
Qeveria e Italisë ka propozuar një amendament në ligjin e buxhetit për vitin 2026, sipas të cilit ari i mbajtur nga Banka e Italisë “i përket popullit italian”, dhe jo “shtetit”. Kjo fjali mund të duket e padëmshme – kush do të pretendonte të kundërtën? – megjithatë ajo ka shkaktuar një valë spekulimesh të shqetësuara, si dhe thirrje nga Banka Qendrore Evropiane për ta hequr këtë dispozitë.
Nga pikëpamja ligjore, amendamenti është i pakuptimtë. Pronësia dhe qeverisja e rezervave të arit në bilancin e bankës qendrore italiane janë tashmë të përcaktuara saktësisht. Banka e Italisë është plotësisht e integruar në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBC), i cili rregullohet nga Traktatet e Bashkimit Evropian, Statuti i SEBC-së dhe ligji italian. Këto korniza garantojnë njëkohësisht pavarësinë operacionale të bankave qendrore të shteteve anëtare dhe ndalojnë qeveritë kombëtare të përvetësojnë rezervat monetare. Me fjalë të tjera, me ose pa amendamentin e ri, Italia nuk mund t’i përdorë rezervat e saj të arit për të financuar shpenzimet publike apo për të ulur borxhin, pa pëlqimin e BQE-së, gjë që nuk do të ndodhte.
Por në kontekstin institucional në zhvillim të eurozonës, gjestet simbolike mbartin peshë politike. Partia në pushtet në Itali duket se po rreshtohet gjithnjë e më shumë me botëkuptimin nacionalist të promovuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë edhe Strategjinë e saj më të fundit të Sigurisë Kombëtare (NSS), e cila e përshkruan BE-në si një njollë për “lirinë politike dhe sovranitetin”. Duke deklaruar se ari “i përket popullit”, qeveria italiane po u dërgon një mesazh votuesve që e konsiderojnë euron si një kufizim të imponuar nga jashtë dhe BQE-në si jo mjaftueshëm të përgjegjshme: BE-ja nuk na zotëron dhe kombi vjen ende i pari.
Ky mesazh gjen padyshim jehonë. Italia prej kohësh i ka romantizuar rezervat e saj të mëdha të arit – të tretat më të mëdha në botë, që arrijnë në 2.452 tonë metrikë – si një lloj garancie sovraniteti. Për një shtet që ka luftuar prej kohësh me brishtësinë fiskale, ideja se një aset i fshehur mund të garantojë autonomi dhe pavarësi në kohë krize është politikisht shumë e fuqishme.
Për sa kohë që Italia është anëtare e eurozonës, kjo fantazi do të përplaset me realitetin operacional. Sa herë që politikanët italianë kanë sugjeruar përdorimin e arit për të ulur borxhin ose për të mbështetur ekonominë, ata janë ndeshur me kufizimet e përcaktuara nga traktatet. Por nëse Italia do të largohej nga eurozona, qoftë e vetme apo në kuadër të një fragmentimi më të gjerë, rezervat e saj të arit do të shërbenin si ankorë për një monedhë të re kombëtare, si kolateral për të stabilizuar tregjet financiare dhe si simbol i rikthimit të sovranitetit ekonomik.
Ky mund të jetë pikërisht qëllimi i amendamentit të ligjit të buxhetit: të sinjalizojë një të ardhme në të cilën ari mund të shërbejë si mbështetje për sovranitetin e Italisë – ende një mundësi jashtëzakonisht e largët – pa provokuar një përplasje institucionale. Por pse të aludohet, sado e zbehtë, një e tillë e ardhme? Dhe pse tani? Dallohen tre shpjegime të mundshme.
Së pari, amendamenti mund të jetë një manovër politike e brendshme. Koalicioni qeverisës i Italisë, i udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni, përfshin parti me prirje euroskeptike të hershme. Ndërsa Italia hyn në një periudhë negociatash të tensionuara mbi rregullat fiskale, objektivat buxhetore dhe qasjen në fondet e rimëkëmbjes së BE-së, një gjest në drejtim të sovranitetit kombëtar është një mënyrë pa kosto për të lehtësuar presionet e brendshme, pa ndryshuar angazhimet e politikës së Italisë.
Së dyti, amendamenti mund të synojë të dërgojë një mesazh të nënkuptuar te zyrtarët evropianë. Italia mbetet një anëtare e madhe dhe sistemikisht e rëndësishme e eurozonës dhe stabiliteti i saj ekonomik është i lidhur ngushtë me atë të unionit monetar. Duke nxjerrë në pah rezervat e saj të konsiderueshme të arit, qeveria mund të përpiqet t’u kujtojë institucioneve të BE-së dhe BQE-së se negociatat fiskale duhet të marrin parasysh realitetet politike. Në një sistem që varet nga besimi i ndërsjellë, gjestet simbolike mund të shërbejnë si formë pazari.
Së fundi, Italia mund të jetë duke u mbrojtur në një mjedis gjeopolitik që po ndryshon me shpejtësi. Meloni ka mbajtur një qëndrim dukshëm më të ngrohtë ndaj Trump-it sesa shumica e liderëve të tjerë evropianë, të cilët e kundërshtojnë mungesën e angazhimit të tij ndaj aleancës transatlantike dhe përpjekjet e koordinuara për të thelluar pasigurinë strategjike të Evropës. Me amendamentin e ligjit të buxhetit, ndoshta Meloni synon të garantojë që ajo të shihet si pjesë e “partive patriotike evropiane”, ndikimi “në rritje” i të cilave përmendet nga NSS-ja e administratës Trump.
Asgjë nga kjo nuk do të thotë se Italia po mendon të dalë nga euroja – një propozim ekonomikisht katastrofik. Megjithatë, tolerimi nga Italia i narrativave nacionaliste dhe i pretendimeve për autonomi monetare mund të ketë kosto më të larta nga sa duket se e kupton qeveria e Meloni-t.
Duke theksuar pronësinë e popullit mbi rezervat e arit të Italisë, qeveria në thelb po nxjerr në pah planin e saj rezervë për një krizë të madhe – në veçanti, një dalje nga eurozona ose shpërbërjen e saj. Në një kohë rritjeje të dobët ekonomike, trazirash gjeopolitike, pasigurie strategjike dhe rënieje të besimit në institucionet evropiane, kjo është gjëja e fundit që i duhet eurozonës. Në fund të fundit, një union monetar mbahet i bashkuar po aq nga angazhimet politike sa edhe nga kornizat ligjore. Vënia në dyshim e këtyre angazhimeve, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, mund të tronditë themelet e tij.
Ari i Italisë mbetet i mbyllur në mënyrë të sigurt në kasafortat e bankës së saj qendrore. Por Evropa do të ishte e pamatur nëse do t’i shpërfillte narrativat që mund të krijojnë pasiguri të konsiderueshme mbi pyetjen nëse ai do të vazhdojë të mbetet atje.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Italy’s Gold Gambit







