
Ndërsa kemi hyrë në vitin e ri, është e vështirë të ndihesh optimist për Evropën. Pjesa më e madhe e botës e shikon kontinentin me përbuzje dhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump është haptazi përçmuese ndaj Bashkimit Evropian. Me shumë vende të BE-së që po fokusohen te vetja, a është ende e mundur një rilindje politike evropiane?
Në pamje të parë (dhe ndoshta edhe të dytë dhe të tretë), perspektiva duket e zymtë. Gjatë vitit të kaluar, Evropa është shndërruar në një hibrid të pahijshëm: njëkohësisht thes boksi dhe një objekt talljeje. Strategjia e Sigurisë Kombëtare (NSS) e administratës Trump pohon me përçmim se Evropa përballet me “zhdukje qytetërimi”, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin i përshkruan udhëheqësit evropianë si “derra të vegjël”. Edhe pse Kina përdor një retorikë më dashamirëse, duke i bërë thirrje Evropës të bashkëpunojë për ruajtjen e multilateralizmit, liderë evropianë kyç, si presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, mendojnë se çekuilibrat tregtarë të Kinës po shkatërrojnë industrinë evropiane.
Për më tepër, problemet fiskale të Evropës po kontribuojnë në dobësinë e saj politike. Refuzimi i fundit i Belgjikës ndaj një plani për të përdorur asetet e ngrira të bankës qendrore ruse për të mbështetur Ukrainën mund të jetë i justifikueshëm ligjërisht, por gjithashtu duket si një tjetër shembull i dështimit të Evropës për të çuar gjërat deri në fund.
Megjithatë, historia ofron arsye për shpresë. Kjo nuk është hera e parë që Evropa ka qenë kaq e cenueshme. Ndjenja e dëshpërimit dhe lodhjes ishte edhe më e thellë në fund të luftërave napoleonike, pas dështimit të revolucioneve të vitit 1848 dhe pas katastrofave dhe tmerreve të dy luftërave botërore të shekullit XX. Shumë evropianë hoqën dorë nga kontinenti i tyre dhe u shpërngulën gjetkë.
Në mesin e shekullit XIX, shkrimtarë dhe përzgjedhës veprash letrare gjermanë si Joseph von Eichendorff u përqendruan te mënyra se si përqafimi i përparimit nga ana e Evropës po përplasej me kulturën e saj të nostalgjisë, duke krijuar ngërç.I gjithë kontinenti ishte i lodhur dhe i sëmurë, i kapluar nga dhimbja ekzistenciale – Weltschmerz. Në mënyrë të ngjashme, në akuzën e tij ndaj marrëveshjes politike pas Luftës së Parë Botërore, ekonomisti John Maynard Keynes e pa qartë të vërtetën. Duke cituar dramën me frymë tolstojane të epokës napoleonike të Thomas Hardy-t, The Dynasts, ai pranoi se “Asgjë nuk mbetet / Veç hakmarrjes këtu mes të fortëve / Dhe atje, mes të dobëtve, një zemërim i pafuqishëm”.
Megjithatë, Evropa rindërtohej gjithmonë veten duke imagjinuar se si mund të ishte bota. Ndonjëherë kjo ka nënkuptuar ndjekje agresive të perandorive ose krijimin e krizave që kërkonin ndërhyrjen e një Amerike izolacioniste. Por shpesh rindërtimi ka sjellë edhe përparime pozitive, me suksesin më të madh që erdhi pas vitit 1945.
Është e zakonshme, veçanërisht në retrospektivë, të thuhet se një koncept i ngushtë i suksesit material formësoi rendin evropian të pasluftës, ku lidhjet ekonomike dhe prosperiteti mbështesnin stabilitetin politik. Por ky interpretim injoron radikalizmin e asaj epoke. Pas krijimit të një Evrope të re qëndronte një vizion politik krejtësisht i ri dhe thellësisht i ndryshëm, më së miri i ilustruar nga Gjenerali Charles de Gaulle.
Ndërsa mendimi gaullist shpesh reduktohet te vizioni i atdheut, l’Europe des patries, ky përshkrim pak i bën drejtësi. De Gaulle solli një perspektivë krejtësisht të re në politikën evropiane, pasi kishte reflektuar thellë mbi antagonizmin franko-gjerman, disfatën e Francës në 1940 dhe dorëzimin e elitës ushtarake dhe politike të Francës. Ai pa se një plagë e thellë mund të mbyllej vetëm duke i bashkuar të dy palët bashkë. Franca nuk mund të rindërtohej politikisht pa një Gjermani të rindërtuar politikisht.
E njëjta logjikë qëndron në themel të kërkimit të një zgjidhjeje për kërcënimin rus ndaj sigurisë sot. Rritja e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës është një përgjigje ndaj sfidës së menjëhershme, por jo domosdoshmërish do të garantojë stabilitet afatgjatë. Për këtë, nevojitet të refuzohet mënyra e të menduarit për “sferat e interesit” që frymëzon si NSS-ja e re e Trump – me ripërsëritjen e befasishme të Doktrinës Monroe (tani “Doktrina Donroe”) për Amerikën Latine – ashtu edhe manifestin e Putinit i vitit 2021, “Mbi Unitetin Historik të Rusëve dhe Ukrainasve”. Të dy dokumentet reflektojnë një obsesion me pretendime historike, me Putin që kthehet deri te pagëzimi i Shën Vladimirit, Rusia Kieviane dhe kërcënimi që përfaqësonte Bashkimi Polako-Lituanez për Rusinë në periudhën e hershme moderne.
Por nuk ka asnjë arsye për të besuar se amerikanët apo rusët duan vërtet t’i përkushtohen doktrinave të çuditshme dhe jashtëzakonisht të kushtueshme të udhëheqësve të tyre aktualë. Në fakt, një kundër-reagim po zhvillohet tashmë në Shtetet e Bashkuara, ku një sferë publike ende e hapur ka debate të nxehta mbi korrupsionin e administratës, politikat e saj të jashtme transaksionale, deportimet mizore dhe krimet e luftës.
Është gjithashtu e mundur të imagjinohet një Rusi e re. Edhe pse natyra represive e regjimit të Putinit e bën të vështirë vlerësimin e opinionit të vërtetë, shenjat janë aty për ata që dinë t’i dallojnë ato. Kini parasysh, për shembull, reagimin entuziast ndaj riimagjinimit nga regjisori ruso-amerikan Michael Lockshin të veprës “Mjeshtri dhe Margarita” të Mikhail Bulgakov. Duke tërhequr më shumë se gjashtë milionë shikues në Rusi, ky është një nga filmat me fitimet më të larta në historinë e vendit.
Versionet amerikane dhe ruse të politikës së pushtetit këmbëngulin se një kërcënim ushtarak kërkon luftë dhe mobilizim kombëtar. Sapo kërcënimi i supozuar të humbasë ndikimin mbi opinionin publik, regjimet që mbështeten në të do të humbasin pushtetin. Hardy bëri pyetjen e duhur: “Pse vullneti të nxit të bësh veprim kaq të pakuptimtë?” Ndërsa ai arriti në përfundimin se gjithçka ishte shkatërruar, se “asgjë nuk mbeti”, një përmbysje është gjithmonë e mundur. Ata që duken të dobët mund të ofrojnë ende një alternativë më të mirë sesa hakmarrja e pakuptimtë dhe shkatërruese e të fortit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Against Euro-Pessimism







