
“Ishte pikërisht në atë kohë që lindi dhe mori formë kërkesa për një republikë të Kosovës. Kjo gjeneratë e çoi përpara këtë frymë me entuziazëm dhe na mori edhe ne me vete.”
Rexhep Ismaili po kujton vitin 1968, një vit shprese për ndryshim në mbarë Evropën – dhe edhe në Kosovë. Në atë kohë, Kosova ishte pjesë e federatës jugosllave dhe dominohej nga qeverisja serbe. Por shumica etnike shqiptare, e nëpërkëmbur, kishte filluar të kërkonte liri më të madhe. “Këto ishin rrethana që kërkonin një zë”, tha Ismaili.
Vera e vitit 1968 ishte gjithashtu koha kur Ismaili u takua për herë të parë me Ibrahim Rugovën – njeriun që vite më vonë do të bëhej presidenti i parë i Kosovës, pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Të dy u regjistruan për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës. Ismaili dhe Rugova, i lindur në vitin 1944 në fshatin malor Cerrcë, pranë qytetit perëndimor të Istogut, u bënë miq të ngushtë dhe vendosën të ndanin një dhomë në konvikt.
“U lidhëm përmes leksioneve, seminareve dhe jetës së përditshme”, tha Isamili për BIRN.
Sot anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ismaili kujtoi se si i bënin kafe njëri-tjetrit dhe ndonjëherë grindeshin për rrëmujën në dhomë. “Si të gjithë djemtë e rinj, nuk na interesonte shumë rregullimi i dhomës”, tha ai.
Duke folur në zyrën e tij, në prag të 20-vjetorit të vdekjes së Rugovës më 21 janar 2006, Ismaili rrëfeu gjithashtu gëzimin e tyre kur morën bursat e para – dhe kur blenë një radio. “Dëgjonim muzikë me zë të lartë.”
Ai tha se Ibrahimi kishte një interes të fortë dhe të qëndrueshëm për letërsinë, me një lidhje të veçantë me poezinë. “Ajo periudhë krijoi lidhje të ngushta mes nesh dhe nguliti te brezi ynë një ndjenjë të qartë përgjegjësie për të çuar para arsimin në të gjithë provinçën (e atëhershme)”, tha ai.
“Paqësor, por i vendosur”

Rugova ishte vetëm gjashtë javësh kur në janar të vitit 1945, si i ati ashtu edhe gjyshi i tij u vranë nga forcat komuniste jugosllave. Dekada më vonë, ai nisi një luftë për Kosovën e pavarur të bazuar në rezistencë paqësore, duke u frymëzuar nga Mahatma Gandhi dhe Martin Luther King.
“Historia e familjes së tij e kishte bërë atë disi të kujdesshëm ndaj hakmarrjeve të regjimit”, kujtoi Ismaili.
Në vitet 1970, Rugova u bë redaktor në gazetën studentore me seli në Prishtinë Bota e re dhe në revistat Dituria dhe Gjurmime Albanologjike. Ai ishte gjithashtu autor i dhjetë librave.
Ai kishte një qëndrueshmëri të veçantë. Ismaili tregon se në një rast, kur autoritetet i kërkuan Rugovës ta hiqte një artikull nga faqja e parë, ai vendosi ta linte të gjithë faqen e parë pa tekst dhe në vend të kësaj botoi një fotografi të një gomari me syze.
“Ai kishte mënyrën e vet të protestës. Nga natyra ishte paqësor, por ishte i vendosur. Një element thelbësor i karakterit të tij ishte këmbëngulja”, tha Ismaili.
Rugova e kaloi vitin akademik 1976–1977 në Sorbonë, në Paris, ku studioi letërsi nën udhëheqjen e Roland Barthes-it. Dy dekadat pasuese punoi në Institutin Albanologjik në Prishtinë si hulumtues i lartë në fushën e letërsisë.
Si pothuajse çdo udhëheqës tjetër në ish-Jugosllavi, edhe Rugova u bë anëtar i Lidhjes Komuniste në pushtet, por u përjashtua pasi iu bashkua të tjerëve në kërkesën për ndryshime në kushtetutën e Serbisë.
Lindja e një partie të re

Në vitin 1988, politikani që fliste me zë të butë dhe me shallin e tij karakteristik prej mëndafshi, u bë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke artikuluar aktivizëm paqësor.
“Ai kishte një lloj karizme lidershipi, por ishte edhe një njeri shumë i butë”, tha Ismaili.
Hapi i mëtejshëm i Rugovës drejt politikës erdhi në vitin 1989. Kosova, ende një provincë e Serbisë, kishte fituar autonomi brenda federatës jugosllave në vitin 1974. Por në vitin 1989, presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, e shfuqizoi këtë autonomi, si pjesë e politikës së tij nacionaliste për “Serbinë e Madhe”, e cila do ta çonte rajonin drejt luftës.
Si përgjigje ndaj heqjes së autonomisë së Kosovës, Rugova iu bashkua një grupi intelektualësh për të themeluar një parti të re, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke shënuar një epokë të re të politikës pluraliste në krahinë.
“Në atë kohë, ai shfrytëzonte çdo hapësirë dhe çdo mundësi për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe vendimmarrësit perëndimorë për situatën në Kosovë”, tha për BIRN ish-këshilltari i Rugovës, Muhamet Hamiti.
Në vitin 1992, ndërsa Jugosllavia federale po shpërbëhej mes luftërave në Kroaci dhe Bosnje, Rugova u shpall presidenti i parë i Kosovës pas zgjedhjeve. Megjithatë, kjo nuk u njoh nga autoritetet serbe. Gjatë gjithë viteve ’90, ai udhëhoqi një lëvizje jo të dhunshme kundër sundimit serb.
“Nuk ishim gati për luftë. Do të kishte qenë një masakër”, kujton Rexhep Ismaili, i cili u arrestua nga forcat e sigurisë në mars të vitit 1989 dhe u mbajt për tre muaj në izolim, në një vend sekret.
Ndërsa regjimi nacionalist serb i Millosheviçit largoi qindra mijëra shqiptarë nga vendet e punës dhe mbylli shkollat, universitetet, institutet dhe mediat, Rugova udhëhoqi krijimin e një sistemi paralel arsimi, shëndetësie dhe jete kulturore, të financuar nga diaspora shqiptare në Perëndim. Ai intensifikoi përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar për situatën në Kosovë.
“Fakti që për një kohë të gjatë në Kosovë nuk pati përplasje të përgjakshme ishte vetëm falë maturisë së jashtëzakonshme politike të Rugovës”, shtoi Hamiti.
Gratë u mobilizuan në lëvizje.
Mevlyde Saraçi, 72 vjeçe, u bë kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së në Gjakovë dhe anëtare e kryesisë së partisë, duke punuar nën drejtimin e Rugovës për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për të mobilizuar gratë në lëvizje.
“Ai na mbështeti ne gratë në hapat tanë të parë në politikëbërje, duke na ofruar ndjenjë sigurie dhe barazie”, tha ajo për BIRN-. “Forumi i Gruas ishte pjesë jetike e veprimtarisë së tij politike, e vendimmarrjes dhe e komunikimit. Ai na bëri të ndiheshim të barabarta”, shtoi ajo.
Saraçi kujton se gjatë takimeve javore me Rugovën, asaj i besoheshin edhe detyra të rrezikshme. Pas sulmit ndaj udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe familjes së tij, ajo u ngarkua nga Rugova të organizonte dërgimin e më shumë se 40 arkivoleve në rajonin e Drenicës.
“Në Gjakovë u mobilizuam për t’i siguruar arkivolet. Unë u ula mes arkivoleve në kamion dhe, bashkë me shoferin, i transportuam në Drenicë për varrimin e familjes Jashari”, kujtoi ajo.
“Ai organizoi një akt të fuqishëm solidariteti. Ai dinte si t’i bashkonte elitat politike dhe akademike, por edhe njerëzit e zakonshëm”, tha ajo.
“Ai e vuri Kosovën në agjendën ndërkombëtare”

Gjatë viteve 1990, Rugova u shndërrua në një figurë simbolike, i njohur për faktin se konferencat e tij të rregullta për shtyp, çdo të premte, i mbyllte me fjalët: “Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimorë.” Në vitin 1998, ai u nderua me Çmimin Sakharov nga Parlamenti Evropian.
“Ai kishte një vizion; kishte besim. Në fakt, ne e arritëm destinacionin që ai kërkonte”, tha Hamiti.
Ky destinacion ishte një plan paqeje që Rugova ia paraqiti SHBA-së në vitin 1993, i cili parashihte një prani ushtarake nën një mandat të OKB-së ose NATO-s dhe shndërrimin e Kosovës në një protektorat ndërkombëtar. Kjo qasje u bë realitet gjashtë vjet më vonë.
“Kjo lëvizje paqësore, që shpesh paraqitej si pasive, ishte shumë më aktive sesa dukej”, tha Hamiti.
Christopher Hill, ish-ambasador i SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, i cili në vitin 1998 u emërua i dërguar special amerikan për krizën e Kosovës, kujtoi se karakteri paqësor i lëvizjes së Rugovës i dha Kosovës “një lloj peshe ndërkombëtare”.
“Ai ishte luajti një rol të rëndësishëm në futjen e Kosovës në agjendën ndërkombëtare”, tha Hill për BIRN në një intervistë nga shtëpia e tij në Minesota.
Në vitin 1998, teksa Kosova po zhytej në luftë, mosmarrëveshjet strategjike mes LDK-së dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u thelluan.
Në fund të vitit 1998, forcat serbe dëbuan qindra mijëra shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre; shumë prej tyre jetonin në rrezik të madh dhe strehoheshin nën plastmasë. Hill tha se e bindi Rugovën të shkonte dhe të takohej me civilët e goditur nga lufta.
“I thashë: ‘A mund të ndalojmë një çast së foluri për politikë dhe të mendojmë si t’i kthejmë këta njerëz në shtëpitë e tyre?’” kujtoi Hill.
“Ndjeva se Rugova duhej të ishte aty si një njeri që përfaqësonte forcat e dialogut. I kërkova të vinte me mua dhe e çova në Malishevë. Nuk e kisha parë kurrë më parë mes turmave të njerëzve. Aty pashë se sa shumë i besonin atij njerëzit”, tha ai.
Duke kujtuar bisedimet e paqes që pasuan në Rambuje të Francës, të mbajtura në ditët e fundit para se NATO-ja të niste fushatën ajrore në vitin 1999, Hill tha se negociatat ishin të vështira, sepse “po përpiqeshim t’i përfshinim të gjithë”.
“Roli i Rugovës mes tri grupeve në Rambuje u përshkrua vetëm në terma shumë të përgjithshëm, ndërsa vetë delegacioni i UÇK-së ishte shumë i larmishëm”, tha ai.
“Shpresa e fundit për një ndarje paqësore”
Wolfgang Petritsch, ish-i dërguar special i BE-së për Kosovën (1998–1999) dhe kryenegociator i BE-së në bisedimet e paqes në Rambuje dhe Paris në vitin 1999, tha se përpjekjet paqësore të Rugovës sollën një kuptim shumë më të thellë në Perëndim.
Petritsch kishte mbajtur disa poste në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, përpara se të bëhej ambasador i Austrisë në Beograd dhe i dërguar i BE-së në negociatat e Rambujesë. Ai është anëtar i bordit drejtues të BIRN-it.
“Rugova ishte një anomali politike gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Ai ishte shpresa e fundit më e madhe për një ‘divorc’ relativisht paqësor”, kujtoi Petritsch. “Por politika e tij nuk u vlerësua shumë nga komuniteti ndërkombëtar.”
Më 18 mars 1999, Rugova dhe delegacioni i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, e cila parashihte një prani ushtarake ndërkombëtare në Kosovë dhe tërheqjen e forcave jugosllave.
“Autoriteti i Rugovës, prestigji i tij ndërkombëtar dhe personaliteti i qetë mbetën simbol i rezistencës së Kosovës gjatë ditëve dhe netëve të gjata në Rambuje dhe Paris, në shkurt dhe mars 1999”, tha Petritsch.
Por bisedimet dështuan dhe filloi fushata ajrore e NATO-s. Ushtarët dhe policia serbe e vendosën Rugovën në arrest shtëpie. Reputacioni i tij u vu më pas në pikëpyetje, pasi ai u shfaq në televizion duke u takuar me Millosheviçin, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, të cilat pasuan një intensifikim të represionit në Kosovë.
Më vonë, ai dëshmoi në Gjykatën e Hagës, GJPNJ, se ishte detyruar të udhëtonte në Beograd më 2 prill 1999 për t’u takuar me Millosheviçin dhe për t’u shfaqur në televizion.
“Marrja peng dhe dërgimi i tij në Beograd ishte një moment tronditës. Nga jashtë, përpiqeshim t’u bënim të ditur aleatëve tanë se gjithçka që po thuhej ishte deklaratë e një pengu lufte”, tha Hamiti.
Hill kujtoi përpjekjet amerikane për ta nxjerrë në atë kohë Rugovën nga Kosova. “Atij iu lejua të shkonte në Romë vetëm nëse thoshte diçka kundër bombardimeve të NATO-s. Por ne e dinim dhe nuk besonim se ai i dënonte sinqerisht bombardimet e NATO-s”, tha Hill.
Politikat jo të dhunshme të Rugovës, në atë kohë, u konsideruan të dështuara nga shumë shqiptarë. Megjithatë, edhe pse rivaliteti i Rugovës me luftëtarët e UÇK-së u bë më i theksuar, “në fakt, lëvizjet paqësore dhe ato të armatosura ishin shumë më plotësuese sesa dukeshin në atë kohë, pavarësisht mospajtimeve”, theksoi Hamiti.
Në qershor 1999, pas fushatës ajrore të NATO-s, forcat serbe u tërhoqën dhe Kosova u vu nën administrimin e OKB-së. Rugova u kthye nga Italia në korrik 1999. Ai vazhdoi të përballej me kërcënime. Disa nga bashkëpunëtorët e tij politikë dhe ushtarakë, si Ahmet Krasniqi, ministër i tij i Mbrojtjes në mërgim, u vranë gjatë luftës; të tjerë u vranë pas saj.
Fakti se shqiptarët e Kosovës vazhdonin ta mbështesnin Rugovën u bë e qartë në zgjedhjet e para të lira, të mbajtura në fund të vitit 2000. LDK-ja e Rugovës fitoi 58 për qind të vendeve në parlament. “Shumica e luftëtarëve të UÇK-së ishin gjithashtu anëtarë të LDK-së”, kujtoi Hamiti.
Petritsch kujtoi takimin e tij të fundit me Rugovën në Prishtinë, në nëntor 2005. Në atë kohë, Rugova ishte dobësuar tashme nga një sëmundje e pashërueshme. “Megjithatë, ai ende kishte një besim të palëkundur se Kosova së shpejti do të bëhej (e njohur si) e pavarur”, tha Petritsch.
Vdekja e Rugovës në vitin 2006, në mes të negociatave kyçe për statusin përfundimtar të Kosovës, shënoi një pikë kthese në peizazhin politik të vendit. Shembulli i tij vazhdon të vlerësohet dhe të admirohet nga ata që punuan me të. Siç e tha Ismaili: “Ai ishte një njeri i kompromisit, që përpiqej ta shmangte konfliktin.”







