
Avokati i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetiç, i tha të mërkurën Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë se akuzat për krime lufte dhe krime dhe njerëzim nuk janë vërtetuar.
“Tërësia e provave përcakton një konsensus midis dëshmitarëve ndërkombëtarë, atyre brenda UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) dhe provave materiale, që përcakton dyshime të arsyeshme në lidhje me pretendimet e prokurorisë”, tha Misetiç.
“Ky gjyq nuk është një verifikim i jetës së Thaçit. Ky është një verifikim i pretendimeve të prokurorisë. Thaçi duhet të gëzojë prezumimin e pafajësisë”, shtoi ai.
Misetiç vuri në dukje se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë vendosi që Presidenti serb Milan Milutinoviç nuk ishte penalisht përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat serbe, sepse ai ishte “një figurë politike që nuk kishte kontroll efektiv mbi forcat” e ish-Jugosllavisë.
Misetiç më pas theksoi se prokuroria në Dhomat e Specializuara të Kosovës po argumentonte se Thaçi, “udhëheqësi politik shqiptar i Kosovës i UÇK-së, një grup i armatosur jo-shtetëror që kishte ekzistuar vetëm për disa muaj, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës” për krimet e kryera nga luftëtarët e UÇK-së.
Katër të pandehurit në gjyq – Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – akuzohen se kanë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krimet e kryera kundër të burgosurve të mbajtur në qendrat e paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje, përfshirë 102 vrasje.
Krimet dyshohet se janë kryer midis afërsisht marsit 1998 dhe shtatorit 1999, gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Të katër të akuzuarit kanë deklaruar se nuk janë fajtorë.
Prokuroria ka kërkuar dënime me 45 vjet burg për secilin të pandehur – duke shkaktuar zemërim në Kosovë.
Gjatë deklaratave përfundimtare të prokurorisë, prokurori Matt Halling i tha gjykatës se figurat e larta ndërkombëtare që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit “nuk e kuptojnë që Thaçi ishte në gjendje ta maskonte atë që po ndodhte në të vërtetë (me dhunën kriminale0”.
Por Misetiç e pyeti gjykatën se si ishte e mundur që këto figura ndërkombëtare dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, nuk kishin informacion në lidhje me qëllimin për të kryer krime, “por në një nivel më të ulët, personeli i UÇK-së kishte mundësinë të merrte mesazhe kriminale nga të pandehurit?”
Ai gjithashtu vuri në dyshim se si prokuroria mund të pretendonte se “Thaçi zbatoi qëllimin e përbashkët kriminal”, ndërsa Zyrapi, i cili ishte i pranishëm në shumë takime me të, nuk u emërua si anëtar i të njëjtës ndërmarrje të përbashkët kriminale në aktakuzë.
Ai argumentoi se prokurorët “shpërfillin të gjitha provat e gjyqit që diskreditojnë çështjen e tyre”.
E ashtuquajtura gjykatë speciale është pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por me seli në Hagë me një staf ndërkombëtar për të siguruar procedura të drejta, pasi lindën probleme me kanosjen e dëshmitarëve në rastet e mëparshme të lidhura me UÇK-në. Shumë dëshmitarë të prokurorisë kanë dëshmuar pas dyerve të mbyllura për të mbrojtur identitetin e tyre për shkak të frikës nga hakmarrja, por kjo ka çuar në akuza për mungesë transparence.
Deklaratat përfundimtare do të vazhdojnë deri më 18 shkurt. Gjyqtarët më pas duhet të vendosin për një vendim brenda 90 ditësh.







