
Prokuroria e Tiranës njoftoi mbrëmjen e të martës më 9 dhjetor caktimin e masave të sigurimit personal ndaj pesë zyrtarëve të Bashkisë Tiranë e IMT-së, si dhe ndaj tre personave të tjerë, të cilët akuzohen se përfituan fonde publike për punime fiktive, duke përdorur të dhëna të rreme. Pesë zyrtarët e bashkisë akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Në njoftim sqarohet se hetimet kanë nisur bazuar në denoncimin e një qytetari që është ankuar për prishjen nga IMT të pallatit ku jetonte, pa njoftim e pa vendim zyrtar. Sipas prokurorisë, nga hetimet është provuar se në janar të vitit 2021janë shembur 6 objekte nga Bashkia e Tiranës, përfshi edhe pallatin nr.140 që ishte objekti fillestar i procedimit. Ndërkohë, ka rezultuar se në mars 2021, nga ana e këshillit të Bashkisë Tiranë është miratuar fondi për “Demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore” për 15 pallate të cilësuara si të dëmtuara prej tërmetit të nëntorit të vitit 2019, mes tyre dhe objektet e demoluara më parë, që në muajin janar nga Bashkia Tiranë.
“Shtetasja A.M. si përfaqësuese e subjektit Arb&Trans-2010 sh.p.k & KLAJGER KONSTRUKSION sh.p.k dhe mbikqyrës i punimeve subjekti MAGING studio shpk, që fitoi tenderin e demolimit të objekteve, ka përfshirë edhe objektet që ishin të demoluara që në muajin Janar 2021, duke paraqitur rrethana të rreme, punime fiktive dhe shkaktuar dëm në vlerë monetare buxhetit të Bashkisë Tiranë me disbursimin e fondeve publike për punime fiktive”, konstaton organi i akuzës së kryeqytetit.
Dokumentet janë hartuar nga shtetasi Sh.M. në cilësinë e sipërmarrësit të punimeve, i cili ka paraqitur të dhëna të rreme.
Nga ana tjetër, shtetasit S.Q. dhe R.R., në cilësinë e punonjësve të IMT-së pranë Bashkisë Tiranë, kanë hartuar preventivët e punimeve. Prokuroria i akuzon se kanë vepruar në kundërshtim me detyrën dhe rregullat profesionale, pasi vetë kanë deklarojnë para hetuesve se nuk kanë dalë asnjëherë në terren për të verifikuar gjendjen reale të objekteve. Ata kanë pohuar se preventivat i kanë hartuar duke u bazuar vetëm në projektin ekzistues të përcjellë nga Drejtoria e Emergjencave Civile dhe se nuk mbajnë mend nëse pallati nr.140 ka qenë ose jo në listë.
Ndërkohë, shtetasi F.F. në cilësinë e administratorit përfaqësues të “Arb&Trans-2010″sh.p.k & “KLAJGER KONSTRUKSION”sh.p.k., akuzohet për falsifikim të procesverbalit mbi fillimin e punimeve në objektin “Demolimi dhe evadimi i mbetjeve ndërtimore për 15 pallate, mes tyre dhe pallatit nr 140 me vendndodhje në rrugën “Haki Stermilli”, njësia administrative nr.6, Tiranë.
Hetimi ka zbuluar se në këtë paligjshmëri janë përfshirë dhe shtetasit A.Ç., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile; A.B., Drejtor i Drejtorisë së Emergjencave Civile; E.G., Përgjegjëse sektori e Politikave të Kompensimit të Fatkeqësive Natyrore, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre.
“Të tre kanë pasur detyrimin ligjor të nënshkruajnë dokumente që lidhen me procedurat e demolimit dhe evadimit të mbetjeve ndërtimore. Për këtë arsye, çdo lëshim dokumenti të pavërtetë prej tyre përbën jo thjesht një falsifikim, por formën e rënduar të veprës sipas paragrafit të tretë të nenit 186, sepse falsifikimi kryhet nga personi që ka pikërisht për detyrë të lëshojë aktin në fjalë”, aergumenton prokuroria. Ddaj Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile dhe vartësit së tij dhe një specialisti të IMT-së, është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, janë lënë në detyrim paraqitje, Përgjegjesja e Sektorit të Politikave të Kompesimit nga Fatkeqësitë natyrore të Drejtorisë së Emergjencave Civile, mbikëqyrsja e punimeve, dhe dy përfaqësuesit ligjorë të bashkimit të operatorëve ekonomikë, “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk, si dhe administratori i subjektit “Arb & Trans -2000” shpk.







