
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 11 shkurt përfundimin e hetimeve ndaj ish-kryetarit socialist të Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci dh eish-zëvendëses së tij, Edmonda Harizi për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike.
Nën akuzë për të njëjtën vepër penale janë dhe ish-drejtori i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Memaliaj, Feta Hoxha dhe administratori i një kompanie private, Bersant Ylli. SPAK e dërgoi dosjen për gjykim në gjykatën respektive.
Në njoftim bëhet me dije se hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhur me shkeljet e konstatuara në procedurën e prokurimit “Ndërtimi i ujësjellësit rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021.
Nga hetimet ka rezultuar se kryebashkiaku Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit të planit të projektit, ku në cilësinë e dhuruesit ka qenë operatori ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërkohë, Guci ka miratuar dhe projektin për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal me fond në vlerën mbi 493 milionë lekë. Sipas SPAK, vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.
Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ish-nënkryetarja Edmonda Harizi, ish-drejtori shërbimeve Feta Hoxha, i pandehuri Bersant Ylli dhe vetë kryebashkiaku Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., edhe pse kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.
Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.
SPAK njofton se ka ndarë hetimin lidhur me mënyrën e zbatimit të kontratës.







