmon se dhe në kushte provueshmërie, nuk do të kalonin testin e ligjshmërisë.
“Përpos efektit financiar, punësimi i subjektit të rivlerësimit në kushtet e ndalesës ligjore vlerësohet sjellje joprofesionale dhe joetike, në kuadër të ushtrimit të funksionit të saj si prokurore”, citohet në vendim.
Bazuar në këto arsyetime, edhe Kolegji ka konsideruar të ardhura të ligjshme vetëm ato që provohen me dokumentacion justifikues ligjor nga puna e bashkëshortit në SHBA, në vlerën 16 mijë e 569 USD, për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.
Subjekti ka kundërshtuar edhe konstatimin tjetër të Komisionit për pamundësinë e prindërve të saj për krijimin e një shumë 20 mijë USD nga puna e tyre në Greqi.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se subjekti i rivlerësimit nuk saktëson veprimin juridik të dhënies së kësaj shume nga prindërit, as si hua dhe as si dhuratë. Po ashtu, konkludohet se, megjithëse Kombi pretendoi se ka qenë dhe në këtë rast në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion për një pjesë të të ardhurave të prindërve, ajo nuk provoi se këto dokumente nuk mund të siguroheshin. Edhe nga analiza financiare e kryer në Kolegj, ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e shumës 20 mijë USD.
Po ashtu, Kolegji ngre dyshime mbi destinacionin e përdorimit të shumës së dhënë nga prindërit. “Vetë paqartësia e krijuar, konkretisht, fakti që subjekti i rivlerësimit nuk e tërhoqi këtë shumë për ndërtimin e shtesës anësore, në vitet 2006, 2008 dhe 2009, por e tërhoqi atë për ndërtimin e ‘Magazinë dhe Rezidencë Banimi 3 (tre) kate’ në vitin 2011, lëkund besueshmërinë e deklarimeve të subjektit se kjo shumë u ishte dhënë për ta përdorur për nevoja të strehimit”, argumenton KPA.
Nga analiza financiare e kryer në Kolegj, ka rezultuar se prindërit e subjektit kanë qenë në pamundësi financiare në shumën 35 mijë USD për dhënien e vlerës 20 mijë USD në vitin 2004.
Nga kontrolli i analizës financiare për gjithë periudhën e rivlerësimit, është konstatuar balancë negative në vlerën 5.7 milionë lekë, por për të mos përkeqësuar situatën, Kolegji ka lënë në fuqi pamundësinë 5.2 milionë lekë të konstatuar nga KPK.
Në përfundim, trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, konkludojnë se prokurorja Elina Kombi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe e ka lënë në fuqi shkarkimin e saj.







