
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 3 shkurt pushimin e çështjes së vetingut për ndihmësin ligjor të Gjykatës së Lartë, Periand Teta, prej nga mori formë të prerë vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi. Trupi gjykues i KPA e mori vendimin e pushimit me shumicë votash, pas tërheqjes së drejtuesit të SPAK, Klodian Braho nga shkaqet e ankimit. Sipas Kolegjit, pas tërheqjes së ankimit ka humbur objekti i çështjes, e për rrjedhojë nuk mund të vijojë gjykimi.
Si rrjedhojë e pushimit të çështjes në KPA, vendimi i Komisionit për konfirmimin e Tetës mori formë të prerë.
Ndihmësi ligjor, Periand Teta iu nënshtrua dy herë hetimit administrativ. Fillimisht Komisioni konstatoi se ai kishte dhënë pëlqimin në mënyrë të heshtur për ndërprerjen e kontratës së tij të punës si ndihmës ligjor, duke e ndërprerë procesin e vetingut pa vendim përfundimtar.
Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi si të pabazuar vendimmarrjen e Komisionit, duke e konsideruar arsyetimin e fakteve dhe rrethanave ligjore jo të qartë dhe të pamjaftueshëm për shmangien e zbatimit të nenit G të aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se në rastet e dorëheqjeve të subjekteve të rivlerësimit, vendoset dhe sanksioni që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.
Por, KPA çmoi se Teta kishte dëshmuar në mënyrë të qartë vullnetin e tij për t’iu nënshtruar procesit të vetingut dhe urdhëroi Komisionin për vijimin e procesit kalimtar për këtë subjekt rivlerësimi.
Pas kësaj, më 1 tetor 2024, Teta u konfirmua në detyrë nga Komisioni, por kjo vendimarrje u ankimua këtë herë nga Komisioneri Florian Ballhysa, me arsyetimin se shkalla e parë e vetingut nuk kishte tagër ta emëronte Tetën si këshilltar në Gjykatën e Lartë, punë prej të cilës ai ishte larguar në vitin 2017. Ballhysa vlerësoi se Kolegji duhej të ndryshonte vendimin e KPK dhe ta caktonte Tetën si gjyqtar ose prokuror, siç përcaktohet në ndryshimet kushtetuese dhe ligji për rivlerësimin kalimtar të magjistratëve.
Megjithëse gjatë parashtrimeve të paraqitura të hënën, prokurori Adnan Xholi i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje, deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit, pasi u njoh me qëndrimin e subjektit, në konkluzionet përfundimtare ai u tërhoq nga ankimi. Në përfundim, Xholi tha se gjenin të pazbatueshëm kërkimin e Komisionerit Publik për prishjen e vendimit të KPK. Ai deklaroi se, në kushtet kur për subjektin nuk janë gjetur probleme gjatë procesit të rivlerësimit, vendosën të heqin dorë nga ankimi.
Periand Teta ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, prej shkurtit 2014 deri në korrik të 2017-ës, kur është liruar nga detyra me urdhër të ish-kryetarit të atëhershëm. Urdhri lirimit ka ardhur pasi Teta ka kërkuar të dijë për vijueshmërinë e punës së tij, në kushtet që gjyqtares pranë të cilës punonte si këshilltar, i kishte përfunduar mandati në qershor të vitit 2016.







