
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosi të hënën më 26 janar kalimin për shqyrtim në seancë plenare të ankesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj vendimarrjes së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për masën e sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij më 9 shkurt të vitit të kaluar, si dhe ndaj tre vendimeve pasuese deri në Gjykatën e Lartë, që e lanë msën e sigurisë në fuqi. Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja do të shqyrtohet mbi bazë dokumentesh.
Më datë 10 shkurt 2025, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shoqërua prej ambjenteve të zyrës së tij dhe u ndalua, bazuar në masën e masa e sigurimit “arrest në burg” që ishte caktuar një ditë më parë, pasi akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet. Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat.
Në ankimin e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Veliaj kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dy vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin dhe vazhdimin e masës, të marra në datat 9 shkurt dhe 12 shkurt, atë të Apelit të Posaçëm të datës 13 mars 2025, si dhe të vendimit të 8 korrikut 2025 të Gjykatës së Lartë për rrëzimin e rekursit.
Kërkesat e Veliajt u rrëzuan në këto gjykata, pasi u konstatua se ai së bashku me bashkëshorten, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Nga ana tjetër, Veliaj arriti të fitonte në Gjykatën Kushtetuese betejën për shkarkimin e tij. Më 25 shtator 2025, Këshilli i Bashkisë Tiranë e shkarkoi nga detyra Erion Veliajn, procedurë që u inicua nga kryeministri Edi Rama, i cili udhëzoi këshilltarët socialistë të bashkisë që të nisnin procedurën e shkarkimit, që në fund u finalizua me vendimin e qeverisë.
Velia iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë dhe për këtë çështje. Më datë 3 nëntor, gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.
Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vlerësoi se, Këshilli i Ministrave nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat Veliaj mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt, nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese gjeti gjithashtu se vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt ishte i papajtueshëm me Kushtetutën e vendit. Ndër arsyet kryesore ishte fakti se ishte cenuar e drejta e Veliajt për t’u dëgjuar.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese anuloi dekretin e Presidentit për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë dhe la Veliajn në detyrë, pavarësisht masës së arrestit me burg.







